Eliminohet Nadal

Numri 1 në botë i tenisit, Rafael Nadal, është eliminuar nga turneu i madh i tenisit, Australian Open. Tenisti spanjoll u mposht në çerekfinale nga bashkëkombësi i tij, David Ferrer, 3-0 në sete, 6-4, 6-2, 6-3.
24 vjeçari Nadal ishte i lënduar në këmbë dhe pas gemit të tretë kërkoi një kontroll mjekësor. Madje, ai ishte edhe me grip, pasi vërehej një lodhje në sytë e tij.
Në anën tjetër, kundërshtari e shfrytëzoi mjaft mirë këtë mangësi të Nadal, duke fituar pa mund të madh. “Kjo është një fitore e madhe për mua, por nuk është fitore reale”, tha Ferrer, duke iu referuar lëndimit të tenistit nga Mallorca.
Kështu, ëndrra e Nadal që të bëhej tenisti i tretë në histori të këtij sporti që i fiton katër turnetë e mëdhenj, Grand Slam rresht (pas Wimbledon, Roland Garros e US Open), mori fund të mërkurën.
Edhe një vit më parë, Nadal ishte ndalur në çerekfinale, pas një lëndimi që e kishte pësuar në përballje me Andy Murray. Ishte pikërisht skocezi, Murray, i cili u kualifikua në gjysmëfinale, pasi të mërkurën e mposhti ukrainasin Alexandr Dolgopolov, 3-1 në sete, 7-5 6-3 6-7, 6-3.
“Ishte mjaft meç i fortë. Çdo pikë ndaj tij ishte e vlefshme. Ai godiste topin si askush tjetër. Kam pasur vështirësi që t’i përshtatem këtij ritmi të lojës”, tha Murray.
Në gjysmëfinale, Murray do të përballet me David Ferrer, kurse Roger Federer me Novak Djokovic, të enjten.
Në konkurrencën e fermave, belgia Kim Clijsters e siguroi një biletë për në gjysmëfinale pasi e mposhti polaken Agnieszka Radwanska 2-0 në sete, 6-3, 7-6. “Jam në gjysmëfinale por nuk po ndiej se jam duke e shfaqur lojën time më të mirë. Jam paksa e lëkundur, por po punoj fort për t’i fituar ndeshjet”, tha Clijsters.
Ndërsa, në mesin e katër më të mirave u kualifikua edhe rusia Vera Zvonareva, e cila në çerekfinale ishte më e mirë se çekja, Petra Kvitova, të cilën e eliminoi pa mund të madh, 6-2, 6-4. “Më duhej të isha agresive. Ajo është agresive, kështu që duhej t’i përshtatesha lojës së saj. Nuk duhet të qëndrosh vetëm duke u mbrojtur ndaj goditjeve të saj. Unë po luftoja për çdo pikë”, tha Zvonareva.
Në gjysmëfinale, të enjten, Clijsters do të ketë punë pikërisht me Zvonarevan, kurse Wozniacki do t’i mat forcat me Na Li.
Meshkujt
Murray – Dolgopolov 7-5, 6-3, 6-7, 6-3
Ferrer – Nadal 6-4, 6-2, 6-3
Femrat
Zvonareva – Kvitova 6-2, 6-4
Clijsters – Radwanska 6-3, 7-6