E Shtunë, 31 Tetor 2026

GENTI I ABISSNET: Interneti te shqiptarët po zëvendëson vizat...

 

Me Gent Bajraktarin drejtuesin e ISP-së më të madhe shqiptare. Jeta e panjohur e një menaxheri biznesi, një histori suksesi nga ato që i rrinë larg medias komerciale..

Është bërë një zakon i keq që faqet e revistave e të gazetave mbushen shpesh me të njëjtat fytyra që zakonisht flasin shumë pa thënë asgjë.. Por që sidoqoftë janë fytyra pak a shumë të njohuras nga publiku. Ndaj lexuesi ndoshta nuk është mësuar me personazhe të këtij profili..

Kështu që e kemi të nevojshme që fillimisht të pyesim, kush është Genti?

Genti është 29 vjeç, inxhinier në fushën e telekomunikacionit, dhe punon aktualisht si drejtor teknik i kompanise Abissnet, një nga ISP-të më të mëdha në Shqipëri. Këtë vit në datën 1 Janar jeta ime dhe e bashkeshortes time Klodiana u mbush me gëzim nga vajza jonë tashmë 6 muajshe Bora. I diplomuar si inxh. Elektronik në fushën e telekomunikacionit kam punuar në disa kompani private në Shqipëri e më vonë në Angli gjithmonë në kompani telekomunikacioni.

Punoj tashmë prej 2 vjetësh si drejtues në kompaninë Abissnet, një projekt që e ndjek me dëshirë dhe përkushtim të madh. Është një punë që më ha pjesën më të madhe të ditës, por kam ndërkohë një familje të mrekullueshme që më mbështet dhe më ndihmon dhe është shpeshherë pranë meje në çastet e vështira.

Ju jeni në krye të një prej kompanive më të mëdha të biznesit.. Çfarë do të thotë të jesh i tillë në Shqipëri? Është e vështirë, e lehtë?

Të jesh në krye të një kompanie me këtë profil është e vështirë sepse teknologjia në këtë fushë zhvillohet shumë shpejt dhe duhet të jesh gjithmonë në një ritëm me të që të jesh i suksesshëm. Të jesh në një kompani me këtë profil në Shqipëri është akoma më e vështirë sepse nuk përballesh vetëm me sfidën teknologjike, por me problemet e mëdha në infrastrukturë, energji, treg të pa rregulluar ende dhe mungesë të madhe specialistësh sidomos në këtë fushë.

Si është një ditë e zakonshme e jetës së një menaxheri të një ndërmarrje të madhe?

Një ditë e zakonshme është e mbushur me ngjarje biznesi, takime pune, zgjidhje problematikash dhe gjithmonë e shoqëruar me një laptop, PDA dhe lidhje të shpejtë interneti. Tashmë komunikimi online është bërë pjesë e konsiderueshme e punës dhe mundëson që të lidhemi shpejt dhe lirë me gjithë partnerët tanë kudo në botë duke bërë të mundur të kryejme produkte dhe zgjidhje të mira. Është një dite e gjatë pa kufij kohor, puna vazhdon derisa ajo të jetë e mbaruar dhe e raportuar sukseshëm. Stafi në kompaninë tone është rritur shumë , brenda 2 vjetësh nga një staf prej me pak së 20 veta kemi arritur mbi 150 veta, dhe është një staf shume i ri në moshë ndaj një kohë e madhe e kësaj dite i kushtohet menaxhimit të tij.

I përkisni atyre menaxherëve që janë shkolluar jashtë Shqipërisë?

Po, jam shkolluar në Turqi në Ankara. Mbasi mbarova studimet në kolegjin Turk “Mehmet Akif” në Tirane fitova të drejtën e studimit në universitetin e Hacettpe në Ankara, ku u diplomova si Bachelor në degën Electrical & Electronics Engineering profilizimi telekomunikacion. Ishte një universitet publik në gjuhën angleze dhe pata shansin të mësoj nga profesorë, të gjithë të diplomuar në universitete amerikane, të cilët kishin sjellë në universitet një frymë dhe procedura shumë efikase të perëndimit. Shkollimi ishte shumë i rendësishëm dhe krijoi themelet. Më vonë eksperienca ishte ajo që e rriti profesionin tim më tutje.

A është Shqipëria një vend i mirë për studentë të diplomuar jashtë?

Mendoj që Shqiperia është një vend shume i mire për student të sapodiplomuar. Shqipëria është vend akoma në zhvillim dhe të jep mundësi që të marresh pjese në projekte të mëdha që nga fillimi deri në fund. Ndërkohë në vende të tjera të zhvilluara shumë funksione, procedura dhe projekte janë maturuar dhe të jepen mundësi shumë të vogla ose shumë specifike. Ndërkohë në Shqiperi ti ke shansin të fillosh projektet nga fillimi, të prekesh me dorë çdo detaj dhe të zhvillosh vetë shumë aspekte të tij. Gjithashtu studentët që janë jashte mund të sjellin këtu kulturën e të punuarit në vendet ku ata kanë studiuar si dhe eksperiencen që ato kanë patur në shkollë apo në projektet part-time.

Biznesi në Shqipëri vihet vazhdimisht në vështirësi nga një klasë politike që mesa duket pak është e interesuar për dobitë sociale që sjell zhvillimi i biznesit.. Protestat zyrtare të biznesit dhe proceset gjyqësore janë shtuar

Interesat reale të shumicës përfaqësuese të kësaj klase politike, shihen qartë nga sondazhet e përvitshme të korrupsionit..

Si menaxher biznesi, si e gjykoni këtë marrëdhenie kaq anormale mes biznesit e politikës në Shqipëri?

Gjatë gjithë kohës që kam punuar në Shqipëri kam punuar në sektorin privat, asnjëherë në institucione publike, dhe qeverite që kanë ikur e ardhur nuk kam mundur ti shoh asnjëherë si partner të projekteve që kemi zhvilluar. Gjithmonë na është dashur që bizneset ti zhvillojmë vetë, të luftojmë një rrugë shumë të ashpër me probleme që nuk na takojnë aspak dhe në të njejten kohë të mbrohemi nga zyrtarë dhe politikanë të papërgjegjshëm dhe pa vizione për të ardhmen e këtij vendi.

Abissnet prsh i është dashur të luftojë me ERT për të marre të drejtën e licensimit për vite me rradhe me një kosto shumë të lartë frenimi të zhvillimit, është gjobitur nga ERT sepse ka guxuar të testojë një teknologji moderne që do të sillte çmime telefonike shumë të lira për konusmatorin shqiptar. Abissnet nuk ka mundur të marrë asnjë shërbim nga Albtelecom që deri para ca kohësh, derisa të privatizohej ishte vegël politike dhe përdorej më shumë për të gjetur vende pune për njerez të pakualfikuar. Abissnet detyrohet të paguaje investime deri në 400 mijë dollare për bateri, invertera dhe gjeneratorë sepse KESH nuk arrin të furnizojë me energji të pandërprere pikat tona të shpërndarjes së internetit dhe sherbimeve të tjera dhe shumë e shumë probleme të tilla si këto.

E ndjeni ju në ndermarrjen që drejtoni frustimin që vjen nga kjo marredhenie?

Mund të them së tani jemi mësuar me këtë marredhenie dhe frustimi është kthyer rutinë dhe më vonë është bërë një forcë që të punojmë dhe të bëjmë projekte alternative të pavarura. Abissnet sot operon në një rrjet të pavaruar dhe alternativ nga ai i Albtelecom si në backbone ashtu dhe në rrjetin e aksesit. Pra nga një anë duket së kjo marrëdhënie e keqe megjithëse në kohën afatshkurter na ka sjellë shumë probleme dhe stres, e gjykuar në një proces më afatgjatë na ka sjellë shumë të mira. Sot gëzojmë një eksperiencë shumë të madhe, gezojme pavarsi totale me gati 3 linke internacionale të pavaruara nga operatorë të tjerë. Me një rrjet backbone me shtrirje të madhe në Shqipëri dhe me një rrjet aksesi me mbi 20 mijë linja bakri plotësisht të pavarura dhe prone e Abissnet.

Abissnet çfarë përfaqëson në tregun shqiptar?

Abissnet është operatori alternativ i shërbimeve me bandë të gjerë në Shqipëri, është një telekom i gjenerates së re, një mundësi tjetër, në fakt mundësia më e mirë për të marrë shërbime të reja, shërbime cilësore me kapacitete si kudo në Europë, me çmime më të mira së ato në Europe. Abissnet sot jep sherbimin e internetit ADSL2+ me kapacitete deri në 2Mbps duke filluar nga 9.95Euro në muaj, një cilësi dhe cmim i padiskutueshëm dhe i pa konkurrueshëm nga operatorët e tjerë në Shqipëri dhe në rajon.

Interneti po ndryshon botën dhe thuajse të gjitha konjukturat e komunikimit social.. A janë shqiptarët gati për të perfituar nga një mundësi e tillë?

Mendoj së po, biles është gjëja që po na ndihmon më shumë. Në dallim me liberalizimin e vizave interneti na ka dhënë “virtual card“ për të hyrë kudo në botë. Jo vetëm bizneset që nuk bëjnë dot më pa internetin por edhe familjarët kanë filluar të ndiejnë nevojën e internetit për tu informuar më shumë, për tu lidhur me të afërmit dhe për të komunikuar më lirë. Si Abissnet po punojmë shumë që kjo të ndodhë, që penetrimi i interntit të rritet. Jo vetëm që po japim oferta cilësore interneti por jemi duke ofruar dhe kompjutera të bashkuara me paketa interneti nën markën Combo ç`ka shpresojmë së do tu japë mundësinë dhe atyre klientëve familjarë që nuk kanë PC; të arrijnë të marrin në një dyqan dhe PC dhe internetin me çmimin më të mirë të mundshëm pasi për ne nuk është asapk biznes shitja e kompjuterave, por përkundrazi pajisja në masë e përdorueseve shqiptare me mjete që mundësojnë konsumin e internetit.

Ka Genti një këshillë, një mësim nga eksperienca e vet, që mund t`ua japë atyre të rinjve shqiptarë që aspirojnë të jenë menaxherë biznesesh?

Këshilla ime është që të kene durim, të punojnë shumë dhe të bëjnë zgjedhjen e duhur në momentin e duhur. Jeta është bërë shumë e shpejtë, shumë e shtrenjtë dhe të rinjtë mundohen dhe stresohen që ti arrijnë disa gjëra shpejt. Por çdo gjë merr rrjedhën e saj natyrale, nuk mund të forcohet, nuk mund të diktohet. Me durim dhe me punë efektive duhet të bëhesh pjesë e kësaj rrjedhe për të arritur atje ku kërkon.

PYETSORI I PRUSTIT

”Hera e fundit që u përlota? Kur lindi Bora në 1 janar..”

Çfarë është lumturia absolute për ju?

Lumturia absolute do ishte kur të gjithë njerëzit në botë të ishin të lumtur, besoj vetëm në parajsë

Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?

Vajza ime Bora

Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?

Dje ne darke me vajzen time. Mundohej të belbëzonte fjalën babi.

Tipari kryesor i karakterit tuaj?

I qetë.

Defekti juaj kryesor?

Pak i ftohtë me njerëzit që nuk kam konfidencë.

Ndaj cilave gabime jeni më tolerantë?

Gabimeve teknike.

Hera e fundit që u përlotët?

Kur lindi Bora në 1 Janar.

Me cilat personalitete historike identifikoheni më shumë?

Nuk e di, mbasi me mbretin Gent

Udhëtimi juaj i preferuar?

Me makine brenda Shqipërisë kudo që të jetë, i urrej avionët.

Shkrimtarët tuaj më të dashur?

Edgar Allan Poe

Cilin virtyt vlerësoni më shumë tek një burrë?

Ndershmërinë dhe besimin.

Tek një grua?

Ndershmërinë dhe besimin.

Kompozitori juaj i preferuar?

Nuk jam shumë i dhënë mbas muzikës por Shpëtim Saraçin e njoh familjarisht dhe e vlerësoj.

Kënga që fërshëlleni kur bëni dush?

Nuk fërshëllej

Filmi që ju la mbresë të thellë?

Matrix

Piktori juaj i dashur?

Nuk kam.

Ngjyra juaj e preferuar?

Jeshile.

Kë konsideroni si suksesin tuaj më tëmadh?

Eksperiencen time.

Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?.

Kur zgjedh rrugën e gabuar në trafik

Çfarë urreni më shumë në këtë botë?

Dhunën.

Frika juaj më e madhe?

Avionët.

Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?

Vetëm gënjeshtra të bardha, për mirë

Cila është motoja juaj?

Puno për të jetuar më mirë, jeto për të bërë mirë.

Si do të dëshironit të vdisnit?

I qetë dhe i falur, pa borxhe nga kjo botë.

Po të ndodhte të takonit Zotin, çfarë do t’i thoshit?

Të më falte.

Në çfarë gjendje shpirtërore gjendeni kohët e fundit?

Të qetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›