Kriza ka shtuar varfërinë
Kreu i Bankës Botërore, Robert Zoellick, ka thënë se rimëkëmbja ekonomike globale prej krizës është e brishtë dhe e pasigurt. Duke folur në Meksikë, ai sugjeroi se në mbarë botën kriza kishte çuar në varfëri gati mbi 60 milionë njerëz. "Parashikimi im me përafërsi është që numri i të varfërve ka shkuar mbi 50 deri në 60 milionë në shkallë globale. Në Amerikën Latine ka 10 milionë më shumë. Teksa ekonomia globale po rimëkëmbet, është ende e pasigurt dhe ka shumë brishtësi. Kjo është një prej arsyeve që ne të jemi vigjilentë për t'u përpjekur të ndihmojmë jo vetëm vendet më të varfra, por rreth 70 për qind të njerëzve që jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë në të ashtuquajturat vende me të ardhura mesatare", tha zoti Zoellick. Kreu i Bankës Botërore tha se gjatë 20 viteve të fundit ishte shënuar një përparim i rëndësishëm për reduktimin e varfërisë në Kinë, Indi, Meksikë dhe Brazil. Në Afrikën Subsahariane, shtoi ai, kishte ende probleme shumë të mëdha.
#