Sigurt, drejt Olimpiadës

Majlinda Kelmendi po shkon me hapa të sigurt drejt Lojërave Olimpike ‘Londra 2012’. Suksesi i fundit në Romë, në Kupën Botërore, Kategoria A, ia mbushi xhepin xhudistes kosovare edhe me 100 pikë të reja olimpike, të cilat e afrojnë edhe më shumë atë me evenimentin më të rëndësishëm sportiv të vitit të ardhshëm.
Sportistja më e suksesshme kosovare e dekadës së fundit nuk dyshon aspak në pjesëmarrjen e saj në Londër. Objektiv i saj është që të grumbullojë sa më shumë pikë olimpike për ta fituar një vend sa më të mirë para Olimpiadës.
Ajo është futur në mesin e 10 garueseve të para nga 14, sa do të marrin pjesë në Londër. Objektiv i saj është që të grumbullojë sa më shumë pikë në 7 muajt e mbetur, deri më 1 maj, kur përfundon edhe kjo fazë.
“Nuk kemi dyshuar kurrë që do të futem në mesin e 14 të parave. Pas suksesit në Romë, unë jam futur në mesin e 10 të parave, por synim imi është që të futem në top 8 për shkak të shortit më të favorshëm. Pasi mora 100 pikë në Kupën Botërore, garave të ardhshme do t’u hyj në mënyrë më komode, por do të mundohem të grumbulloj sa më shumë pikë për t’i arritur synimet e mia”, deklaroi Kelmendi për Express.
Pra, aspekti sportiv nuk do të jetë problem që Majlinda ta shkelë tokën angleze. As problemi politik, që deri dje ishte problemi kryesor, duket se nuk do ta ndalë marshin e krenarisë së sportit në vend.
“Para 2-3 javësh, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka treguar se unë mund të marr pjesë në Olimpiadën e Londrës duke e përfaqësuar Kosovën, nëse e fitoj normën olimpike. Por, ka mundësi që këtë ta bëj me flamurin olimpik. Me rëndësi është se 99 për qind është e sigurt se do të marr pjesë në Olimpiadë”, shton xhudistja pejane.
Pas Kosovës, ajo e kishte në opsion të dytë Shqipërinë, por tashmë është pothuajse e sigurt se do ta përfaqësojë Kosovën në Olimpiadë. Fundjavën që shkoi, Majlinda Kelmendi e fitoi medaljen e artë në Kupën Botërore, Kategoria A, e cila u mbajt në Romë.
Kjo ishte medalja e parë e artë për të në një eveniment aq të rëndësishëm në kategorinë seniore. Kohë më parë, xhudistja nga Dukagjini ishte shpallur kampione e botës në kategorinë juniore.