Rama: Plani jo vetëm urbanistik, por edhe ekonomik
Plani i ri Rregullues, kryebashkiaku Rama ndalet në Njësitë Bashkiake 5, 6, 7 dhe 10. Bashkia dhe Komunat, përgjegjësi të ndara për planin
Kryebashkiaku në turin e dëgjesës para banorëve. 12 pika ku do të ndërhyhet fillimisht për realizimin e planit
Kryetari i Bashkisë Edi Rama ka vazhduar ditën e djeshme, turin e dëgjesës publike për ravijëzimin e Planit Rregullues në Njësitë Bashkiake 5, 6, 7, dhe 10. Kryebashkiaku ka preferuar të përzgjedhë zonat e mësipërme si pjesë të dytë të turit të dëgjimit për vetë faktin se këto blloqe konsiderohen si zonat e para të ndërhyrjes si dhe zona ku plani prek një sërë çështjesh pa dyshim me një potencial të rëndësishëm zhvillimi për Tiranën e së nesërmes. Në bashkëbisedimin me banorët, kreu i bashkisë Rama u shpreh se ndryshe nga çfarë është perceptuar në përgjithësi, ky plan nuk është thjesht urbanistik. “Komponenti urbanistik,- citoi Rama,- në kuptimin e ndërtimit është vetëm një nga pjesët e Planit Rregullues, i cili është një plan zhvillimi ekonomik dhe social dhe në të cilin preken aspekte që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me nevojën për t’i pararendur prirjeve të zhvillimit si dhe për t’i pararendur situatës së një dekade më vonë, atyre nevojave dhe atyre kërkesave që kanë qytetarët sot, por që do të ketë ky komunitet kryeqytetas edhe nesër”. Në vitin 2020, Tirana mendohet të ketë 400 mijë banorë më shumë. Rritja e popullsisë padyshim që do të kërkojë edhe resurse të reja ekonomike, çka do të rrisë në mënyrë të ndjeshme nevojën e komunitetit për punësim. “Ky plan merr në konsideratë këtë nevojë, si një nga çështjet më themelore dhe i jep përgjigje kësaj nevoje, duke krijuar hapësira për 200 mijë vende të reja pune, në 12 vitet e ardhshme; flasim për një metropol i cili sot është në formësim e sipër, pavarësisht prapambetjes së politikës, pavarësisht prapambetjes së vizionit dhe të programeve qeverisëse, sepse sot e gjithë ditën ne vazhdojmë të jetojmë në një zonë ku punohet me një legjislacion të vjetëruar, të paktën me 10 vjet, i cili edhe në momentin e daljes së tij, ishte shumë i vjetër nga konceptet dhe krejtësisht i mangët për nga largpamësia”. Kryebashkiaku nuk ka harruar të kritikojë në takimin e dytë me banorët politikat urbane dhe qeverisëse në nivel kombëtar, të cilat nuk kanë garantuar në këto vite vizione largpamëse dhe mekanizma për të përballuar kërkesat në rritje për të jetuar në qytetet e mëdha, duke mos garantuar njëkohësisht mbrojtjen e zonave rreth Tiranës dhe disa qyteteve të tjera të mëdha. “Kemi mbetur ende në një koncept të stërkaluar të vijave të verdha si vija ndarëse të përgjegjësive të njësisë vendore për të ndërtuar, ndërkohë që vijat e verdha nuk ndajnë përgjegjësinë mes komuniteteve dhe njësisë vendore, por ndajnë zonën e ndërtuar nga zona e pandërtuar. Që në vitin 2001 kemi kërkuar me këmbëngulje të përcaktohet në mënyrë shumë të qartë, zona e zhvillimit të njësive rreth e rrotull Tiranës, në mënyrë që Kashari, Farka dhe Dajti të mos zhvillojnë plane ndërtimi në krahun tjetër të rrugës, siçka ndodhur tek Unaza e Re, që nga njëra anë e rrugës është Tirana, nga ana tjetër Kashari”. Për të zgjidhur lëmshin e krijuar vjen në ndihmë Plani i ri Rregullues, i cili ofron zgjidhje, pavarësisht se nga kush administrohet zona (nga Bashkia e Tiranës apo nga komunat). Në këtë plan çdo njësi vendore merr pjesën e vet të përgjegjësisë. Ndërhyrjet sipas Planit të ri Rregullues, në njësitë 5, 6, 7 dhe 10 do t’i japin zonave karakteristika që kanë të bëjnë qoftë me zhvillimin nga pikëpamja mjedisore, qoftë nga pikpamja e transformimit të ish - zonave të degraduara, në zona me funksione mikse (ekonomi, banim, sociale etj). “Në plan,- referoi kryebashkiaku,- do të fuqizohet parku përgjatë Lanës edhe më tutje se shkolla teknologjike, do të krijohet parku i ri. Ndërhyrje do të ketë edhe në zonën tek ish- aeroporti, fusha e aviacionit. Njëkohëisht në plan do të synohet rivitalizimi i stadiumeve ekzistuese dhe hapësirave ekzistuese sportive, përfshirë dhe klubin “Partizani”, si edhe do të identifikohen dhe vlerësohen objekte me vlera historike arkitektonike të zonës”.
Plani i ri rregullues
Njësia Bashkiake 5,6,7, 10
1. Ky territor, në Planin e Veprimit për Zbatimin e Planit Rregullues, bën pjesë në territoret që do të zhvillohen përgjatë fazës së parë të zhvillimit të planit rregullues
2. Krijimi i parkut përgjatë Lanës
3. Krijimin e parkut te ish-aeroporti
4. Rivitalizimi i stadiumeve ekzistuese dhe i hapësirave sportive
5. Përshtatje e zonave të prodhimit dhe lidhja e tyre me transportin publik
6. Transformim i ish - zonave industriale të degraduara, në zona me funksione mikse (ekonomi, banim, sociale etj).
7. Propozimi për krijimin në këtë territor të disa qëndrave sekondare, propozim i cili vitalizon konceptin e zhvillimit të qytetit me shumë qendra.
8. Krijimi i parqeve periferike dhe mundësi aksesi të drejtëpërdrejtë në to.
9. Krijimi i parqeve në zonat e reja për zhvillim (rreth 20-30 %e zonës, si hapësirë kompakte)
10. Sistemim të hapësirave publike, në zonat tashmë të formuara.
11. Identifikim dhe vlerësim të objekteve me vlera historike, arkitektonike të zonës
12. Ristrukturim urban, hapje rrugësh të reja në brendësi të blloqeve etj.