E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodranët kundër Topallit

Dy përfaqësues të së djathtës në Kuvend nuk pajtohen me vendimet e fundit të kryekuvendares. Ndoka dhe Bakalli: Kryetarja ka shkelur rregulloren.

Ndërsa mazhoranca ka dalë në shumicë në mbështetje të kryeparlamentares Jozefina Topalli, për çështjen e shqyrtimit të dekreteve të presidentit, kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka një mendim ndryshe. Sipas Ndokës, kryeparlamentarja ka shkelur rregulloren e Parlamentit me vonesën e dhënies së një vendimi për sa u përket pesë kandidaturave të dekretuara nga presidenti për Gjykatën e Lartë. I pyetur sesi do të votonte PDK-ja në rast se në Parlament paraqitej nisma e opozitës për mocion mosbesimi, Ndoka nuk preferon të nxitohet, ndërsa thotë se është ende herët për të marrë një vendim për një nismë të tillë. Vetë Ndoka thotë se kryetarja Topalli i ka tejkaluar afatet kohore për dekretet e presidentit. Sipas tij, rregullorja e ka të përcaktuar qartë, që ato futen me procedurë të përshpejtuar për diskutim në Parlament. “Duhet më tepër respekt ndaj institucionit të presidentit. Kryetarja e Parlamentit është vetëm një spikere dhe nuk ka autoritetin e pengimeve të dekreteve të presidentit”, deklaron Ndoka për “Korrierin”. I pyetur nëse takimi enigmatik mes tij dhe presidentit Topi kishin lidhje me “krisjen” e krijuar me kryeparlamentaren Topalli, Ndoka nuk preferon sërish të japë detaje, ndërsa thotë se “nuk është aq e rëndësishme kryetarja e Parlamentit që unë të diskutoj për të me presidentin”. Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, e ka akuzuar vazhdimisht kryetaren e Parlamentit për përçarjet e krijuara në partinë e tij. Edhe takimi i pak ditëve më parë me presidentin Topi, mendohet se ka qenë për këtë çështje, edhe pse vetë Ndoka nuk ka bërë akoma publike atë çka është biseduar në zyrën e presidentit. Ndërkohë, edhe deputeti i pavarur, Gilman Bakalli, bashkohet në qëndrim me kreun demokristian, kur thotë se në këtë rast, kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka devijuar nga rregullorja. Sipas Bakallit, në rastet e mëparshme nuk është kërkuar që të shqyrtohen kandidaturat. “Rregullorja është ajo që ka qenë gjithnjë dhe nuk e kuptoj se pse është devijuar në këtë rast. Ka qenë gjithnjë e qartë që dekretet janë kaluar me votë në Parlament. Nuk ka pasur asnjë herë, mesa di unë, verifikime nga ana e kryetares së Kuvendit lidhur me kandidaturat. Ato janë hedhur në Kuvend, ose kanë kaluar. Nuk ka pasur ndonjë procedurë tjetër në rastet e tjera. Ka devijim nga procedurat e deritanishme. Se cilat janë arsyet, i dinë vetë ata”, përfundon Bakalli. Ndërkohë, vetë kryeparlamentarja Topalli ka deklaruar se nuk është një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili i lejon Parlamenti që të bëjë shqyrtimin e kandidaturave të dekretuara, dhe më pas të bëjë pëlqimin ose rrëzimin e këtyre kandidaturave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›