E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hitaj: Gramozi nuk dorëzohet aq lehtë

Nga Kristi Lilo

Numri 2 i stolit kolonjar, Sokol Hitaj, shpreson që sulmi të shpërthejë me Gramshin dhe kolonjarët të marrin 3 pikët

Ndeshjet jashtë mbeten defekti më i madh i ekipit kolonjar. Transfertat janë bërë makth për lojtarët dhe drejtuesit e Gramozit dhe për këtë problem sportdashësit fajësojnë grupin e futbollistëve, që është shumë i lehtë jashtë Ersekës. Gramozi ka vetëm një fitore jashtë, atë me Besën që në javën e pare të kampionatit. Humbja me Ilirinë i ka shqetësuar së tepërmi kolonjarët, të cilët janë lërguar përfundimisht nga pretendimet dhe rrezikojnë edhe qëndrimin në kategorinë e parë.

Vëmendja është kthyer te ndeshja me Gramshin, ndërkohë që kushtet atmosferike janë tepër të vështira këto ditë. Trajneri Qirjako është përqendruar kryesisht në veprimet tekniko-taktike në funksion të ndeshjes së fundjavës. Por futbollistët janë ndalur në dhomat e zhveshjes për të diskutuar disa probleme, që  e shqetësojnë sot ekipin, ku kryesori është loja pa rendiment e repartit të sulmit.

Dëmtimi i Ahmetajt, i afruar në merkaton e dimrit, e shqetëson jo pak stafin drejtues, që duhet ti besojë përsëri Hysollit. Për ndeshjen me Gramshin të gjithë futbollistët janë angazhuar për të dhënë më të mirën dhe për të marrë 3 pikët.

Hitaj Zëvendëstrajneri Sokol Hitaj shprehet se Gramozi duhet të fitojë medoemos të shtunën: E kemi të qartë se kemi një takim tepër të vështirë, pasi vijmë nga një humbje në transfertë, që e ka prishur moralin, pasi pretendonim pikë në Fushë-Krujë. Megjithatë, do ta vazhdojmë luftën sportive deri në fund.

E rëndësishme për ne është që ndaj Gramshit e kemi të plotë grupin, me përjashtim të sulmuesit Ahmetaj, që është i dëmtuar. Na ka sjellë probleme sulmi, duke na ndëshkuar në çdo takim me raste të shumta të humbura. Kjo ka bërë që të humbasim shumë pike, por shpresoj që të shtunën sulmi të bëjë kthesën dhe ta mbyllim me sukses këtë takim, që është vendimtar për ecurinë e ekipit, ka theksuar Hitaj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›