E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfliktet mes bizneseve, Gjykata regjistron 660 dosje tregtare në 3 muaj

Ngërçi për gjykatën Administrative mban peng bizneset

Mungesa e Gjykatës Administrative mban peng çështjet tregtare. Vetëm në 3 muajt e parë të këtij viti në Gjykatën e Tiranës janë regjistruar 660 çështje. Në objekt gjykimi dosjet kanë konfliktet mes bizneseve apo biznesit dhe shtetit. Ndërkohë që janë mbartura nga viti i shkuar rreth 1000 dosje me të njëjtin objekt gjykimi. Fatura financiare për bizneset që duhet

ti zgjidhin çështjet në gjykatë përveç kohës që kërkojnë kanë edhe një faturë të lartë financiare. Mungesa e palëve në proces apo numri i kufizuar i gjyqtarëve civilë në gjykatë bëjnë që këto çështje të zvarriten të paktën një vit në gjykatën e shkallës së parë dhe më pas disa muaj në apel. Ndërkohë që zbatimi i tyre kërkon kohë edhe në zyrat e Përmbarimit duke i kërkuar kështu një biznesi më shumë se 2 vjet kohë për të marrë të drejtën.

Gjyqet
Çështje tregtarë në Gjykatën e Tiranës zënë pjesën më të madhe të dosjeve që presin përgjigje nga gjyqësori. Burime nga gjykata bëjnë të ditur se në muajt e parë të këtij viti është regjistruar një bum padish civile, tregtare. Procedurat e hapjes së gjyqit janë të njëjta më çdo çështje civile por procesi gjyqësor kërkon më shumë kohë. Në 80 për qind të rasteve pala e paditur preferon të mos paraqitet në seancat e caktuara nga gjykata. Shqipëria është vendi i fundit në rajon që nuk ka ende gjykatën administrative, që të zgjidhë kryesisht mosmarrëveshjet mes biznesit dhe administratës shtetërore. Ngritja e një institucioni të tillë si pjesë e sistemit të Drejtësisë është dhe një nga kushtet që vendi duhet të plotësojë për anëtarësimin në BE.

Projektligji
Një projektligj për ngritjen e këtij institucioni është duke u diskutuar në komisionet e përhershme të Parlamentit në Tiranë dhe po mbështetet dhe nga komuniteti i biznesit. Mungesa e një hallke të veçantë në sistemin e Drejtësisë, që zgjidh mosmarrëveshjet mes administratës shtetërore dhe biznesit, është konsideruar si shkak për krijimin e raporteve të vështira mes tyre. Ligji Për Gjykatën Administrative në Shqipëri hyn te ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar të votave, ose 3/5 e 140 deputetëve që ka gjithsej Parlamenti. Diskutimi dhe miratimi i tij me konsensus të gjerë është vetëm një aspekt, që i hap rrugë një procesi që ka dhe etapa të tjera. Synimi është që vendi të ketë një gjykatë administrative moderne, të ngjashme me atë që kanë vendet e BE-së. Mbështetës që në fazën e hartimit të ligjit për Gjykatën Administrative janë USAID-i dhe programi i BE-së në fushën e Drejtësisë, EURALIUS. Madje përfaqësia e USAID-it në Tiranë do të asistojë dhe procesin e ngritjes konkrete të kësaj gjykate.

Ngërçi
Mungesa e gjykatës administrative në sistemin e drejtësisë, e cila do të  zgjidh mosmarrëveshjet mes administratës shtetërore dhe biznesit, konsiderohet si shkak për krijimin e raporteve të vështira mes palëve. Çështjet mes organet e tatim-taksave, doganat dhe kompanive dhe firmave në mjaft raste kanë mbeten pezull ose zvarriten për vite me radhë. Nga komuniteti i biznesit ka patur iniciativa e propozime që ashtu si në vendet BE-së, apo dhe ato fqinje të ngrihet gjykata administrative, si institucion i specializuar për çështje të tilla. Ndërkohë Konfederata e Përgjithshme e Industrive, ose siç thirret Konfindustria, që prej më shumë se një viti e gjysmë është në rolin e sensibilizuesit tek autoritetet dhe forcat kryesore politike për hartimin e ligjit përkatës.

Biznesi
Komuniteti i biznesit në vend ka këmbëngulur vazhdimisht për miratimin sa më parë të tij, duke e konsideruar projektin një mundësi për shqyrtimin në kohë dhe me efektivitet të çështjeve administrative. Mirëpo, opozita vazhdon të heshtë, duke treguar se në të vërtetë nuk vepron në interes të popullit, apo zhvillimit të biznesit, por vetëm për interesa personale. Edhe pas apelit të fundit të biznesit, nuk ka pasur asnjë reagim nga kampi i opozitës, që vazhdon të bojkotojë parlamentin, duke dëmtuar jo vetëm integrimin e vendit në Evropë, por edhe duke bllokuar një sërë ligjesh të rëndësishme që kërkojnë një numër të madh votash. Gjykata Administrative vlerësohet si një mekanizëm i efektshëm në mbrojtje të të drejtave dhe interesave ligjore të qytetarëve dhe biznesit, pasi çështjet që do të trajtojë lidhen me punësimin në institucionet shtetërore, prokurimet publike, tatimet, doganat, pensionet, regjistrimin dhe licencimin e biznesit dhe të pasurive.

Koalicioni për Gjykatën Administrative
Koalicioni në Përkrahje të Gjykatave Administrative vazhdon përpjekjet për miratimin e projektligjit për të ngritur këto gjykata. Tridhjetë e katër organizata që përfaqësojnë komunitetin e biznesit në Shqipëri dhe organizata të tjera jofitimprurëse, të organizuara në Koalicionin në Përkrahje të Gjykatave Administrative. Përfaqësues të Koalicionit theksuan se që nga mbledhja e parë e Koalicionit në shtator 2009, ata kanë organizuar tryeza të rrumbullakëta me njerëz të biznesit, të shoqërisë civile dhe të pushtetit lokal në 12 rajonet e vendit për ti informuar këto grupe mbi projektligjin për Gjykatat Administrative dhe për ti angazhuar në përpjekjet për miratimin e tij. Në të njëjtën kohë, përfaqësues të Koalicionit janë takuar me drejtuesit më të lartë të vendit, duke përfshirë Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, zëvendëskryeministrin dhe kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, si dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Të gjithë këta politikanë kanë shprehur mbështetjen e tyre për ngritjen e sistemit të Gjykatave Administrative në Shqipëri. Miratimi i projekt-ligjit për Gjykatat Administrative do ti hapë rrugën ngritjes së sistemit të këtyre gjykatave, një institucion, të cilin bizneset shqiptare e kërkojnë që prej gjashtë vjetësh. Ngritja e këtij sistemi modern gjykatash do të bëjë të mundur trajtimin në mënyrë efektive dhe të drejtë nga gjykatës të specializuar të mosmarrëveshjeve mes individëve apo organizatave dhe institucioneve publike qendrore e vendore për çështje të rëndësishme në fushën e tatimeve, regjistrimit të biznesit, licencave apo prokurimeve, si dhe mosmarrëveshjet që kanë të bëjnë me punësimin, pensionet dhe regjistrimin e pasurive.

Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›