Shatërvani, kallëzim penal për institucionet
Ashtu siç ishte lajmëruar, shoqëria civile ka reaguar dje për shkuljen nga vendi të shatërvanit në lulishten para Parlamentit, realizuar më 1923. Specialistë, gazetarë dhe dashamirës të trashëgimisë, të takuar në vendin e ish-shatërvanit, e kanë quajtur këtë takim, si një reagim simbolik për të gjitha shkatërrimet e dhunshme që po i bëjnë vet institucionet trashëgimisë kulturore. Shatërvani u shkul nga fadromat natën e 16 korrikut, sipas projektit të hartuar për restaurimin e rrugës së kalasë së vjetër të Tiranës dhe lulishtes së Parlamentit përmes një fondi 2 milionë euro dhënë nga Komuniteti Europian me destinacon “Mbrojtja e Trashëgimisë Kulturore”. Alban Dudushi, Aleksandër çipa, Anila Basha, Ardian Klosi, Artan Shkreli, Artan Lame, Erjon Tase, Fatos Lubonja, Filip çakuli, Rezear Xhaxhiu, Maks Velo, Mentor Kikia, Ylli Manjani, etj, kanë folur për aktin e dhunshëm që i bëhet një monumenti vetëm pak ditë pasi intelektualët mbajtën një tryezë për mbrojtjen e trashëgimisë shqiptare të rrezikuar. Aktualisht, shatërvani është vendosur në mënyrë të rastësishme në sheshin para Akademisë së Shkencave, duke i shkaktuar edhe disa dëmtime gjatë kësaj zhvendosje. Të pranishmit në këtë takim folën për një rikthim të shatërvanit brenda kontekstit t tij historik, për një studim të Institutit të Monumenteve të Kulturës e deri bë një reagim ligjor përmes kallëzimit penal nëse institucionet e trashëgimisë nuk marrin masa. Shatërvani u ndërtuar në vitin 1923, në kuadër të ndërtimit të Lulishtes Popullore. Në dokumentet e kohës përcaktohet se Lulishtja ishte 2700 m2 dhe kushtoi 8000 franga. Impianti i shatërvanit dhe baseni i tij, janë rikonstruktuar dhe restauruar disa herë gjatë historisë, veçanërisht në vitet ‘40 gjatë pushtimit italian, në vitet 50 në stilin neoklasik sovjetik dhe në vitet ‘70 kur baseni origjinal u vesh me mozaik xhami. Shatërvani bashkë me lulishten mbetën të patrazuar për gati treçerek shekulli, derisa në vitet ’90 u rrethuan me kioska.Në vitin 2000, me rastin e shpalljes së qendrës së Tiranës “Ansambël Monumental”, edhe shatërvani u vu nën mbrojtje. Në vitin 2003, në kuadër të rikuperimit dhe sistemimit të lulishtes, ai u restaurua tërësisht nga Bashkia, duke i vënë në punë edhe sistemin e ujit. Në vitin 2007 Shatërvani me propozim të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe miratim të Ministrit të Kulturës, u shpall Monument Kulture.
Fatos Lubonja: Të rikthehet shatërvaniFatos Lubonja është një ndër intelektualët që i është bashkuar reagimit të shoqërisë civile për shkuljen e shatërvanit. “Për këtë aksion që kemi organizuar sot(dje) lidhur me shatërvanin, kam dëgjuar shumë komente të tilla si: pse u kujtuan për një gjë kaq të vogël ndërkohë që në Tiranë është bërë një masakër, pse nuk kanë reaguar për sheshin “Skënderbej”, kam dëgjuar edhe komente si kjo i shërben një pale apo një tjetre.
Në këtë klimë mosbesimi të krijuar 20 vitet e fundit ndaj shoqërisë civile, ndaj mediave, ndaj intelektualëve, është normale të ngrihen këto pikëpyetje, unë do ta shikoja këtë si një pikë të vogël që mbush kupën. Ky shatërvan është vërtetë një pikë e vogël ndaj masakrës që është bërë në Shqipëri për monumentet e kulturës, por kjo ndjeshmëri e shumë njerëzve duhet parë si një këmbanë alarmi për të gjitha institucionet që kanë abuzuar me trashëgiminë. Desha ta shikoj këtë edhe si një moment që shoqëria civile shkëputet nga varësitë poltike, interesat e biznesit dhe ngre zërin. Ne kërkojmë që shatërvani të kthehet ashtu siç ka qenë dhe këtu nuk duhet kuptuar sikur objektet e monumenteve të kulturës janë një objekt që mund të bëhet i ngjashëm, ka vlerën e vet materiale, por edhe të vendit ku ka jetuar. Një monument nuk mund të kuptohet pa gjithë kontekstin historik dhe ky ku jemi është një shesh historik që duhet ruajtur siç ka qenë e jo të transformohet vazhdimisht për interesa qoftë pushteti, paraje apo paranoje të politikanëve. Ky shatërvan jo vetëm që duhet kthyer me gjithë restaurimin, por mundësisht të jetë sa më autentik, ndonëse siç shikoni edhe vet, jemi në një zonë ku kudo përreth shkatërrohen monumentet e kulturës. Shikoni tyrben në mes të një gradaçele të madhe. Ky është shkatërrimi që bëhet në shek XXI në mënyrë barbare.
Maks Velo është një nga intelektualët e interesuar vazhdimisht për trashëgminë e veçanërisht për komplekset arkitekturale ku ato gjenden. I pranishëm në takimin e mbajtur nga shoqëria civile kundër dhunimit që i është bërë shatërvanit të 1923-it, Velo shprehet se vendime të tilla cënojnë kompleksin arkitektural dhe historik të zonës. “Mua më dhembin shumë veprime të tilla. Vetëm para një muaji shkruajta për këtë zonë ku kemi kemi një farë kolazhi arkitekturash të ndryshme: italiane, me nota orientale ne godinën e Komunitetit Islamik, vazhdon me godinën e bibliotekës, projektuar nga Kristo Sotiri, Parlamentin, Pallati Mbretëror deri edhe te godina e centralit elektrik që duhet restauruar dhe duhet ruajtur. Edhe nëse ky shatërvan nuk do të ishte i kohës së Zogut, por i mëvonshëm, sërish duhet ruajtur. Nëse vazhdojmë me këtë fshirje të gjurmëve ne nuk do të kemi më histori. Në konceptin e sotëm, gjithçka që nuk na jep lek apo nuk na sjell përfitime duhet zhdukur. Nëse nuk do të ishte nxituar të shkulej e pastaj të vendosej në sheshin para Akademisë së Shkencave, ky shatërvan mund të ishte postuar apo mund të ndërtohej një shatërvan i njëjtë ku të vohej edhe një pllakë me të dhëna historike. I gjithë ky aksion për ta rivendosur sërish u bë pas reagimit të shoqërisë, sepse në të kundërt do të ishte bërë një projekt i detajuar që parashikonte zhvendosjen me kujdes. Unë nuk di të them se ku ishte e ku qëndroi ky shatërvan gjatë këtyre ditëve. Në të kundërt do të pyesja: po pjesët e tjera ku janë? Ky rast duhet të shërbejë për ndërgjegjësimin e institucioneve”.
Artan Shkreli: Reagim grotesk i institucioneveArtan Shkreli është një nga ata që i është bashkuar takimit të djeshëm në vendin ku ka qenë më parë shatërvani. Veç të tjerash ai është specialist i monumenteve dhe vite më parë ka qenë në krye të Institutit të Monumenteve të Kulturës. Duke e dënuar aktin e shkuljes së shatërvanit, Shkreli ka theksuar se “Nuk besoj që ka qenë një operacion i qëllimshëm. Rivendosja e shatërvanit ka ardhur pas panikut të shkaktuar në institucionet shtetërore dhe ka qenë një reagim i përshkallëzuar në një formë groteske. Një reagim normal do të kishte qenë më i qetë. Do të ishte dashur që specialistët të verifikonin që traseja e rrugës kalon pikërisht në këtë shatërvan e të kishin studiuar zhvendosjen e tij. Por tashmë ajo që ndodhi, ndodhi. Natën e 16 korrikut u shemb ky shatërvan nga firma që zbatonte projektin. Reagimi i mëtejshëm ishte krejtësisht i padenjë për institucionet tona. Për fat të mirë koka e shatërvanit nuk është dëmtuar, në këtë mënyrë mund të rindërtohet baseni dhe duhet rivënë shatërvani. Gjatë këtyre ditëve kemi dëgjuar komente që thonë se ka apo ska vlerë ky monument, apo se u dashka hequr edhe kabina elektrike, e vetmja që i ka mbijetuar kohës e ku në një pllakë shkruan se aty u mblodh selia e qeverisë së Nolit. Këto janë aspekte të historisë sonë. Historia nuk na ka lënë pallate mbretërore, as rezidenca perandorake, por na ka lënë gjurmë të shkëputura dhe të vogla që duhen ruajtur”. Përsa i përket dokumenteve që drejtori i IMK-së, Apollon Baçe ka treguar për heqjen një muaj më parë të shatërvanit nga lista e monumenteve të kulturës, shkreli shprehet se ”Nuk besoj që Instituti i Monumenteve do heqë dorë kollaj nga ky shatërvan, pavarësisht reagimit jodinjitoz që bëri. IMK është institucion që mund të heqë nga lista e monumenteve objekte që janë degraduar e nuk funksinojnë më ose kur mbi monumente të caktuara ka zhvillime të një infrastrukture kombëtare që kompromentojnë zhvillimet e infrastrukturës kombëtare. Të tilla gjëra bëhen gjithmonë me debat sepse nuk mund të jetë vetëm një njeri që të vendosë nëse një gjurmë e historisë tonë të hiqet ose të mbijetojë. Në këto raste transparenca është thelbësore. Nëse nuk do të ketë reagime pozitive nga institucionet, sigurisht që njerëzve do t’u duhet të ndjekin edhe rrugët ligjore. Nëse ka bonsens për ruajtjen e këtyre objekteve ne do të bashkëpunojmë me institucionet, në të kundërt do të reagojmë”.
Ylli Manjani: Po përgatisim kallëzimin penalJuristi Ylli Manjani u është bashkuar intlelektualëve që dolën dje për të thënë fjalën e tyre në mbrotje të trashëgimisë kulturore, kundër abuzimeve që janë duke u bërë me të. Bashkë me specialistë, intelektualë e dashamirës së trashëgimisë ai i është bashkuar protestës së djeshme kundër heqjes së shatërvanit të vitit 1923. “Në këtë vend ka ndodhur një vepër penale e parashikuar nga kodi penal që është shkatërrimi i trashëgimisë sonë kulturore, i trashëgimisë së këtij, kësaj shoqërie. është një vepër penale e cila dënohet mjaft rëndë. është shumë e rëndësishme që ta kuptojnë të gjithë se kodi penal e ndëshkon këtë vepër penale. Tashmë ne jemi në fazën e fundit të përpilimit të kallëzimit penal. Do të ishte e mjaftueshme që edhe në kushte normale, një ngjarje e tillë e bërë publike në mendia duhet të ishte një sinjal i mjaftueshëm për prokurorinë në mënyrë që të fillonte një çështje penale. Megjithatë ne do të çojmë kallëzimin zyrtarisht në Prokurorinë e Tiranës ku të denoncojmë këtë vepër penale. Për momentin ajo që kemi është e identifikueshme qartë: Bashkia e Tiranës është përgjegjëse që e ka konsumuar plotësisht këtë vepër penale. është institucioni që e ka patur për detyrë me ligj të ruante këtë monument. është institucioni që përfiton, që e menaxhon drejpërdrejtë, këtë pjesë të territorit, këtë projekt. Përderisa në menaxhimin e saj ka dështuar, ose me qëllim e ka shkatërruar atë (kjo mbetet ende për tu provuar nga prokuroria) ne do t’ia çojmë prokurorisë. Pastaj nëse gjatë hetimeve do të rezultojë se do të ketë edhe institucione të tjera të përfshira në këtë krim, atëherë kjo është çështje e prokurorisë, është çështje tjetër. Ne do të jemi të lumtur që kjo çështje të shkojë deri në fund. Ajo që dua të them sot është se në jemi të vendosur. është një koalicion njerëzish publik të një shoqate jo qeveritare të cilët kanë vendosur seriozisht të investohen për të ruajtur këto vlera kulturore. është shumë e rëndësishme ti ruajmë këto vlera. Sot nëpër botë investohet shumë për to dhe ne nuk e kemi luksin që në emër ta xhamave apo të pallateve të larta të harxhojmë e të shpenzojmë kohë për të diskutuar për këto çështje. Vlerat kulturore duhet ti ruajmë. Kjo është arsyeja pse ky shtet ka ligje, pse ky shtet ka prokurori e institute monumentesh, etj. Nëse nuk do të kishim nevojë për to, atëherë do të ndryshonte puna. Nëse këto institucione nuk angazhohen për këto vlera atëherë ne jemi këtu dhe jemi të vendosur që ata të mbajnë përgjegjësi sipas ligjeve të këtij shteti”.
Artan Lame: Shatërvani, simbol për të mbrojtur trashëgiminëPër Artan Lamen, shatërvani i vitit 1923, është një objekt simbol mbi atë që është duke ndodhur në përgjithësi mbi objektet e trashëgimisë kulturore shqiptare. “Ndoshta ky objekt, shatërvani historik i Tiranës nuk është objekti më domethënës i Shqipërisë, por ishte objekti që mund të tregonte më qartë se sa merak e kanë strukturat e shtetit shqiptar trashëgiminë e këtij vendi, sa është ajo në fokusin e tyre. Në shqipëri ndodhin kriza, drama e tragjedi ndoshta edhe shumë më të rënda se kjo, por nuk është aspak normale që asnjë prej institucioneve të cilat paguhen nga ne nuk lëvizi as gishtin për të ndaluar këtë krim që ndodhi këtu në sy të të gjithëve. Dhe kur ndodh një gjë e tillë në mes të Tiranës, në qendër të kryeqytetit, brenda qendrës historike të tij, merrni me mend se ç’mund të ndodhë nëpër Shqipëri. Grumbullimi i sotëm nuk ishte një miting. Ishin njerëz që kishin ardhur thjesht me një lajmërim të bërë. Një pjesë prej tyre kishin sjellë edhe fëmijët për të lajmëruar në një farë mënyrë se ky është ndoshta rasti i vetëm ku prania e fëmijëve është gjë pozitive. Nuk është pozitive të nxjerrësh fëmijët në miting politik por është pozitive të nxjerrësh fëmijët të shikojnë se si zhduket kujtesa dhe të edukohen me sensin e mbrojtjes së trashëgimisë së tyre të përbashkët. Hapat e mëtejshëm që do të bëhen pas kësaj janë: e para denoncim në prokurori për të gjetur se kush është shkaktari. Për ta gjetur atë nuk duhet të fillojë loja e ka firma fajin apo kushedi kush. Firma ka punuar sipas një projekti. Ajo që duhet të bëjë prokuroria është të gjejë se cili institucion i këtij vendi që e kemi ngarkuar ne shqiptarët të na ruajë, e ka dhënë firmën për shkatërrimin e kësaj lulishteje. Këtu nuk është vetëm çështja e shatërvanit por edhe e lulishtes e cila në mënyrë absurde po ndërtohet me beton. Hapi tjetër që vjen pas kësaj është kërkesa e bërë ndaj Komunitetit Europian që është financuesi i këtij fondi me destinacion për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore (dhe ky ëhstë një absurd tjetër). Komuniteti Europian të reagojë dhe të marrë masa që paratë e veta të mos përdoren për të shkatërruar por për të ndërtuar. E fundit është që do ti kërkohet meqënese për fat të mirë shkatërvani u shkul por ka shpëtuar, të vendoset në vendin e vet të mëparshëm. Përsëris edhe një herë se më shumë se sa për një objekt, kjo çështje duhet të kthehet në një simbol për ruajten e trashëgimisë kulturore të të gjithë shqiptarëve. Nuk është e asnjërit prej nesh por është e të gjithëve bashkë. Ky sensibilizim masiv erdhi pasi u pa se qendra e Tiranës nisi të shkatërrohej pa u pyetur njeri dhe pa marrë asnjë mendimin e opinionit publik dhe veçanërisht atë të intelektualëve. Menjëherë pas kësaj ndodhi edhe tryeza e përbashkët për trashëgiminë që u zhvillua para dy tre javësh. Ky është hapi i parë për të treguar që së bashku mund të bëjmë diçka”.
#