E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bjellorusia, Shpresat kërkojnë revansh



Shqipëria U-21 do të përballet sot në “Niko Dovana” (14:00) me Bjellorusinë e vendit të tretë, në ndeshjen e saj të parafundit në eliminatoret e Kampionatit Europian 2011, ndaj një kundërshtari që na ka mundur 4-2 një muaj më parë (14 tetor 2009). Shpresat vijnë në përballjen e dytë me bjellorusët me moral tË lartë pas barazimit të bukur 2-2 me Austrinë në “Qemal Stafa” (golat nga Sykaj e Roshi për Shpresat tona), pikë e marrë ndaj skuadrës që kishte triumfuar 3-1 ndaj nesh në Vjenë (9 shtator 2009). Trajneri Artan Bushati me katër “senatorë” të Kombëtares A në dispozicion, portierin Samir Ujkani, mbrojtësin Franc Veliu, mesfushorin Emiljano Vila dhe anësorin Jahmir Hyka, shpreson të arrijë fitoren e dytë në këto eliminatore pas asaj 1-0 kundër Azerbajxhanit (5 shtator 2009), skuadrës së vetme pa pikë në grupin tonë (4 ndeshje, 4 humbje). Trajneri Artan Bushati pritet të aktivizojë edhe talentin 17-vjeçar të Olimpiakosit, Vasil Shkurtaj, i grumbulluar nga tekniku shkodran dhe për ndeshjen kundër Austrisë. Ndeshja e humbur 4-2 në Bjellorusi u zhvillua në kushtet e një moti të ftohtë (ndeshja filloi gjysmë ore me vonesë për shkak të borës së dendur), por kuqezinjtë ia dolën të shënonin me sulmuesit Ahmed Januzi dhe Vilfor Hysa.
Shqipëria pas gjashtë ndeshjesh ndodhet në vendin e parafundit me 4 pikë, duke pasur në bilancin e saj: 1 fitore (me Azerbajxhanin), 1 barazim me Austrinë dhe 4 humbje (me Skocinë, 2, Austrinë dhe Bjellorusinë). Grupi 10 kryesohet nga Skocia me 12 pikë (5 ndeshje), që fitoi në ndeshjen e fundit 4-0 me Azerbajxhanin, Austria me 10 (5 ndeshje) dhe Bjellorusia me 9 (4 ndeshje). Aventura e Shqipërisë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2011 do të mbyllet me ndeshjen në transfertë ndaj Azerbajxhanit, më 4 shtator 2010.

NDESHJET E SHQIPËRISË

Shqipëri-Skoci 0-1
Skoci-Shqipëri 5-2
Shqipëri-Azerbajxhan 1-0
Austri-Shqipëri 3-1
Bjellorusi-Shqipëri 4-2
Shqipëri-Austri 2-2
Shqipëri-Bjellorusi 17.11.2009
Azerbajxhan-Shqipëri 04.09.2010

RENDITJA
Skocia 5 4 0 1 12
Austria 5 3 1 1 10
Bjellorusia 4 3 0 1 9
Shqipëria 6 1 1 4 4
Azerbajxhan 4 0 0 4 0

17 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›