E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani, problem dhunën në familje dhe vjedhjet ordinere

04/12/2009  Flet drejtori i policisë, kryekomisar Sajmir Muça: Problem infrastruktura

ELBASAN- Drejtori i Drejtorisë së Policisë në Elbasan, kryekomisar Sajmir Muça në një intervistë për “Metropol” sjell strategjitë, ndryshimet dhe problemet që hasen në këtë drejtori pas më shumë se dy javëve në drejtim. Mungesa e infrastrukturës së nevojshme dhe mjeteve moderne për të gjitha hetimet pritet të jetë një kërkesë nga Drejtoria e Policisë Elbasan drejtuar Ministrisë së Brendshme për vitin që vjen. Muça rikthehet në Elbasan pasi drejtoi komisariatin për më shumë se dy vite...

Cilat janë prioritetet strategjike të Drejtorisë së Policisë Elbasan?

Drejtoria e Policisë së Elbasanit ka marrë angazhim që të rrisë performancën dhe shërbimet ndaj komunitetit duke ofruar standarde të një policie evropiane. Forcimi i partneritetit polici-komunitet do të jetë baza e suksesit për parandalimin dhe uljen e krimit në të gjitha kategoritë. Rritja e sigurisë në rrugë, zbulimi i ngjarjeve të vjetra, përmirësimi i burimeve dhe menaxhimeve njerëzore e logjistike, janë disa nga objektivat tona. Për të matur rezultatet Drejtoria e Policisë ka vendosur disa indikatorë, të cilat janë evidentimi i veprave penale në masën 100% duke kërkuar mbështetje nga qytetarët. Forca zbuluese dhe zbulimi i krimeve të rënda do të rriten në masën 4%. Informacionet për aktivitetin kriminal, korrupsionin në fushën e krimit ekonomik dhe financiar dhe trafiqeve të paligjshme do të rriten në masën 8%. Rritja e denoncimeve nga telefonatat e qytetarëve pritet të jetë në masën 15%.

Aksidentet dhe qarkullimi, a përbëjnë shqetësim për Elbasanin?

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet uljes së aksidenteve rrugore që janë kthyer në problem të madh shqetësues. Të gjitha këto do të arrihen duke përdorur edhe metoda speciale të hetimit. Policia ka si objektiv edhe evidentimin e të gjitha rasteve të dhunës në familje një fenomen që po merr përmasa alarmante edhe në Elbasan. Rritja e bashkëpunimit me pushtetin vendor dhe biznesin janë disa nga prioritetet e punës sonë. Problem në Elbasan janë vjedhjet ordinere për të cilat është dhënë goditja e parë e një grupi nga Shkodra që grabiste automjete në qytete të ndryshme.

Cilat janë problemet që hasni dhe a ju ndihmon infrastruktura?

Për të pasur efikasitet policia ka nevojë për infrastrukturë dhe pajisje. Por Drejtoria e Policisë së Elbasanit nuk është e kompletuar në këtë drejtim. Kështu drejtoria ka vendosur t’i drejtohet Drejtorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme që të mundësojë modernizimin me mjete dhe logjistikë të policisë së Elbasanit. Kërkohen më shumë automjete, matës shpejtësie, pajisje, etj që të arrihen standardet e kërkuara.

A do të ketë reformë, largim apo rekrutim efektivash?

Drejtoria e Policisë së Elbasanit ndodhet në sinkron me strategjinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Shtetit në këtë drejtim. Drejtoria e Policisë së Shtetit ka përfunduar raportin mbi rialokimin e burimeve njerëzore dhe po punon me drejtoritë e policive në qarqe për të evidentuar përmirësime të mundshme të strukturave të policisë dhe rritje të efikasitetit në punë. Kjo nënkupton se në të ardhmen mund të ketë edhe rekrutime të reja në nivele të ndryshme të policisë. Për sa i përket ndryshimeve në struktura nuk priten lëvizje të mëdha.

Bisedoi: Ledia Lleshi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›