E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elisa Spiropali e “MJAFT!”-it: “Pse firmosëm për referendumin për Kushtetutën”

Drejtorja e Politikave në Lëvizjen “MJAFT!”: “Ndryshimet kushtetuese janë të rrezikshme”

Një ndër emrat surprizë që nënshkruan kërkesën për referendumin në mbrojtjen e Kushtetutës ka qenë ajo e Elisa Spiropalit, e cila e ka nënshkruar këtë kërkesë në emër të lëvizjes “MJAFT!”.
Elisa Spiropali, drejtore e Politikave në këtë Lëvizje, thekson se firma për të kërkuar referendum është shprehje e qëndrimit të vazhdueshëm që lëvizja “MJAFT!” ka pasur kundër ndryshimeve të Kushtetutës, sepse ato përbëjnë rrezik për demokracinë shqiptare.
Në një intervistë për gazetën “Albania”, Spiropali thekson se ajo dhe lëvizja “MJAFT!” nuk do të ngurrojnë të mbështesin dhe të inkurajojnë çdo gjë që është në të mirë dhe në shërbim të Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë.

Elisa, para disa ditësh pamë firmën tuaj në kërkesën për referendum, iniciuar nga Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës. Pse?
Po aq të ndryshme sa janë ndaj njëra-tjetrës diktatura dhe demokracia, janë të ndryshme edhe mjetet respektive që ato përdorin. Mjetet e diktaturës, gjatë përdorimit, me kalimin e kohës dëmtohen, rrënohen, ndryshken, derisa vjen momenti që edhe mjetet, edhe diktatura, e cila pa mjete nuk mund të mbahet, shkojnë në greminë. Mjetet e demokracisë, përkundrazi, me kalimin e kohës, veçse rinohen, kaliten, forcohen. Firma mbi një dokument kaq të rëndësishëm që kërkon referendum popullor, si një injeksion paksa i dhimbshëm, por i domosdoshëm, është një mjet demokratik i pazëvendësueshëm. Kam vënë re që firma ime në emër të “MJAFT”-it në kërkesën për referendum ka bërë përshtypje. Por nuk ka asgjë për t’u çuditur apo alarmuar. “MJAFT”-i i ka refuzuar ndryshimet në Kushtetutë ende pa u votuar ato, me arsyetimin se këto ndryshime janë jashtë çdo dyshimi, të tilla që forcojnë në mënyrë dhe masë të panevojshme, madje të rrezikshme, kryeministrin, në dëm të të gjitha institucioneve të tjera. Merret me mend sa të dëmshme do të jenë efektet e një veprimi të tillë të nxituar po të konsiderosh në cilën kohë po bëhen, në ç'mënyrë dhe me votat e cilit parlament me përfaqësim katastrofik.
Është tejet e trishtueshme të dyshosh në një firmë të vënë me vullnet të plotë. Të mos besosh në mjetet e demokracisë është krejt njëlloj si të mos besosh në vetë demokracinë. Vetë rruga e përsosjes së një demokracie është shtimi i besimit dhe përdorimi sa më i shpeshtë i mjeteve të saj, në këtë rast referendumit popullor. Për më tepër që nuk bëhet fjalë për ndonjë gjë dosido, por për themelin e të gjithave, Kushtetutën. Jo një komitet shqiptarësh që po e po, por edhe një kongres djajsh apo asamble shtrigash të më ftojnë të vë ndonjë firmë për të mirën e Shqipërisë, atë firmë do ta vë. Nëse ndonjë ditë nuk do të vë firmë për ndonjë gjë që jam e bindur, ai vend bosh, në atë copë letër të bardhë, do të jetë ftesa që të nesërmen të vini në funeralin e idealit tim. Po firmë për një kërkesë të arsyeshme ndaj rrezikut të rritjes së autoritarizmit ishte, o burrë i dheut, nuk ishte firmë, as për bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit, as për shpërthimin e Gërdecit.
“MJAFT”-i është parë shpesh në protestat e banorëve të Gërdecit. Gjithashtu ka prezantuar një nismë për të mbrojtur ligjërisht banorët e Gërdecit. Cilat mendoni ju janë problemet më të mëdha me dosjen “Gërdeci”?
Së pari duhet të kihet parasysh se ndodhemi përpara rrezikut kriminal që Gërdeci të harrohet. Pushteti i ka dhënë të gjitha shenjat se ngjarjen po do ta arkivojë. Premtimet kryeministrore për superrehabilitim po pasohen nga ngathtësi dhe mungesë kriminale vullneti me pasojë vlerësim minimal, zhdëmtim të pamjaftueshëm dhe humbje shprese. Prova janë qindra të pastrehët të cilët pushteti tinëzisht dhe me burracakëri po i flak nga banesat provizore për t'ua lëshuar ato banesa burokratëve për pushime verore. “MJAFT”-i i ka organizuar dhe mbështetur viktimat duke i ndihmuar ata në organizimin e protestave ndaj këtij zinxhiri padrejtësish që rrezikon shuarjen e çështjes si problem kolektiv. S'ka gjë më të natyrshme se “MJAFT”-i t’u dalë në krah dhe t'i ndihmojë sa mundet jo vetëm viktimat e Gërdecit, por edhe minatorët e Bulqizës, dhe të tjerë shqiptarë viktima të paaftësisë ekstreme dhe panginjes së pushtetit. Sepse “MJAFT”-i prandaj ekziston. Çfarë prisni, që “MJAFT”-i të shqetësohet për llojet e biftekëve dhe picave të restoranteve të Tiranës, lexohen a s'lexohen gazetat e pushtetit, vajti a s'vajti mirë ceremonia e përurimit të rrugës së Goricës?!
Po, “MJAFT”-i ka nisur një proces civil ndaj fajtorëve të tragjedisë së Gërdecit. Ja konturet e iniciativës së mbrojtjes ligjore që po bëjmë; lëvizja “MJAFT”, e cila përfaqëson ligjërisht familjarët e viktimave, po përgatit procedurat për padi civile për hedhjen në gjyq të fajtorëve, institucione dhe individë, të cilët, përmes veprimit apo mosveprimit, kanë shkaktuar humbje jetësh, shkelje të dinjitetit njerëzor, dëme psikologjike dhe dëme materiale në masë. Gjithashtu, familjarët e viktimave dhe “MJAFT”-i do të jenë pjesë e procesit penal si palë me Prokurorinë për të kërkuar hetim më të thellë, insistim për heqje imunitetesh, thirrje dëshmitarësh, paraqitje ekspertësh etj. “MJAFT”-i do të bëjë preson publik edhe përmes organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në mënyrë që më së fundi të jepet një shembull, apo të vendoset një precedent, që jeta dhe dinjiteti njerëzor në Shqipëri nuk mund të nëpërkëmben dhe krimet shtetërore kurrsesi të mos harrohen.
Më tepër nuk mund të themi. Sepse janë shumë e shumë punë dhe hollësira me të cilat “MJAFT”-i po merret gjithë kohën. Por ne nuk i numërojmë hollësisht punët, vështirësitë, plagët, sepse është e pamundur, dhe do të ishte mburrje, çka e refuzojmë.
Një nga qëllimet themelore të lëvizjes “MJAFT” është shkundja e apatisë qytetare. Megjithatë, në Shqipëri duket se ndërgjegjësimi dhe rezistenca janë më larg se kurrë. A dëshpërohet “MJAFT”-i?
Jo, as dëshpërohet, as lumturohet, as frikësohet. “MJAFT”-i reagon. “MJAFT”-i punon. Shqiptarët nuk janë apatikë. Ata duken të tillë po t'i shohësh nga salla e Parlamentit, zyrat e disa partive, “Rogneri”, “Sheratoni”. Shqiptarët janë pafundësisht dinamikë. Problemi është që dinamizmi i tyre të disiplinohet përmes qeverisjes së mirë, të orientohet drejt punës, produktit, rendimentit, në mënyrë që lodhjet e tyre të mos shkojnë kot. “MJAFT”-i po përballet me këtë sfidë. Sfida me shqiptarët e sertë kërkon para së gjithash njohje nga afër, qarje halli, dhembshuri, sinqeritet, seriozitet, dituri dhe, mbi të gjitha, dashuri. Ne këto cilësi i kemi dhe po i përdorim. Dhe hiç ndërmend s'e kemi të ndalemi. Është shumë më tepër për të qarë se për të qeshur kur sheh se si pushteti i sotëm, i cili për fat të keq nuk ka asnjë prej këtyre cilësive, rreh ta marrë kështjellën e simpatisë së shqiptarëve me inaugurime punësh që kryhen me paratë e taksapaguesve. Kjo është krejt njëlloj sikur t'i shkosh dikujt që sapo ka blerë me paratë e veta një kostum në një dyqan, t'ia marrësh kostumin nga duart dhe t'ia japësh prapë duke i thënë: “Merre, e ke dhuratë nga unë. Kur të vijnë zgjedhjet më falëndero duke më votuar”.
“MJAFT”-i është një organizëm civil. Megjithatë, siç e shoh unë, në thelb të tij qëndron aksioni politik. ǒmendim keni ju për politikën?
Asgjë dhe askush në shtetin demokratik nuk mund të qëndrojë jashtë politikës; pushteti, sigurisht, dhe po aq sigurisht reagimi ndaj pushtetit. Edhe “MJAFT”-i marrëdhënie me politikën ka. Por nga jashtë, në distancë. Sepse ne, mes përpjekjesh të pandalshme për përsosjen e vetvetes, politikën nuk e bëjmë, e monitorojmë, e kërcënojmë, i tregojmë kufijtë, të punojë duke u përmbajtur, jo duke invaduar jetët e njerëzve, me synimin që pak nga pak të jetë ashtu siç duhet të jetë; frymëzuese e shpresës, ndërtuese e perspektivave të qarta, në fund të fundit, inxhinierja e ndërtimit të fateve njerëzorë.
Po "Lideri i Ri", ai të cilit ju para pak kohësh i keni dedikuar një shkrim të tërë?
"Lideri i Ri", ai i madhërishmi, i shumëprituri që po pyesni ju, ai sipas Migjenit; "Pa zemër, pa ndjenja, syt' e tij rrufena", po duket, po vjen, por ende s'ka mbërritur. Do t'i ketë dalë rrugës ndonjë vështirësi tranzicionale. Kur të arrij do ta pyes dhe do të them”.
Cili është vizioni dhe qëllimi i “MJAFT”-it të ri për të ardhmen? Ku doni të arrini?

Mund të duket e pabesueshme në këto kohë të turbullta dhe të shurdhëta kur po dëgjohen ulwrima çakejsh; “MJAFT”-i nuk ka vizion për veten. Nuk na duhet vizioni i vetes. Për veten kemi punën. Vizionin e kemi për Shqipërinë.

2 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›