E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shalari: Luftëtari të përqendrohet te ndeshjet që ka përpara

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Mbrojtësi gjirokastrit Bledar Shalari thekson se nga humbja në Lezhë duhen nxjerrë mësime

Pas 3 fitoreve me një gol diferencë, Luftëtari pësoi humbjen e parë po me këtë diferencë. Humbi të shtunën  në Lezhë me Besëlidhjen, ndërsa në vazhdim ka radhën të zhvillojë 2 ndeshje në fushën e tij. Së pari, pret Elbasanin, që është i vetmi ekip i kategorisë së parë që është shpallur edhe kampion superlige, ndërsa më pas vjen Lushnja, që për nga traditat  renditet ndër 4 të parat (Elbasani, Besa, Luftëtari, Lushnja).

Ndeshjet në fjalë duhet të kapërcehen me sukses të plotë nga Luftëtari, përderisa është pritës dhe ka objektiv ngjitjen në superiore. Gjirokastritët ishin të vetmit që në 3 ndeshjet e para nuk kishin humbur pikë, por në të 4-tën u hasi sharra në gozhdë. Ajo që trondit nuk është humbja, sepse edhe të tilla do të ketë, madje ato i shijojnë edhe superekipet, por fakti që nuk funksionoi grupi si duhet.

Krenaria e Luftëtarit , mesfusha, nuk ishte në lartësinë e duhur, sulmi ishte konfuz dhe mbrojtja, me gjithë ata lojtarë me shumë përvojë, pësoi një gol aksidental. Sidoqoftë, humbja ka një fytyrë sido që të vijë dhe i fortë është ai që nxjerr konkluzionet e duhura  prej saj. Ashtu sikundër është thënë shpesh, ekipi i këtij sezoni është më i kompletuari i gjithë sezoneve të këtij fillimshekulli, pra nga sezoni 2002-2003 dhe në vazhdim, duke përjashtuar 2006-2007-ën, kur luajti në superligë.

Ky është i 9-i, ndaj dhe shpresohet goxha për kthimin në elitë. Sipas informacioneve të marra nga gjirokaastritët, ekipi krijoi raste për gol ndaj Besëlidhjes, por nuk u arrit finalizimi, sëmundje kjo e sezoneve paraardhëse, që i rishfaqi simptomat e saj dhe që shpejt duhen eliminuar.

Shalari Mbrojtësi gjirokastrit Bledar Shalari thekson mes të tjerash se nga humbja e Lezhës duhen nxjerrë konkluzionet përkatëse dhe ekipi duhet të përqendrohet te ndeshjet që ka përpara: Humbja me Besëlidhjen nuk duhet të na ligështojë, përkundrazi, duke nxjerrë mësimet e duhura prej saj, të arrijmë që në ndeshjen e radhës me Elbsanin në fushën tonë të kthehemi te fitorja.

Sipas mendimit tim, në Lezhë humbja erdhi edhe si rezultat i faktorit psikologjik, që lindte ngaqë do të ndesheshim me një ekip më të forë se tre të mëparshmit dhe në transfertë. Raste  krijuam, por nuk shënuam dhe humbja erdhi vetëm nga gabimet tona. Rezultati që do ta pasqyronte më saktë ndeshjen, do të ishte barazimi, por çdo gjë tani ka mbaruar në disfavorin tonë dhe ajo që mbetet është të shohim përpara.

Kemi dy ndeshje radhazi në Gjirokastër, me Elbasanin dhe Lushnjën, që janë edhe ndër ekipet më me tradita e pretendime. Kapërcimi i tyre me sukses të plotë mund ta nxjerrë Luftëtarin të shkëputur nga rivalët. Duhet ti marrim pikët me lojë, duke shpalosuar shpirt gare dhe me përqendrim maksimal. Elbasani ka vlera dhe forca, që i respektojmë, por në Gjirokastër normalisht fitorja na takon neve dhe me këtë motivim duhet të tregojmë se jemi pretendentë për superioren.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›