Elbasani pa “arushën”. Bejzade ne tribune

Elbasani kundër Dinamos kryesuese pa "arushën". Verdhebluve do t'i mungojë kundër kryesuesve të kampionatit Skerdi Bejzade, i cili është edhe golashënuesi më i mirë i ekipit.
Ish-lojtari Vllaznisë ka pësaur një tërheqje muskulare gjatë barazimit 2-2 me Tiranën të shtunën e kaluar, takim ku tiranasi shënoi edhe golin e dytë për skuadrën e Krenar Alimehmetit.
"Pavarësisht se dëshira ime është e madhe për të luajtur kundër Dinamos është e madhe nuk kam asnjë mundësi. Do ta ndjek nga tribuna takimin", - thotë 34-vjecari, që fillimet e tij si futbollist i ka pasur pikërisht me klubin dinamovit.
Bejzade, autori i tëtë golave gjatë 18 javëve të para të këtij sezoni, u stërvit vecmas skuadrës dhe pse stafi mjekësor bëri të pamundurën për ta rikuperuar ndaj kundërshtarit mëtë vështirë në kampionat, Dinamos. Presidenti i Elbasanit, Arben Laze për fitoren kundër 16-herë kampionëve të Shqipërisë ka vendosur një premio prej 20 mijë dollarësh, shpërblim të cilin ai e vendosi edhe për fitoren e parealizuar kundër Tiranës.
Dinamo dhe Elbasani ndajnë vendet 1-3, me Partizanin në vendin e dytë, por diferenca midis klubit të presidentit Besnik Sulaj dhe atij të Lazes, është e dukshme: 9 pikë.
Elbasani, nuk ka pësuar asnjë humbje në nëntë ndeshjet e zhvilluara në shtëpi, por bilanci i verdhebluve në transfertë është shumë i varfër: 4 humbje në 7 takime.