E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani, rast ideal për të kaluar ngërçin e transfertave

Nga Elton Karaj 

Mesfushori Emiljano Musta beson se ekipi është në gjendje për të marrë 3-pikëshin e parë jashtë fushe

Elbasani luajti një ndeshje shumë të mirë me Himarën, ku fitoi 4-2, por në Ruzhdi Bizhuta verdheblutë nuk kanë hasur asnjëherë vështirësi dhe kanë marrë maksimumin e pikëve. Problemi thelbësor i elbasanasve mbeten transfertat, ku nuk kanë marrë ende asnjë fitore. Dhe rasti më i mirë për ta hequr mallkimin është ndeshja me Ilirinë, që në fatk do të luhet në fushë asnjanëse.

Për të qëndruar sa më pranë rivalëve dhe për të shpresuar te faza e dytë, Elbasanit i duhet patjetër të fitojë. Emiljano Musta, një nga më të mirët për këtë ekip në fitoren me Himarën, thekson se Iliria është rasti ideal për 3-pikëshin e parë jashtë fushe. Sipas tij, çdo ndeshje e mbetur e kampionatit është një finale më vete dhe verdheblutë kanë për detyre të japin gjithçka në fushë, deri në sakrificë, për të arritur në superligë.

E merituam fitoren me Himarën, por nuk duhet të kënaqemi me kaq. Të përpiqemi ta mbyllim fazën e parë me një fitore, që do të kishte vlera të shumëfishta në këtë moment, së pari sepse do të na mbante në garë për superligën. Do të ishte mirë që ta mbyllnim fazën e parë të paktën me një fitore në transfertë, ka thënë futbollisti elbasanas.

Golat Autori i golit të parë në fitoren me Himarën, Musta, synon të jetë protagonist me ekipin e tij, duke shënuar edhe gola të tjerë dhe duke luajtur sa më mirë. Jam i lumtur që shënova golin e parë me fanellën e Elbasanit, por më shumë i lumtur jam që ekipi arriti të merrte 3 pikët. Shpresoj të shënoj të tjerë gola për Elbasanin dhe të jap më të mirën, duke filluar qysh nga ndeshja e radhës.

Jam i bindur se me Ilirinë do të marrim rezultat pozitiv dhe do ta kalojmë atë ngërç psikologjik sa u takon transfertave, ka  përfunduar mesfushori Emiljano Musta. Trajneri File pritet ta nisë ndeshjen me Ilirinë me këtë formacion: Ruçi, Merxha, Sekseni, Dosti, Kaçuli, Hila, Gava, Dalipi, Kuçi, Musta dhe Galica.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›