Elbasani rifiton besimin e humbur gjatë fazës së parë
Verdheblutë e presin sfidën me Besëlidhjen me bindjen për fitore. Në Ruzhdi Bizhuta pritet të shtohen radhët e tifozëve këtë fundjavë
Tek Elbasani e kanë harruar fitoren në derbi, që është konsideruar vetëm nisja e ngjitjes së kësaj skuadre drejt kreut. Në stadiumin Ruzhdi Bizhuta vjen Besëlidhja, një rivale e drejtpërdrejtë dhe vetëm fitorja vlen për verdheblutë, pasi çdo rezultat tjetër do të zhvlerësonte suksesin në Gramsh. Pra, sfida e radhës tregon se sa i qëndrueshëm është ky Elbasan dhe se çfarë është në gjendje të bëjë përballë pretendentëve.
Të gjithë janë të bindur për fitore edhe në ndeshjen e radhës, nisur nga fakti që luhet në shtëpi, por kuptohet që kaq nuk mjafton. Elbasani ka shansin këtë javë të regjistrojë fitoren e tretë radhazi në kampionat dhe, nëse e bën, mund të përfitojë për ta shkurtuar diferencën e pikëve me vendin e dytë, që aktualisht mbahet nga Lushnja. Suksesi i javës së fundit e ka përmirësuar më tepër moralin në radhët e futbollistëve verdheblu, që duken edhe në formë të mirë.
Besimi Bindja për një ecuri më të mirë të Elbasanit fazën e dytë vjen së pari nga fakti se në skuadër është kthyer besimi. Pas dy fitoreve në dy ndeshjet e luajtura nga faza e dytë, elbasanasit mendojnë se e kanë në dorë vetë fatin e tyre, ndaj dhe pritet të japin më shumë në fushë, duke nisur që nga kjo fundjavë. Verdheblutë mund të futen në 5-shen kryesuese që këtë javë, gjithmonë duke mundur Besëlidhjen, ndërkohë që Besa rivale luan në fushën e Kukësit dhe mund të humbasë.
Kalendari është një tjetër element që e favorizon Elbasanin, për vetë faktin se në stadiumin Ruzhdi Bizhutado të vijnë shumica e rivalëve. Përveç Besëlidhjes, në Elbasan do të vijë Luftëtari kryesues, Lushnja dhe Besa. Për ndeshjen e kësaj të shtune futbollistët po përgatiten të vënë në vend nderin e tyre, duke iu referuar humbjes 4-0 në Lezhë fazën e parë.
Shumica e titullarëve verdheblu kanë pohuar dje se Besëlidhja nuk ka asnjë shans për të marrë pikë të shtunën, kur pritet që të shtohen edhe tifozët elbasanas në stadium. Të gjithë në qytet tani janë më optimistë për skuadrën, që ka rregulluar shumë gjëra me fitoren në Gramsh.
