E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e urisë, telefonata e Topit me Edi Ramën

Kreu i shtetit ka biseduar me kryetarin e PS-së duke propozuar një zgjidhje vetëm për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore


TIRANË- Shqipëria duket se po sheh dritë "në fund të tunelit" që ka mbërthyer prej pothuajse 11 muajsh vendin në një krizë të thellë politike. Hapi i parë për zgjidhjen e krizës duket se është hedhur nga presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili i ka telefonuar Ramës duke i propozuar një zgjidhje konkrete që parashikon hapjen e pjesshme të kutive.


Fillimisht Topi është takuar me Ilir Metën nga i cili ka dëgjuar "ofertën" e maxhorancës. Vetë presidenti ka qenë dakord me këtë ofertë dhe më pas e ka diskutuar me ndërkombëtarët.


Ai është thërritur në rezidencën e tij nga ambasadori amerikan Xhon Uidhers dhe në një takim kokë më kokë është diskutuar zgjidhja e mundshme e krizës. Pas kësaj Topi ka takuar ambasadorët Lohan e Montobio për të mbetur në fund tek lideri i PS-së, Edi Rama. Në pamundësi për të takuar vetë Ramën, Topi e ka telefonuar atë duke i thënë disa opsione për krizën.


Burime nga PS-ja pohuan se bëhej fjalë për një draft me dhjetë pika që kanë në qendër hapjen e kutive të materialeve zgjedhore. Kjo lloj oferte është mbështetur në një farë mënyre edhe nga faktori ndërkombëtar. Në parim çdo lloj varianti që përfshin materialet zgjedhore është i pranueshëm për Berishën për faktin se nuk ka asnjë rinumërim apo verifikim votash, por vetëm verifikim të procedurës se si është votuar.


Por kjo ofertë do ti jepte sërish dorë qeverisë sepse do të duhej të verifikoheshin numrat e kartave të identitetit, pasaportave, firmat e zgjedhësve e detaje të tilla, veprime këto që kryhen të gjitha nga Ministria e Brendshme, pra nga qeveria. Kjo vë një pikëpyetje të madhe për sigurinë e ofertës dhe rezultatin përfundimtar që do të vijë prej saj.


Tashmë priten zhvillime të reja gjatë ditës së sotme, por të gjitha këto do të jenë "underground". Axhenda zyrtare e presidentit nuk parashikon asnjë aktivitet që ka lidhje me krizën politike.


Ai do të marrë pjesë në një aktivitet për të përndjekurit politikë dhe do të dekorojë pas vdekjes Havzi Nelën, Vilson Blloshmin, Myzafer Pipën dhe Sabri Hamitin. Më pas presidenti do të japë një pritje me rastin e Ditës Kombëtare të Drejtësisë. E vetmja gjë që mund ta ndryshojë këtë axhendë është presioni i ndërkombëtarëve, i cili ka qenë i fortë gjatë ditëve të fundit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›