Elbasani pa histori
Elbasanit i është “përçudnuar” historia e vjetër dhe e re. Ajo që ruhet, është aq sa mund të kujtohet nga brezat. Gjithçka që mund të përftohej nga dokumentet, reliket apo gjithçka tjetër e ekspozuar në stenda, është shkatërruar. Ata që përpiqen sot të rikthejnë kulturën e djeshme, nuk mund të ringjallin dot muze të tërë që u vodhën, objekte që u shitën apo u hodhën në furrat e uzinës së çelikut si hekurishte për t’u shkrirë. Kreshnik Belegu, drejtor i trashëgimisë kulturore, shprehet se është tejet e vështirë të rifitohen ato që tashmë kanë humbur.
Muzetë e privatizuarVitet e para pas ‘90-ës do të sillnin një humbje të madhe të vlerave muzeore të qytetit të Elbasanit. Gati të gjithë ish-muzetë e këtij qyteti kanë mbetur vetëm në kujtesën e të moshuarve. Godinat e ish-muzeut të luftës, atij historik, i muzeut të arsimit, si dhe shtëpia-muze e Qemal Stafës, u janë kthyer pronarëve të ligjshëm. Shumëkush në Elbasan e di mirë se ç’pasuri kanë pasur këto muze, por pakkush mund ta dijë se ku shkuan këto vlera morale, materiale e historike. Mësohet se të gjitha armët trofe të Muzeut të Luftës i janë dorëzuar Bazës së Armatës në Krastë të Elbasanit kanë qenë të ekspozuara të gjitha llojet e armëve të përdorura në luftën partizane, prej të cilave nuk ka mbetur asgjë. çfarë ka pasur nga këto lloj armësh në muzeun e luftës, i janë dhënë repartit ushtarak ku janë demilitarizuar mijëra tonë armë dhe armatime sipas projekteve që kanë aplikuar organizmat ndërkombëtarë të NATO-s. Ka të ngjarë që këto armë me vlera të rralla historike t’u jenë bashkuar stoqeve të armatimeve shqiptare që, pas çaktivizimit të mekanizmave të shkrepjes, kanë përfunduar në furrat e firmës turke “Kurum” për t’u shkrirë. Nuk është mbajtur asnjë inventar dhe askush nuk ka marrë e nuk merr përgjegjësitë për humbjen e vlerave të tilla muzeore. Përgjegjësia së paku u mbetet, përjashto dy kryebashkiakët e fundit, paraardhësve të tyre, njëri prej të cilëve nuk jeton më. Të njëjtin fat kanë pësuar edhe Muzeu Historik dhe ai i Arsimit, si dhe shtëpia-muze e heroit kombëtar të luftës, Qemal Stafa. – “Ato që më kanë sjellë në muze unë i kam ruajtur me tepër fanatizëm dhe respekt si dokumentet historike ashtu dhe pak relike të periudhës së paraçlirimit“, ka pohuar drejtori i Trashëgimisë Kulturore, Kreshnik Belegu. “Kur jam emëruar në këtë detyrë, nuk kam gjetur në inventarët e asnjë muzeu objektet dhe vlerat e tjera dokumentuese, por në një farë mënyre ne duhet të paguajmë “haraçin” e atyre që duhej t’i kishin ruajtur këto vlera të papërsëritshme”, shton ai. Ky i fundit, mbetet ndër të vetmit që po përpiqet sot në Elbasan për ringjalljen e muzeve, ndërkohë që asnjë instancë vendore në bazë dhe në qendër nuk ka dhënë as një fond për këtë qëllim.
Përpjekjet për ringritjen e muzeveKa një dëshirë të mirë në Bashkinë e Elbasanit për të rikthyer historinë. Për realitetin kjo mbetet në kufijtë e idealizmit profesional të Belegut. Aktualisht ekzistojnë vetëm Muzeu i Etnografisë dhe Shtëpia Muze e Xhuvanit. “Po përpiqemi që Muzeun e Arsimit ta akomodojmë në shkollën e mesme pedagogjike ‘Luigj Gurakuqi’ dhe atë nëntëvjeçare ‘Naim Frashëri’”, ka pohuar kreu i kulturës, Bashkim Paheshti. Falë kujdesit të këtij të fundit, por dhe pasionit të mësuesve të këtyre dy shkollave, historia e arsimit të këtij qyteti po “shkruhet” në to . Fonde duhen, por fonde as ka pasur dhe as janë dhënë. “Kemi shumë projekte, por shpresojmë që këshilli bashkiak t’i akordojë”, ka theksuar Paheshti. Ndërsa Belegu është në përpjekje për pasurimin e pavijoneve të Muzeut Etnografik me veshjet e krahinave të ndryshme të Elbasanit apo objekte etnografike. Për Muzeun e Luftës apo atë Historik, ende nuk ka një mendim të konkretizuar, por pak gjasa ka, pasi nga stendat e tij pothuajse nuk ka mbetur asgjë. Në këto kushte mund të thuhet pa frikë se Elbasani sot nuk flet më gjuhën e historisë.
#