Malko: Lushnja, shanse të mëdha për 3 pikë në Himarë
Trajneri i verdhejeshilëve, Saimir Malko, e ka skuadrën të plotë për transfertën e së shtunës, që cilën beson se do ta kalojë me sukses
Skuadra e Lushnjës, pas fitores të së shtunës me Vlorën në stadiumin Roza Haxhiu, me rezultatin 4-1, ka nisur javën stërvitore për ndeshjen e radhës. Fitorja e javës së 17-të ka bërë që verdhejeshilët të përfitojnë nga hapat false të kundërshtarëve dhe të marrin vendin e dytë në tabelën e renditjes, falë golaverazhit më të mirë se Kukësi dhe Besëlidhja.
Java ka nisur mjaft mirë për grupin e drejtuar nga trajneri Saimir Malko, i cili i ka të gjithë futbollistët në dispozicion këtë fundjavë. Rikthehen në formacion Byzhyti dhe Topi pas një jave skualifikim për shkak kartonësh, por edhe të dëmtuarit Sulo dhe Ruço. Për lushnjarët nuk ka dyshim që në Himarë do të luhet për të marrë tre pikët dhe se nuk lejohet hap fals, pas humbjes së dy pikëve në Mamurras.
Nuk mendojmë më për fitoren e arritur me Vlorën që prej ditës së shtunë. U kam kërkuar djemve edhe të hënën që të përqendrohen te ndeshja radhës, që e kemi në fushën e Himarës. Këtë javë skuadrën e kemi të plotë, sepse na kthehen jo vetëm ata futbollistë që ishin të skualifikuar, por edhe të dëmtuarit.
Jo vetëm kaq, pasi janë edhe shumë faktorë të tjerë, që na japin shanse për të qenë më mirë sesa kundërshtari. Përfituam nga gabimet e rivalëve dhe tani mbajmë vendin e dytë. Do të punojmë gjatë gjithë javës dhe kam besim se do tia dalim të marrim pikët e plota në Himarë.
Nuk mund të gabojmë si në Mamurras, ku lamë 2 pikë të çmuara, – ka thënë trajneri Saimir Malko për ndeshjen e radhës. Lushnja e ka vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, edhe pse mban vendin e fundit në tabelë. Kjo skuadër ka futbollistë me shumë përvojë dhe euforia nuk ka vend tek ajo.
