E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elegancë dhe luftë në Tiranën e vitit 1944

 

Alma Mile

"Para se me ba vaki katastrofa e njoftun e shpërthimit të Vezuvit, ku ka hupë krejt qyteti Pompej, njerëzit tue mos ditun shka u pregatitë fati bajshin aheng si gjithmonë. E vërteta asht se zhurma e mbrëndshme e nëntokësparalajmonte diçka të jashtrendëshme, po jeta vijojshe e pandërpreme.  Ma fort kur tymi kish fillue me u avitë m'grykën e Vezuvit vijojshin me kullotë përsipër barin e gjelbër pa kujtue se nën nj'at bar të gjelbër zjen zjerrmi i një ferri të vërtetë". Kështu shkruan shkrimtari Mitrush Kuteli në vitin 1944 në "Gomarët e Vezuvit". E gjithë bota asokohe zjente vërtetë nga "zjermi", por jo i ndonjë vullkani. Lufta e Dytë Botërore kishte përfshirë gjithë Evropën, e cila po pësonte çmendurinë hitleriane. Por si kurdoherë, edhe në atë kohë, edhe në atë vit jetohej... bëhej luftë, por njerëzit vazhdonin të argëtoheshin. Botoheshin libra, por bëhej edhe modë. Botoheshin libra për Hitlerin, por edhe për komunizmin. Revistat e kohës nxirrnin modelet më të fundit të veshjeve, ngjyrat dhe stilet që rekomandonin stilistët e Milanos e Parisit. Kjo botë plot kontraste shpaloset për publikun në ekspozitën "Chic & Luftë 1944", e cila hapet sot në orën 18.00 në Bibliotekën Kombëtare.
Kjo ekspozitë përkon edhe me çlirimin e Tiranës, e cila ishte edhe qendra ku zienin pasionet politike, por edhe nga shpërndaheshin sinjalet më të fundit të modës. Ekspozita e realizuar në sallën amerikane ofron një material të jashtëzakonshëm, tepër interesat, nxjerrë nga arkivat e Bibliotekës Kombëtare. Të gjitha datojnë vitin 1944 dhe tregojnë më së miri se cila ishte situata politike, shoqërore dhe kulturore në Shqipëri e më së shumti në Tiranë. Një kombinim mes vitrinave të mbushura me livram, të cilët ruhen në gjendje shumë të mirë dhe posterave që varen anë e kënd sallës së ekspozimit. Një panoramë e gjerë e kohës krijohet përmes botimeve të shumta që datojnë këtë vit. Ato variojnë që nga librat politikë dhe propagandistikë për nazizmin, tek ata shkencorë e artistikë. Kështu disa nga botimet e kohës janë "Adolf Hitler, prijësi i Evropës së re", "Historia e Partisë Komuniste të bashkimit Sovjetik", "Revolucion i Kongresit të I-rë të gruas antifashiste shqiptare", "Këtej kaluan hordhitë gjermanike", "Leninizmi, teorik-praktik" "Parti Komuniste, parti terroriste?!". Prej botimeve me karakter politik duket hapur përhapja që po merrte ideologjia komuniste, si nuk mungon edhe propaganda pro hitleriane. Por të shumta janë edhe botimet letrare. Ndër botimet e kohës do veçonim vepra si "Bija e mallkuar", "kasollja e xha Tomit", "Pse?", "Nën hijen e Rozafës", "Aivenhoi", "Liza në botën e çudirave", "Nastradin Hoxha", "Romeo e Xhulieta", "Pinoku", "Konti i Montekristos", etj. Nuk mungojnë edhe botimet e metodave për mësimin e gjuhëve të huaja, në veçanti asaj gjermane. "Libri shqip kishte vdekur prej shumë kohe më parë. Tash e nja dy muaj ka zënë e po ngjallet. Gjatë katër vjetësh librave shqip u kish shkuar moda. Të paktë ishin ata që i lëçitnin, më të pakë ata që i shkruanin...". Kështu shkruhej në numrin 4 të organit të shtypit "Fryma", në vitin 1944. Nga kjo dëshmi e kohës kuptojmë se pavarësisht se edhe në Shqipëri luftohej, njerëzit kishin interes për të lexuar. E jo vetëm kaq, por edhe për t'u veshur, madje sipas modës së fundit, sipas modeleve që ofronin shtëpitë e modës në Milano, Romë e Paris. Këtë e dëshmojnë botimet në revistat e kohës, plot ngjyra të gjalla, apo posterat e shumtë. Ndryshe nga revistat e sotshme, ku veshjet reklamohen nga modele, aso kohe vinin më së shumti përmes skicave të realizuara nga profesionistë. Modele fustanesh, të brendshmesh, apo kapelesh. Asgjë ndryshe nga ç'na ka zënë syri në filmat që i evokohen viteve '30-'40 të shekullit të kaluar. Veshje elegante, që vinin në dukje format e trupit të femrave, ngjyra të gjalla, të kombinuara me aksesorë, si çanta, doreza, byzylykë e varëse. Në një reklamë të kohës shkruhet "Zingone vesh gjithë Romën"; "Magazinat e mëdhaja Francesco Zingone, Tiranë- Rruga Mbretnore-Tiranë; magazinat më të mëdhaja të kryeqytetit:
Robe për zonja, robe për burra, robe për fëmij, artikuj për lindje, mëndafsh, të linjta, lesh, tapiceri, fanella, valixheri". Madje duket se bisedat mbi modën dhe veshjen ishin aq të ditës, saqë shprehje të ardhura bashkë me të, ishin futur si shprehje të jetës së përditshme. E tillë është edhe fjala "chic" (shik).
Në një nga të përditshmet e kohës, në rubrikën "Çka dhe pse", autorët kanë qenë të shqetësuar për të dhënë një shpjegim të saktë të fjalës "shik" (chic): "Ndëgjojmë përdita fraza si këto: Filani ka një paraqitje shumë shik; kjo grua vishet shumë shik; kjo gjë nuk është shik. Kuptimi i tyre është ky: Filani ka një paraqitje shumë të kënaqshme; kjo grua vishet me shumë elegancë, kjo gjë nuk është e bukur, nuk është elegant, etj. Me një fjalë shik, do të thotë mënyrë e mbaruar, përsosmëni, elegancë, ose të gjitha këto bashkë. Thonë se më parë fjala përdoreshe për mjeshtrin e pikturës dhe pastaj u zgjerua në veshjen, në sjelljet etj. Origjina e fjalës duket se është frënge e prandaj shkrimi i saj origjinal është chic. Por etimologjia zyrtare e fjalës, ajo të paktën që i jep Larousse-i i shekullit XX, nuk duket bindëse. Thotë Larousse-i se chic rrjedh nga fjala la chicane. Por chicane është interpretimi dredharak i ligjeve, që bëjnë avokatët, janë pelivanllaket me të cilat avokatët mundohen t'interpre-tojnë ligjën në mënyrën q'i intereson klientit të tyre. Ky nuk ka qenë kurrë kuptimi i fjalës chic...". E shkrimi vijon me të tjera shpjegime, për t'i shkuar deri në fund e për të mos e lënë në dilemë lexuesin e vet rreth kësaj fjale shumë të përdorur. E karshi-karshi me posterat me ngjyra të modës, apo reklamave për instrumenta, pllaka gramafoni, radio e incizime, vijojnë edhe lajmet e fundit që vinin nga fronti i luftës, madje edhe fotografi të vrarësh. Është një kohë çmendurish, ku gjithsesi jetohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›