Fraholli: Një start me fitore e ngre shumë Naftëtarin
Trajneri Barjam Fraholli kërkon nga ekipi 3 pikët në ndeshjen me Delvinën, nisur edhe nga fakti se luhet në fushë asnjanëse
Pas një faze përgatitore të ngjeshur dhe disa ndeshjeve miqësore, kuçovarët janë përqendruar tashmë te starti i fazës së dytë. Naftëtari luan në fushë asnjanëse me Delvinën dhe ka më shumë mundësi për tu kthyer me fitore. Ndeshja është vlerësuar shumë seriozisht, jo vetëm për pretendimet që kuçovarët kanë këtë sezon, por edhe për shkak të kujtimit të hidhur nga faza e parë me këtë kundërshtar, që fitoi në stadiumin Bashkim Sulejmani, duke i surprizuar vendësit.
Fraholli Trajneri i Naftëtarit, Barjam Fraholli, e pranon faktin se ekipi që drejton favorizohet nga fakti se do të luajë në fushë asnjanëse me Delvinën, por thekson se kundërshtari duhet respektuar. Ai kërkon përqendrim maksimal nga të gjithë futbollistët për të realizuar objektivin kryesor, që është fitorja. ”Jemi përgatitur seriozisht gjatë kësaj periudhe dhe tashmë kanë nisur emocionet e kampionatit.
Jemi fokusuar që në fillim të javës te ndeshja e parë e fazës së dytë, ku do të kërkojmë pa dyshim pikët maksimale. Kemi avantazhin e fushës asnjanëse, që duhet ta shfrytëzojmë patjetër. Në kushte të tjera do ta kishim më të vështirë, megjithatë nuk duhet të shfaqim shenja nënvlerësimi, sepse Delvina është një kundërshtare e fortë.
Mendoj se kemi mësuar jo pak nga humbja e fazës së parë me Delvinën në fushën tonë. Një fillimi i mirë i fazës së dytë do të na shërbente shumë për ecurinë e mëtejshme të kampionatit, kështu që duhet tia bëjmë mirë shërbimit këtij 90-minutëshi të parë të fazës së dytë. Naftëtari synon ngjitjen në kategorinë e parë dhe nuk duhet të gabojë, ka thënë trajneri i ekipit kuçovar, Barjam Fraholli.
