Kundër Francës, në sulm

Kombëtarja shqiptare është grumbulluar të hënën në Durrës, ku do t’i zhvillojë përgatitjet për ndeshjen e 7 tetorit kundër Francës që do të zhvillohet në kuadër të kualifikimeve për ‘Euro 2012’.
Mesfushori i ekipit rumun, Dinamo Bukuresht, Elis Bakaj thotë se kuqezinjtë duhet të luajë pa presion dhe nuk duhet të frikësohen nga francezët pasi tashmë nuk kanë çfarë të humbin.
“Për mendimin tim, nuk duhet të luajmë në mbrojtje pasi nuk kemi se çfarë të humbasim. Në Francë nuk duhet të shkojmë si inferiorë dhe as me kokën ulur. Nuk kemi presion, nuk kemi çfarë të humbasim”, ka thënë Bakaj.
Ekipit francez të premten pritet t’i mungojnë Ribery, Benzema, Sagna e Abidali. Por Bakaj mendon se këto mungesa nuk i shqetësojnë ‘Gjelat’ pasi në radhët e tyre kanë shumë lojtarë cilësorë.
Për ndeshjen kundër Francës, ekipit kuqezi do t’i mungojnë Altin Lala, Ansi Agolli e Admir Teli (të suspenduar), Ervin Skela që është tërhequr nga përfaqësuesja, dhe Dabatik Curri i lënduar.
Ndërsa më 11 tetor, kuqezinjtë në stadiumin ‘Qemal Stafa’ do ta presë Rumaninë, e cila është edhe ndeshje përmbyllëse e eliminatoreve për Kampionatin Evropian që do të mbahet në Poloni e Ukrainë.
Shqipëria i kishte nisur mirë eliminatoret për Euro 2012, mirëpo në ndeshjet e fundit ka pësuar një rënie drastike. Kuqezinjtë gjenden në vendin e pestë në Grupin D me vetëm 8 pikë të tubuara.
Sallaj nuk e priste ftesën e Kuzes
Në mesin e futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet e fundit eliminatore, trajneri Josip Kuze ka ftuar katër lojtarë të rinj në ekipin kuqezi, në mesin e tyre edhe mbrojtësin e ri kosovar, Agonit Sallaj.
Ky i fundit, i cili me ekipin kuqezi ka debutuar në miqësoren që Shqipëria e humbi përballë Argjentinës 4:0, thotë se nuk e kishte pritur që kaq shpejt të bëhet pjesë e Kombëtares A.
“Jam shumë i gëzuar që jam këtu në ekipin kombëtar. Që i vogël, kam dashur të jem pjesë e Kombëtares. Kam luajtur me Argjentinën dhe jam i kënaqur. Kalimi nga shpresa te Kombëtarja është pak i shpejtë, por ndoshta kështu deshi fati. Besoj se çfarë kam bërë me shpresat është pozitive. Faktikisht unë dhe disa djem të ekipit shpresa kemi luajtur në Zvicër, por e them për ne është kënaqësi të luash për Shqipërinë”, ka thënë mbrojtësi i ekipit zviceran FC Biel Bienne.