E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fajdet, Lefter Cenaj lë qelinë në Peqin

TIRANE-Lefter Cenaj, ish-bosi i firmës piramidale "Cenaj & Co" ka lënë qelinë e burgut të sigurisë së lartë në Peqin, duke rinisur jetën në liri. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ka ekzekutuar një vendim të gjykatës së Elbasanit, për lirimin me kusht të të dënuarit me 10 vjet burg për veprën penale të "vjedhjes me anë të mashtrimit në shuma të mëdha” të 26 mijë kreditorëve.

Ish-bosi i piramidave që tronditën Shqipërinë në vitin 1997, u arrestua në vitin 2002 në Greqi, ku u dënua nga drejtësia helene për mashtrim. Pasi përfundoi dënimin,një vit më parë Cenaj u ekstradua drejt Shqipërisë për të vuajtur dënimin e dhënë nga gjykata shqiptare.

Dy ditë më parë ai ka mundur të bindë gjykatën e Elbasanit ta lirojë me kusht, duke argumentuar se ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara nga ligji. Cenaj ka provuar se ka kryer tre të katërtat e dënimit të dhënë nga drejtësia; ka sjellje të mirë në qeli, si dhe gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë, duke provuar se qëndrimi më i gjatë në qeli do t'i sillte pasoja të rënda.

Me vendimin nr.93 datë 10 shkurt 2003, gjykata e Tiranës e cilësoi fajtor Lefter Cenajn për veprën penale të "vjedhjes me anë të mashtrimit" në vlerën financiare 5.734.415.506 lekë, për 25.537 raste.

Pjesa më e madhe e lekëve që Cenaj kishte përfituar me skemën e tij mashtruese është konfiskuar në Greqi. Shqipëria ka nisur tratativat me shtetin fqinj për t'i kthyer lekët, me qëllim që t'u shpërndahen kreditorëve.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›