Trajneri De Biazi kërkon zbor 5-ditor për superligën
Më datën 9 janar, një selektim me futbollistët më të spikatur të kampionatit tonë, mund të zhvillojë stërvitje në urdhrat e italianit Xhani De Biazi
Trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi, shumë shpejt mund të nisë një zbor me futbollistët më të spikatur të kategorisë superiore. Në këtë grumbullim që do të zhvillohet në ditët e para të muajit janar, trajneri i ri i përfaqësueses sonë do të ketë një mundësi tepër të mirë për të krijuar një ide më të qartë lidhur me futbollistët e kampionatit shqiptar.
Listës i shtohet edhe Bicaj
Mund të ketë edhe ndryshime në listën e paraqitur paraprakisht. Të paktën të selektuar janë vetëm 4 futbollistë në repartin mbrojtës. Në këtë sektor mund të ketë ndryshime. Emri i ri që është lakuar ka qenë ai Ditmar Bicajt. Mbrojtësi i Skënderbeut ka kaluar një moment të mirë në kampionatin shqiptar, pavarësisht dënimit për një rast gjaknxehtësie në ndeshjen SkënderbeuFlamurtari.
Sigurisht nga emrat e përmendur në listë ka sadisfaksione, ndërkohë që në krahun tjetër, ata që janë jashtë saj mund të ketë pretendimet e tyre. Por kampionati ynë ka përfunduar vetëm një pjesë të tij dhe si pasojë De Biazi gjatë qendrimeve në Shqipërisë, nëse ka talente të tjera në qarkullim, normal që sdo ti shpëtojnë syrit të mprehtë të De Biazit.
Zbori, pesë ditë
Zbori do të nisë më datën 9 janar dhe do të përfundojë më 14. Pra, në një periudhë 5-ditore. Afati mund të jetë i shkurtër në dukje, por mbase i mjaftueshëm që De Biazi të kuptojë cilët janë ata futbollistë që në këndvështrimin e tij vlejnë për kombëtaren kuqezi.
Sot vendosen gjithçka
Burime pranë kombëtares bëjnë të ditur se sot do të ketë një takim midis drejtuesve të përfaqësueses sonë. Në fillim do të kontaktohen të gjitha klubet përkatëse të futbollistëve që janë brenda në listë, pasi duhet marrë ok i tyre për pjesëmarrjen e lojtarëve në zbor. Ndërkohë që më pas do të vendoset edhe vendi apo shteti në të cilin do të zhvillohen ky trajning në urdhrat e trajnerit De Biazi. Siç dihet, kombëtarja më 29 shkurt 2012 do të luajë një miqësore përballë Gjeorgjisë.
Zboret e mëparshme
Edhe trajnerët e huaj në të kaluarën e afërt të përfaqësueses sonë, Hans-Peter Brigel, Ari Han dhe Oto Bariç, kanë zhvilluar zbore të tilla. Në këto gjurmë duket se po ecën edhe De Biazi, por gjithsesi më e mira do të ishte një qendrim sa më i gjatë në Shqipëri, siç edhe bënte paraardhësi i tij, Josip Kuzhe, i cili i qëndronte pranë kampionatit shqiptar.
Lista e mundshme e Xhani De Biazit
Portierë
Orges Shehi (Skënderbeu)
Stivi Frashëri (Bylis)
Shpëtim Moçka (Flamurtari)
Mbrojtës
Tefik Osmani (Teuta)
Franc Veliu (Flamurtari)
Renato Arapi (Skënderbeu)
Dritan Smajli (Vllaznia)
Ditmar Bicaj (Skënderbeu)
Mesfushorë
Albin Dosti (Teuta)
Renato Yshmeri (Teuta)
Ansi Nika (Teuta)
Bruno Telushi (Flamurtari)
Gerhard Progni (Flamurtari)
Ndriçim Shtubina (Flamurtari)
Gentian Manuka (Kamza)
Gjergji Muzaka (Skënderbeu)
Erando Karabeci (Tirana)
Afrim Taku (Tirana)
Gilman Lika (Tirana)
Armando Vajushi (Vllaznia)
Sulmues
Mirel Çota (Teuta)
Vilfor Hysa (Flamurtari)
Bekim Bala (Tirana)
Komisioni i Apelit lë sërish -6 skuadrën e Laçit
I mbajtur sot (dje) më datën 28.12.2011, në mbledhjen e Komisionit të Apelit të FSHF-së për shqyrtimin e kërkesës ankimore drejtuar Komisionit të Apelit nga ankuesit KF Laçi kundër vendimit të Komisionit të Disiplinës së FSHF-së të datës 07.12.2011 pika 1 nënpika 2 në lidhje me zbritjen e 6 pikëve nga klasifikimi, Komisioni i Apelit, pasi u njoh me ankimin e paraqitur nga ankimuesi, dokumentacionin e paraqitur nga Sekretariati Teknik dhe pasi shqyrtoi çështjen në tërësi vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Disiplinës datë 07.12.2011 pika 1 nënpika 2. Duket se laçianët, pavarësisht ankimimit, do të vazhdojnë të vuajnë dënimin, pasi pas dënimit të Komisionit të Disiplinës, edhe ai i Apelit ka lënë në fuqi dënimet e datës 7 dhejtor 2011. Siç dihet edhe më parë, skuadra e Laçit, veç pikëve të hequra nga tabela e klasifikimit, vuan edhe largësinë e zhvillimit të ndeshjeve, pasi deri në fund të kampionatit, bardhezinjtë nuk mund të luajnë në stadiumin e tyre, por në një fushë asnjanëse dhe pa praninë e tifozëve.
Francezët, sondazh për rikthimin e Canës tek OM
Mediat franceze prej kohësh kanë nisur të lakojnë emrin e futbollistit të kombëtares shqiptare dhe Lacios në Itali, Lorik Cana. Por vetë lojtari pak ditë më parë deklaroi se nuk mund të kthehet në këto momente tek skuadra e Olimpikut të Marsejës. Por kapiteni i Shqipërisë nuk e përjashtoi mundësin e riveshjes së fanellës së OM-së në të ardhmen.
Ndërkohë, një sajt on-line të francezeve (lephoceen.fr) ka nisur një sondazh lidhur me rikthimin e Lorik Canës në radhët e Marsejës. A do të dëshironi që Lorik Cana të veshë sërish fanellën e OM-së? – është sondazhi, nga i cili votuesit kanë dhënë këto rezultate: PO 86.3%. JO 11.9%. Nuk e dimë 1.8%.
