E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tovërlani zëvendëson Ademin?

Fadil Ademi mund ta lë pozitën e trajnerit tek Hysi, pas rezultateve jo të favorshme të këtij sezoni. Në vend të tij, skuadra llapjane mund ta emërojë Afrim Tovërlanin, sot. Nëse ndodh kjo, Ademi, i cili kërkoi vetë ndryshime në klub, do të mbetej ndihmës trajner. Nga Moral Pozhegu më 04 tetor 2011 në ora 13:04

Rezultatet jo të favorshme të këtij sezoni pritet të sjellin ndryshime tek skuadra e Hysit. Më saktësisht, Fadil Ademi mund ta lë detyrën e trajnerit, për ta marrë dikush tjetër.

Ish futbollisti i njohur kosovar, i cili pati debutim sensacional në rolin e kryetrajnerit, duke e fituar titullin e kampionit dhe Superkupën e Kosovës, ka kërkuar vetë nga udhëheqësit e klubit që të bëjnë ndryshime, duke filluar nga shtabi teknik.

“Duke e parë që nuk po na shkon puna mirë, kam kërkuar nga kryesia që të bëhen ndryshime, duke filluar prej meje. Nuk jam i kënaqur me rezultatet e fundit, kështu që jam i gatshëm të heq dorë, për të mirën e klubit. Unë do ta vazhdoj punën të martën, por në pritje të informatave për një trajner të ri eventual. Unë nuk e kam problem të mbetem ndihmës trajner, pasi këtë detyrë e kam kryer për një kohë disavjeçare”, deklaroi për Express, Ademi, i cili uron që Hysin ta marrë në dorë një trajner i aftë për ta kryer punën si duhet.

Kandidati më serioz për ta marrë postin e trajnerit te Hysi është Afrim Tovërlani. Trajneri prishtinas është takuar të hënën (dje) me drejtuesit e ekipit nga Merdara, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ai ta marrë në dorë ekipin llapjan qysh sot.

“E kishim një takim gjatë ditës, ndërsa e kemi edhe një tjetër sonte. Ka mundësi të arrijmë marrëveshje, por nuk do të thotë se kjo do të ndodh gjithsesi. Hysi nuk është opsion i vetëm për mua. Kam oferta edhe nga klube tjera kosovare, por edhe nga një klub nga Maqedonia. Nesër do të dihet më shumë”, ka thënë të hënën Tovërlani.

Më saktësisht, opsioni që përmend Tovërlani nga Maqedonia është Shkëndija e Tetovës, e cila e sheh atë trajnerin ideal për ta zëvendësuar të larguarin Qatip Osmani. Drejtuesit e Hysit kanë heshtur dje. Sidoqoftë, gjithçka pritet të zbardhet sot, rreth trajnerit të ri të këtij klubi.

Disa kandidatë për Lepencin

Pas dorëheqjes së parevokueshme të trajnerit Selajdin Zeneli, udhëheqësit e Lepencit po mendojnë për pasardhësin e tij. Trajneri i ri i ekipit kuq e zi do të emërohet të martën mbrëma, pas mbledhjes së kryesisë së klubit.

Burime brenda klubit bëjnë të ditur se postin e trajnerit tek kaçanikasit mund ta marrë ish trajneri i Ferizajt, Arsim Abazi ose ish trajneri i Prishtinës dhe Trepçës ’89, Afrim Tovërlani, ndërsa në opsion janë edhe dy trajnerë shqiptarë nga Maqedonia, njëri nga Shkupi e tjetri nga Tetova. Në ndeshje me Hysin, përkohësisht Lepencin e udhëhoqi ndihmësi i deridjeshëm i Selajdin Zenelit, Hajdin Zeneli.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›