E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roma i mbyll derën Erjon Bogdanit

Roma refuzon Erjon Bogdanin. Edhe pse vetëm pak ditë më parë transferimi i sulmuesit shqiptar te verdhekuqtë dukej i përfunduar, në orët e fundit gjithçka ka ndryshuar. Pas konsultimit me trajnerin Luçiano Spaleti, drejtuesit e klubit të kryeqytetit italian refuzuan ofertën e Kievos për shkëmbim 6-mujor, ku Bogdani do të luante te nënkampionët e Italisë, ndërsa te veronezët do të kalonte Okaka. Gazeta sportive "Corriere dello sport" citonte: "Transferimi i sulmuesit të ri Okaka te Kievo përfundimisht nuk do të mund të realizohet. Roma ka refuzuar shkëmbimin me Bogdanin". Për sulmuesin e Kombëtares kuqezi, skuadra e Spaletit ishte alternativa më e mirë. Aty Bogdani do të luante në nivele të larta (Roma është mes 16 skuadrave që u kualifikuan nga faza e grupeve në Ligën e Kampioneve) dhe aktivizimi nuk do të mungonte. Verdhekuqtë garojnë në tre kompeticione dhe nuk kanë në kontingjent një sulmues me karakteristikat e 31-vjeçarit. Tashmë që kjo mundësi u venit, për lojtarin alternativat më të mira mbeten Bolonja e Palermo. Të dyja këto klube, që konkurrojnë për mesin e klasifikimit në Serinë A e vlerësojnë lojën e Bogdanit, por ende nuk janë interesuar zyrtarisht.

E ardhmja e Bogdanit është e pasigurt edhe për shkak të "Calciopolit" në kampionatin italian. Largimi i tij nga Kievo duket i sigurt, por destinacioni nuk është i qartë. Për të përkeqësuar situatën vetëm pak orë më parë është zyrtarizuar edhe vendimi për menaxherin e sulmuesit, Alesandro Moxhi (djali i famëkeqit Luçiano Moxhi), që u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë me një vit e dy muaj burg. Për shkak se ngjarjet kanë ndodhur përpara aprovimit të ligjit (në vitin 2006), menaxheri nuk do të shkojë pas hekurave, por impenjimi për t‘u shpallur i pafajshëm në Gjykatën e Apelit, natyrisht që nuk do t‘i lejë shumë kohë për sistemimin e Erjon Bogdanit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›