E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau në Itali, kapet i kërkuari

Policia e Vlorës gjatë arrestimit të Erion Canaliaj

VLORE/ Policia e arrestoi sapo doli nga lokali buzë detit. Dyshohet edhe për grabitje.

Erion Canaliaj u dënua nga Gjykata e Arrezos me 30 vjet.

Policia e Vlorës arrestoi dje një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane për vrasje dhe disa vepra të rënda kriminale. Operacioni i koduar Arrezo prangosi në zonën e skelës 25-vjeçarin Erion Canaliaj, menjëherë sapo ai ka dalë nga një prej lokaleve buzë detit. I riu nuk ka bërë rezistencë, por ka ngritur duart lart në momentin kur policia i bëri thirrje të ndalonte. Burime të Policisë bënë të ditur se i riu nga fshati Sevaster i Vlorës ishte dënuar me 30 vjet burg nga drejtësia italiane.
Sipas Policisë, ky shtetas është shpallur në kërkim nga Interpol Roma, pasi më 19 tetor 2010 në Arrezo, Itali, në bashkëpunim me shtetasin tjetër Arbër Hoxha, i arrestuar dhe i gjykuar tashmë nga autoritetet italiane, ka vrarë me armë të ftohtë, thikë, një shtetas rumun, si dhe ka tentuar të vrasë një tjetër.
Ky shtetas dyshohet të ketë kryer edhe vepra të tjera penale në territorin italian si grabitje apo posedim i paligjshëm i armëve të zjarrit, vepra për të cilat është dënuar me 30 vjet burg nga Gjykata e Arrezos. Kjo e fundit ka lëshuar një urdhër ndërkombëtar ndalimi për veprat penale të mësipërme ndaj shtetasit Erion Canaliaj, bëri të ditur policia.
Kapja e personit të shpallur në kërkim ndërkombëtar u krye nga Sektori i Operacioneve Speciale dhe Sektori Kundër Krimeve të Rënda në Policinë e Vlorës, në zonën e Skelës. Policia është mobilizuar menjëherë pas marrjes së informacioneve mbi vendndodhjen e tij. 25-vjeçari mbahej në survejim prej disa ditësh nga strukturat e policisë. Ndërhyrja për arrestimin e tij u bë në momentin që do të hipte në automjetin e tij sapo doli nga një lokal. Në momentin e arrestimit 25-vjeçari nuk ka bërë asnjë rezistencë. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se i riu mendohet të jetë futur në Shqipëri para pak muajsh. Ai jetonte në qytetin e Vlorës dhe nuk kryente ndonjë punë. Nga të dhënat e Policisë mësohet se i riu është dënuar me 18 vjet për veprën penale të vrasjes, si dhe me disa vite të tjera për grabitje e posedim të armëve të zjarrit. Në total, Gjykata e Arrezos, duke bashkuar edhe dënimet, vendosi 30 vite burg në mungesë. Pas vendimit gjyqësor, Canaliaj ka mundur të futet serish në Shqipëri me identitet të rremë. Por policia ka rënë në gjurmët e tij duke e mbajtur në survejim prej disa ditësh, derisa organizoi operacionin për kapjen e tij. Për arrestimin e të kërkuarit u mobilizuan dhjetëra forca policie, pasi nuk kishin të dhëna nëse ai ishte i armatosur, ndërsa personi konsiderohej me rrezikshmëri. Policia bëri të ditur se arrestimi i tij është kryer për llogari të palës italiane. Ai pritet tu nënshtrohet procedurave ligjore për ekstradimin në Itali brenda afatit ligjor prej 40 ditësh.

Supergrabitësi
Më 20 mars 2012, Policia e Vlorës arrestoi të shumëkërkuarin Altin Hoxha (emri i vërtetë, Ali Islamaj). Gjykata Penale e Romës kishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar, pasi dyshohet se në bashkëpunim me 8 shqiptarë të tjerë ka kryer më shumë se 50 grabitje me dhunë të vilave luksoze në qytete të ndryshme, duke përdorur metoda të ashpra kundër pronarëve. Ai dyshohet edhe për vrasje. Më 14 janar 2012, Hoxha bashkë me një rumun u arratis nga burgu i sigurisë së lartë Regina Celi në Romë.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›