Hysi: Me sedrën që na karakterizon edhe në Mamurras
Trajneri i Luftëtarit, Mustafa Hysi, thekson se ekipi i tij ka epërsi në shumë faktorë ndaj kundërshtarit të sotëm
Mbyllet sot faza e parë e kampinatit të 65-të kombëtar për kategorinë e parë dhe Luftëtari kryesues, me një ndeshje më pak, atë me Kukësin, që u shty, luan në transfertë me Mamurrasin. Është hera e dytë këtë fazë që Luftëtarit i shtyhet ndeshja, pasi e para i ndodhi me Elbasanin po në Gjirokastër, që e fitoi më pas. Tani gjirokastritët mendojnë vetëm për ndeshjen e sotme dhe pastaj do ti rikthehet të prapambeturës.
Ata kishin kohë për tu përgatitur, edhe pse moti ka qenë i ashpër në qytetin jugor. Furbollistët janë më se të çlodhur përderisa nuk luajtën të shtunën që shkoi, pra bateritë i kanë të ngarkuara dhe shkarkesat janë të mundshme për të arritur suksesin. Diferencën midis ekipeve e bëjnë pak lojtarë, të cilët janë jashtë serisë dhe të tillë Luftërtari ka Devollin, Norën dhe ndonjë tjetër.
Trajneri Mustafa Hysi, për ndeshjen me Mamurrasin, thotë: E kemi shumë të qartë që nesër (sot) në Mamurras do të hasim në një rezistencë të konsiderueshme të ekipit vendas. Mamurrasi nuk ka humbje në fushën e tij dhe, sikundër kuptohet, do të luftojë me të gjitha forcat për fitore. Edhe ekipi ynë do të bëj të njëjtën gjë, sepse këtë na e kërkon vazhdimisht objektivi i këtij sezoni, që ne besojmë se do ta realizojmë. Pra, besojmë se Luftëtari do të kthehet në superiore.
Për ta realizuar na duhet të humbasim sa më pak pikë dhe në radhë të parë të mos humbasim vendin e parë, që e morëm me shumë përpjekje dhe sakrifica. Kemi shumë kundërshtarë, siç i ndodh normalisht çdo kryesuesi. Në Mamurras do të luftojmë me sedrën që na karakterizon dhe besoj se nuk do të dalim pa pikë. Vetëm faktori fushë është në favor të Mamurrasit, kurse të tjerët flasin për epërsi të Luftëtarit, ndaj dhe jemi optimistë.
