Elektra shqiptare emocione e duartrokitje në Butrint
E magjishme dhe ndër më të bukurat e edicionit të 11-të të festivalit ndërkombëtar teatror “Butrint 2000”. Kështu është vlerësuar prej publikut tragjedia “Elektra” e Sofokliut, e cila është ngjitur në skenë mbrëmjen e fundit të festivalit prej trupës së Teatrit Kombëtar të Tiranës. Në rolin e Elektrës luajti aktorja e shquar Luiza Xhuvani. Nën regjinë e Adonis Filipit, “Elektra” shqiptare është performuar si një shfaqje e fuqishme, të cilën e ka ndjekur me emocion dhe vëmendje publiku i teatrit të Butrintit. Reagimi i publikut gjatë shfaqjes dhe në fund të saj ishin vlerësim për maksimumin që e gjithë trupa e Teatrit kombëtar të Tiranës dha, megjithëse teknikisht nuk patën shumë mundësi që të provonin diçka ndryshe në mjediset e teatrit të Butrintit.
Tragjedia është e njohur në mesazhin se hakmarrja, vrasja e mëmësisë, atësisë apo të dashurit, sjell dhimbje dhe tmerr pa fund. Por, edhe pse vinte për të tretën herë në këtë skenë, ajo ka tingëlluar origjinale, falë përkthimit të Laert Vasilit, lojës së fuqishme të protagonistes Luiza Xhuvani (Elektra) dhe interpretimit në ansambël me të edhe të mjaft emrave të shquar të trupës së Teatrit Kombëtar, si Roza Anagnosti, Laert Vasili, Vasian Lami, Monika Lubonja, Bujar Asqeri, Ahmet Pasha dhe korit të grave.
#