E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani, mungesat nuk ia prishin profilin e pretendentit

Nga Elton Karaj

Në fitoren e së shtunës kanë bërë një paraqitje shumë të mirë lojtarët e rinj, që ndoshta meritojnë më shumë besim

Elbasani mbetet një nga pretendentët kryesorë për në superligë, pavarësisht ndonjë oshilacioni në këto javë të para. Verdheblutë kanë fituar pastër me Gramozin, falë dygolëshit të Endri Dalipit, i cili ka qenë një ndër shënuesit më të mirë të ekipit sezonet e fundit. Loja e mirë në ndeshjen e së shtunës ka bërë që të harrohet në një farë mënyre humbja e thellë e Lezhës. Elbasani ka dhënë një sinjal të fortë se nuk do të mungojë në kreun e tabelës.

Loja e verdhebluve duket në rritje dhe pritet që në javët në vazhdim të shohim një Elbasan edhe më të konsoliduar dhe rezultativ edhe në ndeshjet jashtë fushe. Ekipi i drejtuar nga dyshja File-Dosti nuk gabon në stadiumin Ruzhdi Bizhuta, por për të siguruar superligën duhen fitore edhe jashtë fushe.

Kjo është sfida e verdhebluve në këtë moment, sepse në dy ndeshjet e mëparshme jashtë fushe ata kanë marrë vetëm një pikë dhe nuk kanë shënuar asnjë gol. Elbasani mban aktualisht vendin e 4-t dhe është vetëm 2 pikë larg kreut, kështu që gjërat mund të shihen me syrin pozitiv.

Zëvendësuesit Në ndeshjen me Gramozin ra në sy loja e lojtarëve të stolit. Kështu, Musta ka zënë vendin Gavës së pezulluar, megjithëse ka qenë i detyruar tia lërë vendin Halilajt në minutën e 37-të. Për aq sa luajti, ai u paraqit shumë mirë. Fjalë të mira meritojnë edhe mbrojtësat, Ibrahimi dhe Dosti, të cilët në shumë raste kanë qenë protagonistë në ndalimin e sulmeve të kundërshtarit.

Sulmuesi Endri Halilaj, i cili në këtë ndeshje ka luajtur si mesfushor i djathjtë, ka treguar një formë të mirë dhe nga këmbët e tij erdhi goli i dytë i Dalipit. Të gjithë këta lojtarë kanë bërë një paraqitje mjaft të mirë, duke dhënë sinjale të qarta për stafin teknik se ata ndoshta meritojnë më shumë besim. Pra, Elbasani ka më shumë alternativa për vazhdimin e kampionatit, ku pa dyshim që të rinjtë do të kenë pjesën e tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›