E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranohet kërkesa e Shqipërisë në BE

 

ADI SHKEMBI

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian pranuan kërkesën e Shqipërisë, për të marrë statusin e vendit kandidat. Në mbledhjen e zhvilluar dje, një nga pikat e rendit të ditës ishte aplikimi i Tiranës zyrtare, i cili kishte marrë miratimin në parim pak ditë më parë nga ambasadorët e vendeve të Unionit. Në një deklaratë për shtyp në mbrëmje, Këshilli i BE-së bëri të ditur se do t’i kërkojë Komisionit të përgatisë mendimin për Shqipërinë. “Në 28 Prill 2009, Presidenti Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha dorëzuan aplikim e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Këshilli vendosi të zbatojë procedurën e përcaktuar në Artikullin 49 të Traktatit mbi Bashkimin Evropian. Rrjedhimisht, Komisioni ftohet të dorëzojë mendimin e tij. Duke iu referuar konsensusit të rikonfirmuar për zgjerimin siç përmendet dhe në konkluzionet e Këshillit Evropian të 14-15 Dhjetorit 2006, Këshilli rikonfirmon se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është BE-ja”, thuhet në deklaratën për shtyp. Por në të njëjtën kohë Këshilli vlerëson progresin e bërë nga Shqipëria përsa i përket zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, duke theksuar se performanca, në këtë drejtim është element thelbësor për Brukselin. “Rithekson se progresi i çdo vendi drejt BE-se varet nga përpjekjet individuale për të përmbushur kriteret e Kopenhagenit dhe kondicionalitetin e procesit të Stabilizim Asociimit. Duke iu referuar konkluzioneve të Këshillit të 8-9 Dhjetor 2008, nënvizohet se performanca e kënaqshme e një vendi në zbatimin e detyrimeve të MSA-së, duke përfshirë ato që lidhen me tregtinë, është një element thelbësor për BE-në për të shqyrtuar një aplikim për anëtarësim”, përfundon deklarata e Këshillit të BE-së.
Berisha
Kryeministri Berisha përshëndeti dje vendimin e Brukselit, duke e cilësuar atë si një vendim historik. “Ishte një vendim historik i vendeve të BE për të pranuar kërkesën për marrjen e statusit te kandidatit. Ishte vendimi më i rëndësishëm pas anëtarësimit në NATO. Zgjedhjet e 28 qershorit ishin prova më e madhe për të treguar përkushtimin për një demokraci dhe shoqëri të lirë. Ju siguroj zonjë se ky vendim nuk do të merrej me 16 nëntor të 2009,  as të 2010, as të 2011 në qoftë se zgjedhjet në Shqipëri nuk do të përmbushnin standardet kryesore të OSBE-së”, ka pohuar Berisha. Kreu i qeverisë ftoi sërish opozitës për të bashkëpunuar. “Unë kam komunikuar dhe do të komunikoj në mënyrë të pandërprerë jo vetëm me zotin Rama, por me çdo faktor, me çdo qytetar dhe me çdo udhëheqës të këtij vendi, privatisht dhe publikisht. Unë nuk e ndërpres komunikimin. Nuk mund të ndërpres komunikimin me një kryetar të një partie kryesore opozitare, me të cilin kam një arkiv shumë pozitiv bashkëpunimi, mos u nisni nga megafoni publik, por shikoni edhe reformat që janë promovuar dhe që janë të shumta”, ka theksuar Berisha.

Fajon: E shqetësuar që s’ka dialog në Kuvend

Eurodeputetja Tanja Fajon i bën apel klasës politike të rinisë dialogun në Kuvend. Duke folur në konferencën me temë “Regjimi pa Viza për Shqipërinë – Hapat e Fundit” përfaqësuesja e Sllovenisë në Parlamentin Evropian, tha se shpreson që kriteret të plotësohen në fillim të vitit të ardhshëm, dhe nga ai moment qytetarët shqiptarë do të mund të lëvizin pa pengesa drejt Evropës. “Unë jam shumë e shqetësuar për faktin që nuk ka një dialog në parlament, liberalizimi i vizave është një proces që kërkon bashkëpunim, duhet të bashkëpunohet që situata të shkojë në drejtimin e duhur. Vetëm në momentin kur plotësojë kriteret, dhe nëse kjo do të ndodhë në fillim të vitit që vjen, nëse kjo ndodh, natyrisht që shqipëria bëhet pjesë e një regjimi pa viza. është realiste të presim që vizat do të hiqen sa më shpejt që të jetë e mundur brenda vitit 2010” është shprehur eurodeputetja Fajon. Duke theksuar se për realizimin e procesit, nevojite një sërë procedurash, ajo shprehu angazhimin PE që ky proces të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur. Në këtë drejtim, ajo vuri në dukje se BE do procedojë menjëherë pas mbushjes së kritereve. “Për të qenë realist, nëse shqipëria i arrin kriteret, dhe jam e sigurt që do të arrihet, por nëse këto kritere në fillim të vitit që vjen realizohen procesi do të përfundojë më shpejt nga ana e BE. Besoj dhe dua të theksoj se autoritetet shqiptare duhet të kuptojnë që bëhet fjalë për një objektiv të përgjithshëm të parlamentit dhe qeverisë, shoqërisë dhe opozitës. Nga ana tjetër, kjo është një e drejtë e shqiptarë. Negociatat filluan në vitin 2008, do të thoja se puna s ka qenë shumë e thjeshtë” vijoi më tej Eurodeputetja. Sipas Fajon “ne nuk duhet të humbim më kohë për rastin e Shqipërisë, kur vendi të plotësojë kriteret që kërkohen. Unë kam ndërtuar një raport për këtë gjë, besoj se ne nuk duhet të bëjmë ndarje të reja, ndërmjet vendeve në Ballkanin Perëndimor. Unë e kuptoj mirë situatën, ngaqë vij vet nga një vend i izoluar, dhe ndoshta e kuptoj më mirë se sa persona të tjerë që vijnë nga perëndimi. Vetëm pak kilometra nga Sllovenia njerëzit flasin për mundësitë, që studentët kanë, të lëvizin dhe të shkojnë në një vend tjetër.” vijoi më tej Fajon’. Nga ana e tij ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan vlerësoi progresin e konsiderueshëm të bërë së fundmi nga Qeveria shqiptare në plotësimin e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe theksoi gjithashtu rëndësinë e vazhdimësisë së zbatimit të reformave veçanërisht, në forcimin e bashkëpunimit mes agjencive të zbatimit të ligjit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Do të duhet të plotësohen kushtet, ashtu si edhe për vendet e tjera. Janë disa çështje kryesore që duhet të merren parasysh. Pra, bashkëpunimi ndërmjet agjencive të ligjeve, prokurorisë, gjyqësorit, përdorimi i sistemeve të teknologjisë nga autoritete të ndryshme”, theksoi Lohan.

Vizat, kushtet pa u plotësuar

ADI SHKeMBI

Shqipëria ka plotësuar shumicën e kritereve të vendosura nga Komisioni Evropian për heqjen e regjimit të vizave me BE-në. Në konferencën me temë “Regjimi pa Viza për Shqipërinë – Hapat e Fundit”, “Iniciativa Evropiane për Stabilitet” (ESI) dhe Lëvizja Evropiane në Shqipëri (EMA) prezantuan një vëzhgim mbi kushtet që përmblidhen në katër blloqet e Udhërrëfyesit. Tirana zyrtare ka bërë progres në bllokun e parë që ka të bëjë me sigurinë e dokumenteve, në bllokun e dytë “migracioni i paligjshëm duke përfshirë ripranimin’ si dhe blloku i katërt “marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore” krahasuar me muajin maj, kur është bërë edhe vëzhgimi i parë. Disi më mbrapa duket blloku i tretë “Rendi publik dhe siguria” ku nga 16 kushte të vendosura nga Komisioni Evropian tetë kushte janë plotësuar, dhe tetë të tjera kanë një vlerësim mesatar. Në këtë bllok theksi vihet te strategjia për luftën kundër krimit të organizuar, strategjia për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, strategjia anti korrupsion, bashkëpunimi juridik mbi çështjet penale dhe përmirësimi i kapaciteteve speciale investigative të shërbimeve të forcimit të ligjit për të luftuar krimin ndërkufitar.
Meta
Në këtë konferencë zv.kryeministri Ilir Meta vlerëson rolin e opozitës si të pazëvendësueshëm në procesin e liberalizimit të vizave. Kreu i diplomacisë shqiptare e bëri këtë deklaratë në një konferencë ku e ftuar ishte edhe eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon. Ministri i Jashtëm bëri të ditur, se dje qeveria ka dërguar një tjetër raport në Bruksel mbi plotësimin e kritereve për heqjen e vizave, teksa i bëri sërish apel opozitës për këtë proces. Në këtë kuadër do të theksoja se Qeveria është e vendosur të bashkëpunojë me Opozitën, për vetë rolin e pazëvendësueshëm që ajo ka në proceset e integrimit evropian, shoqërinë civile, grupet e interesit, dhe çdo aktor tjetër të interesuar për mbylljen me sukses të procesit  të liberalizimit të vizave, si dhe më gjerë, në kuadër të reformave për përgatitjen e vendit për statusin kandidat”, tha Meta. Duke u ndalur në plotësimin e kritereve, kreu i ministrisë së Jashtme, tha se përsa i përket bllokut të parë të tyre, sigurisë së dokumenteve, deri në 11 janar kanë aplikuar 259 089 aplikime dhe 250.908 pasaporta të shpërndara. Lidhur me migracionin e paligjshëm, blloku i dytë i kushteve, zv.kryeministri u shpreh se është konsideruar si çështje prioritare menaxhimi i kufijve. “Në funksion të këtij qëllimi, arritje shumë të rëndësishme konsiderohen edhe instalimi i sistemit TIMS në të gjitha pikat e kalimit kufitar, lidhja e këtyre të fundit me bazën e të dhënave të Interpol, vendosja e lexuesve optikë të pasaportave biometrike, ngritja e Qendrës Operacionale Detare për kontrollin e kufirit detar dhe një numër masash të tjera që do t’ju serviren në fjalët pasardhëse”, theksoi Meta. Sipas tij si prioritet është konsideruar edhe lufta kundër diskriminimit, pjesë e bllokut të katërt, që ka të bëjë me miratimin e ligjit për martesat e homoseksualëve. “Tashmë ne jemi në hapat e fundit”, theksoi më tej ministri i jashtëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›