Skandali, Vasili dhe Dashi mbajnë peng tenderin e ilaçeve prej 7 muajsh
mungesa e ilaçeve, e aparaturave dhe e higjienës, janë problemet kryesore me të cilat përballet çdo pacient në QSUT, ndërsa Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria e QSUT, jo vetëm nuk përpiqen ti zbusin këto probleme por madje ndikojnë drejtpërdrejt në thellimin e tyre. QSUT ka mungesë të thelluar të medikamenteve dhe pacientët e shtruar nëpër pavijone të ndryshme pohojnë se në recetën që lëshon mjeku përgjegjës, ndër 10 ilaçe vetëm 2-3 prej tyre u jepen nga spitali ndërsa të tjerat u rekomandohet ti blejnë nëpër farmacitë përreth QSUT. Burime të besueshme për gazetën Sot pohojnë se tenderi për ilaçet e QSUT duhej zhvilluar që në muajin shtator të 2009, por edhe pse që prej asaj kohe kanë kaluar afro 7 muaj, ky tender ka mbetur pezull, ndërsa pacientët nëpër dyert e farmacive pranë spitalit. Burimet për Sot shtojnë se ky tender nuk është zhvilluar ende pasi ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili në bashkëpunim me drejtorin e QSUT, Ilir Dashi nuk kanë gjetur ende firmën së cilës duan ti bëjnë nder. E ndërsa Vasili dhe Dashi janë në pritje të firmës që ata duan tia japin këtë tender, pacientët janë të detyruar që mungesat e ilaçeve në spital ti plotësojnë në farmacitë aty rrotull, të cilat në pjesën më të madhe janë pronë e bluzave të bardha brenda QSUT. Në spital tashmë mund të marrësh falas vetëm një aspirinë. Madje dhe atë, me raste e gjen. Asnjë ilaç tjetër nuk të jepet aty. Madje, mjekët na tregojnë dhe farmacinë në të cilën duhet ti blejmë, shprehet një i afërm i një pacienti në QSUT, i cili e sheh spitalin si një ndër fatkeqësitë më të mëdha që mund ti bjerë njeriut në jetë. Vdes aty dhe nëse nuk i paguan, mjekët nuk të prekin me dorë. Është luftë me nervat, pasi aq sa të dhëmb sëmundja, aq të dhemb dhe shërbimi tejet i dobët i mjekëve. Për para bëjnë gjithçka për të sëmurin. Nëse nuk ka para, është i humbur si më sëmundjen ashtu dhe me shërbimin, shton familjari i pacientit.
Korrupsioni tek drejtuesit, lulëzojnë farmacitë përreth spitaleve
Sa e dhimbshme, aq edhe paradoksale! Pacientët, apo të afërmit e tyre, futen në spitalin shtetëror me qeskën me ilaçe për të cilën kanë shkundur xhepat në farmacitë jashtë rrethimit të QSUT, ndërsa drejtuesit e shëndetësisë bëjnë pazare deri në miliona euro për të përzgjedhur firmën që duhet të pajisë spitalin me ilaçe, për të cilat qytetarët kontribuojnë nëpërmjet taksave që paguajnë çdo vit ndaj shtetit. Pritja e ministrit Vasili dhe drejtorit Dashi shkakton pasojë të dyfishtë. Përveç se qytetarët nuk marrin shërbimin që u takon në spitalin shtetëror, nga ana tjetër lejohet jo pa qëllim dhe lulëzimi i farmacive përreth spitalit. Shumica e këtyre farmacive u përkasin mjekëve të QSUT, të cilët përveç rrogës përfitojnë dhe nga ky biznes. Jashtë rrethimit të QSUT shihen rreth 10-20 farmaci private të cilat u shërbejnë kryesisht pacientëve të spitalit. Vetëm aty mund të plotësohet receta e pacientit. Aty ndodhen të gjitha ilaçet e mundshme. Ndërsa në QSUT, në më të shumtën e rasteve mungon dhe paracetamoli. Në farmacitë private të mjekëve, pacienti gjen shërim. Ndërsa në pavijon, pacienti gjen indiferencë e në jo pak raste dhe arrogancë. E ndërsa Vasili dhe Dashi mendohen se kujt do tia japin tenderin, QSUT dhe pacientët duhet të vuajnë mungesën e ilaçeve, një problem tash i kthyer në gangrenë për shkak të korrupsionit dhe mafias që vepron nën petkun e bluzave të bardha.