E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moskuptimi i demokracisë

Edhe më tutje, shumë prej nesh, nuk e kuptojnë detyrën dhe rolin e gazetarisë e publicistikës. Kjo ndodh për arsye se, në sistemin komunist shtypi ka qenë i kontrolluar prej sistemit. Si i tillë, të gjithë ata që e kanë keqpërdorur detyrën, ose që kanë bërë ndonjë veprim të keq, nuk iu kanë frikuar kurrë këtij (shtypit), sepse, duke qenë në shërbim të sistemit, ishin të paprekshëm nga gazetarët dhe publicistët. Tash, kur atë sistem mbrojtës nuk e kanë më, nuk arrijnë t‘i kuptojnë kritikat e tyre. Madje, reagojnë edhe kur ndonjë gazetar a publicist i kritikon në mënyrë përgjithësuese, pa ua përmendur as emrin dhe as mbiemrin. Se, kur i përmend me emër, nuk lënë metodë pa përdorur për ta linçuar gazetarin a publicistin që ka marrë guximin t‘i kritikojë. Logjika e të menduarit komunist i bën tejet të egër.

Hajde! Disi kuptohet kur e godet dikë me emër e mbiemër, por është tejet e pakuptueshme kur reagon dikush a disa që e kanë gjetur veten në shkrimin e ndonjë gazetari a publicisti. Kjo është tepër absurde! Në këso rastesh kemi të bëjmë me diçka më shumë se logjika e patransformuar. Pra, më shumë se logjika e të menduarit komunist. Në këso rastesh, del në pah se të tillët e kanë pasur mizën nën kësulë, e ndaj reagojnë si të tërbuar. Del në pah se e kanë gjetur veten dhe ia njohin vetes të metat. Por, në vend që t‘i përmirësojnë të metat nga kritikat përgjithësuese që iu bëjnë gazetarët a publicistët, përmes reagimit të egër, mëtojnë të hedhin gurë e baltë drejt tyre. Kështu vënë në pah fajësinë që ndjejnë... e që duan ta mbulojnë me çdo kusht e me çdo metodë. Se ata që nuk ndihen fajtorë për diçka, edhe kur i përmend me emër, nuk e marrin tragjike kritikën, për faktin se e ndiejnë veten të pastër. Edhe kur reagojnë, janë tepër të kulturuar. Më shumë reagojnë për ta paraqitur kundërargumentin për diçka që janë kritikuar, pa fyerje dhe shpifje. Veprojnë kështu, sepse i kanë të qarta rregullat e demokracisë. E kanë të qartë edhe gazetarinë dhe publicistikën demokratike. E kanë të qartë se janë pjesë e një shoqërie demokratike.

Ndërsa të gjithë ata që nuk i kuptojnë rregullat e demokracisë, gjithçka e kuptojnë si tragjike për ta. Madje, edhe kur nuk i ke përmendur fare me emër e mbiemër, por ke kritikuar ndonjë dukuri që frenon aspekte të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë sonë, ose të ndonjë partie politike etj. Nëse gazetari a publicisti ka kritikuar ndonjë veprim të dëmshëm të një segmenti partiak, arsimor etj., kjo nuk do të thotë se kritika i përfshin të gjithë ata që punojnë në këto institucione. Absolutisht nuk do të thotë as që tërë një institucion është i tillë. Absolutisht nuk do të thotë që ia ke ulur vlerat kombëtare a vlerat e tjera tërë një institucioni. Kjo do të thotë që gazetarët a publicistët kanë vënë në shënjestër të kritikës së tyre vetëm ata që i kanë stigmatizuar. Në këtë kuptim, nëse ke drejtuar gishtin kah një segmenti, një institucioni etj., nuk do të thotë që ai, i gjithi të ndihet i ofenduar. Se ata që e ndiejnë veten të pastër, nuk kanë pse të identifikohen me ata që e njohin veten se janë të tillë. Prandaj, nuk kanë pse kritikën ta bëjnë kolektive, kur ajo i drejtohet vetëm një grupi të caktuar, për veprimet e liga të të cilit gazetarët dhe publicistët janë të bindur. Kritika e gazetarëve dhe e publicistëve kështu duhet të kuptohet, e kurrsesi të përgjithësohet.

Zakonisht, zhurmën e bëjnë ata që kritika i ka goditur aty ku duhet. Ky grup, që e ka gjetur veten në kritikat e bëra nga gazetarët dhe publicistët, mundohet të manipulojë edhe me ata që nuk kanë qenë objektiv i artikull-shkruesve. Prandaj, u jep kritikave përmasën e një sulmi të rëndë, që gjoja ka prekur dinjitetin e një institucioni të tërë, për t‘i mbuluar veprimet e veta të liga. Ky është vetëm një blof i tyre, për ta përgjithësuar fajësinë që ndiejnë. Dhe zhurmën nuk e ndalin edhe shumë kohë pasi ta kenë ndjerë dhimbjen që ua ka sjellë kritika me vend. Por, zhurma e tyre mbetet vetëm zhurmë. Asgjë më shumë se kaq. Dhe, në vend të saj, do të ishte më mirë për ta që kritikat t‘i kuptojnë si një mësim që të mos e përsërisin më veprën e ligë. Në vend se ta marrin si tragjike pse janë kritikuar, duhet të përpiqen që ta përsosin vazhdimisht vetveten. Se vetëm duke i riparuar veprimet e veta, i kontribuojnë personalitetit të tyre. Dhe shoqërisë. Sa kohë që nuk do t‘i kuptojnë rregullat e demokracisë, do të jenë frenues të zhvillimit të cilido institucioni. Cilësdo parti politike. Cilësdo sferë shoqërore. Se vetes, po se po, i bëjnë dëm...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›