E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF hap thesin, "dhurata" dhe investime për 2009-ën

Në daljen e parë për 2009, presidenti Armand Duka ka hapur thesin e FSHF-së, duke shpërndarë para kesh për klubet dhe duke premtuar investime edhe strategji zhvillimi për futbollin shqiptar.

Dhuratat - Ai theksoi mbështetjen e tij për klubet, e cila do të jetë e dukshme jo vetëm në investimet në infrastrukturë. Ai gjithashtu konfirmoi një tjetër mbështetje financiare për klubet gjatë muajve në vazhdim. "Ne kemi marrë një vendim dhe brenda shkurtit do t‘u japim klubeve të Superligës rreth 200 mijë euro", tha Duka.

Investimet - Sipas presidentit, FSHF po synon që në vitin 2009 të kryejë disa investime të rëndësishme si në infrastrukturë ashtu edhe në projekte të tjera. "Ka nisur puna dhe synohet që të mbarojnë sa më parë 12 fushat me bar artificial, që do të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e stërvitjes. Dhe synojmë që në fillimin e edicionit të ardhshëm 2009-2010, edhe në gjashtë stadiume të Shqipërisë të ketë në dispozicion ndriçim për t‘i zhvilluar ndeshjet natën", theksoi ai.

Liga Profesioniste - Një projekt i madh i federatës për 2009 është dhe rritja e financave të klubeve. Duka deklaroi se FSHF do të luajë rolin e ndërmjetësit për shitjen e të drejtës televizive të Kampionatit, të ardhurat e të cilit do të shkojnë të gjitha në arkat e klubeve të futbollit. Por edhe strategjia e promovimit të sportit te moshat e reja dhe të fëmijët. Duka, tha gjithashtu se institucioni që ai drejton do të mbështesë projektin për krijimin e Ligës Profesioniste të Futbollit në Shqipëri, por për këtë ai mendon se më parë duhet të krijojmë situatën e favorshme në klube. Këtë ai e ilustroi me shprehjen e UEFA-s: "Para se të ndërtohet çatia, duhen bërë njëherë themelet".

FSHF-MTKRS - 2008 ishte një vit shumë i vështirë për sa u përket marrëdhënieve FSHF-MTKRS, gjë e cila çoi edhe në pezullimin e përkohshëm të Shqipërisë në aktivitetet ndërkombëtare nga FIFA e UEFA, por vitin 2009 Duka e sheh me ngjyra krejt rozë. "Marrëdhëniet me shtetin janë në një klimë të mirë. Do të bashkëpunojmë me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve për riorganizimin e klubeve", shtoi presidenti Duka, i cili hyri në vitin e tij të shtatë si numri 1 i FSHF-së.

Arrestimi - Numri një i FSHF-së nuk i është shmangur komentit për herë të parë të çështjes së arrestimit të presidentit të Elbasanit, Arben Laze. Duka u tregua diplomat në përkufizimin e kësaj ngjarjeje. "Anëtarët e federatës janë klubet dhe jo individët. Çdo individ në çdo shoqëri mund të penalizohet, por e rëndësishme është që institucionet duhet të përkrahen dhe ne e përkrahim klubin e Elbasanit. Individët mbajnë përgjegjësi individuale për veprimet e tyre", përfundoi Duka.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›