E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset mbi 5 milionë lekë do të paguajnë TVSH

04/12/2009  Çfarë do të ndryshojmë, pagesat që shtohen dhe rimbursimet nga shteti

Nga data 1 janar të gjitha bizneset që kanë një xhiro mbi 5 milionë lekë do të përfshihen në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Përfshirja në këtë skemë do të sjellë detyrimin e paraqitjes në shtet të të dhënave mbi mallrat e blera si dhe atyre të shitura. Kjo në çdo tre muaj për bizneset që kanë një xhiro mbi 5 milionë lekë e që cilësohen biznese të vogla. Ndërsa së bashku me këto deklarime do të derdhen në arkën e shtetit dhe 20 për qind të vlerës së mallrave që shiten. Ekspertët sqarojnë se do të jetë konkurrenca në treg që do të saktësojë nëse do të ketë një rritje të çmimeve apo do të mbeten në të njëjta nivele. Por se në rastin e dytë, në momentin kur nuk do të ketë rritje të mallrave që tregtohen, biznesmenët do të kenë detyrimin që të ulin nivelin e fitimit të tyre.

Nga ana tjetër ligji u lejon këtyre bizneseve që të kërkojnë rimbursimin e TVSH-së, e cila del nga mallrat që ata blejnë për të vijuar biznesin e tyre. Kështu kjo TVSH e kreditueshme do të llogaritet nga faturat me TVSH që biznesi i vogël do të paraqesë në organet tatimore.

Vendimi në fjalë është i botuar në Fletorja Zyrtare të datës 27 nëntor. Por me sa duket duke qenë se jemi në fund të vitit financiar, ekspertët kanë vendosur që kjo ulje e xhiros vjetore të nisë që në fillim të vitit të ardhshëm. Në mënyrë që të mos lejohen përplasje të dhënash, apo problem që do të lindin si pasojë e procedurave të ndjekura deri më tani nga ky biznes. Së bashku me faturat e TVSH biznesi, i cili ka xhiron mbi 5 milionë lekë do të vijojë të paraqesë bilancin përfundimtar në organet tatimore ku dhe bëhen vlerësimet përkatëse.

Përjashtimet

Në faturat të cilat biznesi me xhiron mbi 5 milionë lekë do të paraqesë për rimbursimin e TVSH-së nuk do të njihen një sërë shërbimesh. Kështu blerja e automjeteve, shërbimet për ta apo karburantet nuk njihen si TVSH e rimbursueshme. Ato bëjnë përjashtime specifike si rastet e një biznesi për tregtim automjetesh, shërbime të automjeteve etj. Gjithsesi në çdo rast kur një biznes do të pretendojë rimbursimin e TVSH për automjeteve, përjashtuar rastet specifike, do të kërkohet një marrëveshje e posaçme ku dhe do të vërtetohet se automjete është një mjet bazë në vijimin e biznesit. Gjë që kërkon një argumentim mjaft të hollësishëm.

Arsyet

Ekspertë të qeverisë kanë paralajmëruar prej dy vitesh uljen e mëtejshme të xhiros së biznesit për efekt të llogaritjes dhe pagesës së TVSH. Një hap i tillë bëhet për të formalizuar dhe më tej ekonominë shqiptare si dhe për të eliminuar sa më shumë të jetë e mundur ekonominë e zezë. Nga ana tjetër dhe detyrimet ndaj shtetit si dhe përshtatja me normat e kërkuara prej Bashkimit Evropian kanë sjellë detyrimin për të ulur normën e xhiros së deklaruar për TVSH.

Vetëm pak vite më parë u realizua ulja e xhiros në 8 milionë lekë, gjë që fillimisht solli një tronditje të bizneseve për sa i përket rregullave të lojës, por që me kalimin e kohës gjithçka kaloi në një situatë normale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›