Partizani, të enjten përcaktohet skuadra e fazës së dytë
Ish-kapiteni i Skraparit, Durim Brata, mund të jetë pjesë e të kuqve, duke qenë një alternativë më shumë për repartin sulmues
Partizani, pas një periudhë përgatitore të gjatë, ndihet gati për fillimin e fazës së dytë të kampionatit. Gjatë kësaj periudhe përgatitore dimërore të shumtë kanë qenë futbollistët që janë afruar, apo që janë testuar. Aktualisht me të kuqtë e kryeqytetit përgatitet një numër i konsiderueshëm futbollistësh, por jo të gjithë do të jenë pjesë e skuadrës për fazën e dytë. Stafi teknik po bën llogaritë e fundit dhe të enjten përcaktohet përfundimisht grupi që do të federohet.
Këtë fakt e pohon njëri nga tre trajnerë e të kuqve, Marko Pelinxhi. Padyshim që jashtë listës do të mbeten disa futbollistë, për vetë faktin se me të kuqtë stërviten rreth 40 futbollistë. Partizani i fazës së dytë do të ketë një fytyrë ndryshe nga ajo ajo që kemi parë. Grupi është pasuruar, lojtarët me eksperiencë janë më të shumtë dhe, ndryshe nga faza e parë, aktualisht Partizani ka edhe një repart sulmues të vërtetë.
Brata mbyll tregun? Ishte menduar se tregu i Partizanit ishte e mbyllur prej ditësh, por në limite mund të ketë edhe surpriza. Demat e kuq mund të bëjnë të tyre për fazën e dytë edhe ish-kapitenin e Skraparit, Durim Brata. Sulmuesi 22-vjeçar i ka ndërprerë marrëdhëniet me Skraparin, pasi ka pasur mosmarrëveshje me stafin teknik dhe për momentin është pa ekip.
Mësohet se sulmuesi është vetafruar te Partizani dhe ka kërkuar të jetë pjesë e tij në fazën e dytë. Për drejtuesit e kuq Brata është i mirëpritur, pasi me ardhjen e tij reparti ofensiv mund të konsiderohet i kompletuar. Mësohet se ish-kapiteni i Skraparit është i gatshëm dhe ëndërron të veshë fanellën e kuqe dhe nuk ka asnjë pengesë në federimin e tij. Të enjten do të shpaloset Partizani i 2012-ës, pra nesër do të shikohet edhe situata e sulmuesit Durim Brata, i cili në këtë sezon ka shënuar 7 gola me Skraparin.
