E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akcizat, tentativa për ti ndryshuar

Deputetët e PD dhe PS, 4 ditë afat për të rishikuar draftin para miratimit final

Projektligji “Për akcizat”, që parashikon rritje takash, ka gjasa të ndryshojë në disa pika që edhe vetë mazhoranca i gjykon në dëm të biznesit. Pas kërkesës nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste për ta shtyrë miratimin në Kuvend të projektligjit, palët po shqyrtojnë mundësinë e rishikimit të disa pikave përmes amendamenteve. Anëtarët demokratë të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, në deklaratat zyrtare nuk japin shenja se diçka mund të ndryshojë. “Projektligji është miratuar në komision dhe nuk mund të ndryshojë. Ose të paktën, komisioni e ka shprehur me votë qëndrimin, për rrjedhojë nuk shoh kthim mbrapsht. Shtyrja e miratimit të projektligjit nuk do të thotë ndryshim i tij, por mundësia për t’i dhënë kohë opozitës për ta shqyrtuar. Megjithatë, çdo deputet ka të drejtë të bëjë propozime”, tha për “Shqip” kryetari i komisionit, Edmond Spaho. Një tjetër anëtar konfirmon qëndrimin e demokratëve në Komisionin e Ekonomisë rreth votimit pro të projektligjit. “Nëse do të kishte qëndrime për ndryshim, atëherë projektligji do të kthehej në komision ose në qeveri. Diskutimet janë mbyllur, kështu që pritet miratimi në seancë plenare, natyrisht, pasi të jenë dëgjuar dhe shqyrtuar komentet e opozitës, e cila kërkoi kohë para miratimit final”, sqaroi anëtari demokrat Sybi Hida. Por brenda komisionit ka zëra se diçka mund të ndryshojë, sidomos te pjesa që lidhet me akcizën për pijet freskuese dhe ujin, megjithatë, askush nuk merr përsipër të japë garanci.

Sa i takon opozitës, deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, ish-ministre Ekonomie, tha se këtë javë, ndoshta sot, grupi parlamentar, do të vendosë rreth qëndrimeve që do të mbajë për projektligjin e akcizave. Miratimi final i projektligjit parashikohet të ndodhë në seancën e ardhshme, ditën e enjte, dhe deri atëherë palët kanë kohë të bëjnë ndryshime.

Projektligji

Pas katër muajsh punë intensive, me ndryshime të herëpashershme, Ministria e Financave arrin të hartojë draftin përfundimtar të akcizave, që në thelb synon vendosjen e disa produkteve në listën e mallrave të luksit. Debati më i madh qëndron të lëndët qelq dhe plastikë, industria e të cilave ka pasur zhvillim vitet e fundit. Për këto dy produkte propozohet vendosje akcize, përkatësisht 10 dhe 100 lekë për kilogram. Biznesi i këtij sektori e ka kundërshtuar masën e re tatimore, si politikë antikonkurruese dhe që nuk përputhet me standardet e Bashkimit Europian për riciklimin. Vlera e investimit të kryer gjatë këtyre viteve llogaritet në rreth 66 milionë euro dhe vendosja e taksave të reja i rrezikon këto biznese.

Në projektligj janë vendosur me akcizë edhe produkte të tjera, si gomat e reja dhe të përdoruara të mjeteve të transportit, ambalazhet e përziera, bateritë, fishekzjarrët dhe disa lloje llambash.
Edhe karburantet janë prekur nga niveli i ri i akcizave, si nafta virgine, si dhe disa nënprodukte që shërbejnë si përzierës, por edhe si furnizues të sektorit të bujqësisë e industrisë. Në total, efekti negativ për biznesin nga rritja e këtyre taksave llogaritet nga Ministria e Financave në rreth 50 milionë dollarë, pa harruar ndikimin që jep TVSH-ja mbi këtë vlerë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›