Koalicionet, një zgjidhje e nevojshme
Fatmir Shehu
Shqipëria sipas klasifikimit, politikisht është në fazën e tranzicionit të kalimit nga një sistem totalitar në një sistem demokratik. Kësisoj gjatë kësaj periudhe ka pasur një ndeshje shumë të fortë të dy mentaliteteve dhe praktikave që përmbajnë këto dy sisteme që mund të quhen diametralisht të kundërt. Akoma, megjithë luftën e madhe që është bërë nga klasa politike dhe ndërkombëtarët, nuk është arritur tek realizimi i zgjedhjeve të ndershme dhe demokratike (që është baza e një sistemi demokratik) si dhe tek besueshmëria në drejtësinë e kryerjes së gjithë procesit zgjedhor.
Të dy krahët që tashmë janë ravijëzuar në skenën tonë politike (PS-ja dhe PD-ja) sidomos krahu që ndodhet në opozitë, kanë probleme dhe mosbesim tek kryerja e rregullt e proceseve zgjedhore, që në më të shumtën menaxhohet nga mazhoranca në pushtet, e cila deri më sot, në vend që të sigurojë dhe të ndihet ligjërisht e përgjegjshme për të realizuar një proces të drejtë zgjedhor , përpiqet të gjejë “boshllëqe” që procesin zgjedhor ta çojë në interes të rifitores së vet. Kjo gjë e ka bërë shumë problematike zgjedhjet sidomos ato politike në vendin tonë. Prandaj është një nga arsyet që partitë mazhore, të cilat kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në jetën politike të Shqipërisë gjatë kësaj periudhe të tranzicionit, kanë zgjedhur si një formulë për ruajtjen e votës dhe sigurimin e kryerjes së rregullt të procesit zgjedhor - koalicionet.
Duke mos e kundërshtuar praktikën e koalicioneve, sepse ajo konkretisht ka zënë vend në politikën shqiptare dhe partitë e mëdha kanë dhënë më shumë se kanë marrë pushtet, mendojmë të shprehim mendimet, të cilat mbase vlejnë për të ardhmen. Mendim nëse është apo jo e përshtatshme kjo praktikë, sidomos me një numër kaq të madh partish minore. Në pikëpamje demokratike, është e drejta e gjithsecilit që të krijojë parti, sipas ligjeve ekzistuese. Por duhet thënë, siç është edhe thënë shpesh dhe mendojmë se është thënë me të drejtë: a janë vallë të nevojshme gjitha këto parti me një popullatë kaq të vogël që kemi? Sigurisht që shpërndarja e një popullsie të tillë në kuadrin e kaq partive( rreth shtatëdhjetë të tilla!!) që kemi , nuk ka të bëjë me kohezionin dhe përqendrimin, por me të kundërtat e tyre. Problemet e jetës shoqërore nuk janë kaq të disperguara sa që duhen krijuar parti të posaçme që secila të ketë nga një soft të specializuar për zgjidhjen e tyre. Në pikëpamje grupimi mund të themi se në sistemet demokratike, problemet e përhershme janë interesat e pronarëve (punëdhënësve) dhe interesat e të punësuarve (punëmarrësit). Ndërsa problemet ideologjike , që akoma diskutohen shumë , kanë të bëjnë me mënyrën e krijimit dhe shpërndarjes së të mirave material që krijohen si dhe me pronësinë e mjeteve të prodhimit.
Në pikëpamjen e teorisë së ruajtjes së ekuilibrit, që një sistem të ruajë sa më shumë ekuilibrin është e nevojshme që të mbështetet në tri pika. Kësisoj sistemi politik në vendin tonë ka problem të theksuar ruajtjen e ekuilibrit. Këtë e ka treguar praktika politike italiane megjithëse jo me kaq parti sa kemi ne! Duke përdorur praktikat e koalicioneve bëhen përpjekje dhe mundësohet në një farë mënyre që epjura e forcave politike të kompozohet në mënyrë konvergjente në dy pole mazhore. Megjithatë kompozimi i tillë mbas fitores të një koalicioni është i detyruar të realizojë dekompozimin e pushtetit sipas ligjshmërive konkrete, që do krijohen mbas fitores, sepse ekziston një tezë: lufta na bashkon, fitorja na ndanë. Fitorja pra, do të detyrojë dekompozimin e pushtetit dhe si rrjedhim partia primare që kristalizon koalicionin do detyrohet që të japë më shumë pushtet nga pushteti i real që i takon. Atëherë del pyetja: ç’raporte përgjegjësie ka partia kryesore para elektoratit kur ajo faktikisht nuk është në gjendje të përdorë pushtetin që i takon dhe që ja jep elektorati për shkaqe të interesave politike që burojnë nga ruajtja e kohezionit të koalicionit të bërë para apo mbrapa zgjedhjeve? Duke i parë koalicionet si një e keqe e nevojshme dhe e detyrueshme, duhet që forcat kryesore politike që fatmirësisht janë evidentuar në vendin tonë, të bëjnë përpjekje që peshën politike ta barazojnë me atë të pushtetit, pa patur nevojë për koalicione.
Po ashtu kam mendimin që ndërmjet dy forcave të mëdha politike që ekzistojnë në vend , sipas një kodi të posaçëm zgjedhor, të quhet fituese ajo forcë që në përfundim të zgjedhjeve ( sigurisht të ndershme dhe të pa kontestueshme) është në avantazh qoftë dhe me një votë. Kam mendimin se nuk është i drejt gjykimi se forca e pluralizmit politik varet nga numri i partive të cilat janë aq të vogla dhe aq të parëndësishme, saqë nuk kanë as një forcë transformuese. Demokracia Amerikane ka dy këmbë ku mbështetet politika dhe ato dy këmbë ecin dhe çlodhen, çlodhen dhe ecin sipas një norme të caktuar dhe të miratuar me konsensus popullor.