Shtatë arsye plus, për të mos votuar Ramën dhe Aleancën e tij
Qysh në kohë shumë të lashta, shtata është konsideruar si numër magjik, për shkak të disa dukurive të rastësishme në fusha të ndryshme të perceptimit jetësor, si në fushën e historisë (Shtatë Mrekullitë e Botës), të fizikës (zbërthimi i dritës së diellit në shtatë ngjyrat e Ylberit), të astronomisë (Shtatë Yjet e Arushës së madhe ose emërtimi i shtatë ditëve të javës sipas yjeve të sistemit tonë Diellor: Dita e Hënës, e Marsit, e Mërkurit, e Jupiterit, e Venusit - sipas mitologjisë romane ose e Afërditës, sipas mitologjisë greke - e Saturnit dhe e Diellit). Shtata është e pranishme në besime të ndryshme (Shtatë Qiejt, ku përfshihet Qielli i Shtatë, i Krijuesit). Ajo gjendet në folklorin e shumë popujve (Borëbardha e shtatë xhuxhmaxhuxhët). Përveç shumë e shumë rastësive të tjera në fushën e matematikês, të arkitekturës etj., që s’është e mundur t’i përmendim në një shkrim të shkurtër si ky, shtata na ndjek edhe në jetën e përditshme, tek bëjmë të shtatat e një të vdekuri. Vetë rrënja e fjalës “shtatë” është e përbashkët në të gjitha gjuhët indoeuropiane.
Është i njohur fakti se shumë njerëz i lidhin shpesh rastësitë e tyre konfidenciale me një numër - le të themi numër fati - ku shtata është gjithherë e pranishme. Asnjë ngjarje në jetën e një individi nuk mund t’i shmanget shtatës, për shkak të javës shtatëditëshe. Kësisoj, individë të ndryshëm, në mos iu referofshin një datëlindjeje, do t’i referohen datës së një martese, të një vdekjeje a çfarëdo rastësie tjetër që ka lënë shenjë në jetën e tij, çka, pa pikë dyshimi, i ka ndodhur në njërën prej shtatë ditëve të javës.
Nga ky këndvështrim, unë zgjodha të dielën e shtatë - nëse do të niseshim mbrapsht nga e diela e zgjedhjeve të pritshme - për të thënë vetëm shtatë arsye pse s’duhet votuar koalicioni i mbrapshtë i projektuar nga lideri socialist, Rama, ai i bllokimit. Ia lë në dorë lexuesit të nderuar të shtojë arsye të tjera, deri në pambarim, sepse ato s’ka numër racional që t’i përfshijë të gjitha. Ndaj edhe titullin e shkrimit e zgjodha të tillë: “Shtatë arsye + ...”. Aq më tepër që koha e mbetur deri më 23 qershor do të jetë, padyshim, plot ankthe elektorale që rrallë i kemi përjetuar në këta njëzet e ca vjet pas shembjes së diktaturës komuniste.
Arsyeja e parë: të bllokojmë programin e ashtuquajtur “Rilindje”, i cili, në vend të jetës, të vijimësisë, predikon vdekje, shkatërrim të institucioneve të ngritura me aq mund e zigzage të panevojshme në këta njëzet e ca vjet. Tashmë dihet mirëfilli se shekullin e kaluar Shqipëria ka rilindur dy herë: një herë pas shembjes së Perandorisë Osmane dhe një herë tjetër në fillim të viteve ’90, me shembjen e Murit të Berlinit, kur edhe shqiptarët i dhanë goditje vdekjeprurëse regjimit komunist. Për çfarë “Rilindje” duhet të votojnë shqiptarët? Për të rikthyer komunizmin, varfërimin pa skaj, burgjet e kampet e punës, radhët e gjata dhe ushqimet me racion? Ne ende nuk i kemi mbyllur plagët e hapura nga regjimi afro gjysmëshekullor i Enver Hoxhës, kurse zoti Rama na bën thirrje të votojmë për koalicionin që ka brenda të birin e ish diktatorit dhe variante të ndryshme të Partisë së Punës, të rikthejmë shtatoren e përbindëshit në sheshet e Tiranës e të qyteteve a të fshatrave të tjera të vendit.
Arsyeja e dytë: të mbyllim përfundimisht epokën komuniste, e cila na ndau nga Bota Perëndimore dhe po e mban peng sot e gjithë ditën afrimin me të. Të mbyllim epokën që zhduku ajkën e atdhetarisë, që mbushi vendin me burgje e me kampe pune të detyruar, që shpiku të mallkuarën luftë e klasave, që na privoi nga liria e fjalës dhe hartoi ligjet për agjitacion e propagandë. Është fakt i pamohueshëm se, pas dy dekadash e më shumë, komunizmi po mbijeton në vendin tonë e po kuqëlon si molla, me pasardhësit e Bllokut, me ish-ministrin e Brendshëm Ruçi, atë ministër të Ramiz Alisë, me anën e të cilit regjimi i ngjeu duart me gjak në Kavajë, në Shkodër e gjetkë. Nuk mund të mohohet e vërteta se komunizmi po mbijeton, falë milionerëve e miliarderëve të pasuruar si me magji, sa hap e mbyll sytë. Po mbijeton me mediat e tyre, me paratë e tyre të dyshimta. Nëse ne, e djathta e këtij vendi, nuk do të gjejmë forca të bashkojmë votat për të varrosur përfundimisht idealet komuniste që po ringjallen dita-ditës në formë kujtimesh në mediat e tipit Koço Kokëdhima, historia nuk do të na e falë kurrë. Mallkimi do të bjerë mbi ne, sidomos mbi renegatët e djathtë, përfshirë në koalicionin e Ramës ose jashtë tij, në formacione partish që mbjellin farën e përçarjes.
Arsyeja e tretë: t’i them Ndal! harbutërisë politike. T’u themi Ndal! fyerjeve rrugaçërore: “Saliu”, ndonëse Sali Berisha është ende Kryeministër i Shqipërisë. “Mos votoni Jozefinën që ju turpëron!”, kur ajo është ende Kryeparlamentarja e vendit dhe Shkodra e mbarë Shqipëria mburren me të. Duke i bërë barrikadë harbutërisë së huazuar nga fjalori i epokës komuniste, le të rikthejmë kulturën politike, e cila s’na ka munguar asnjëherë. E kërkojmë ne, na e kërkon faktori ndërkombëtar.
Arsyeja e katërt: t’i japim fund propagandës bajate me slogane pa përmbajtje, madje me emërtime aleancash mashtruese - Aleancë për Shqipërinë Europiane - duke luajtur me ndjenjat atdhetare dhe europianiste të shqiptarëve e duke mbajtur peng ëndrrën e tyre të kahershme, nga njëra anë, dhe duke bërë fushatë për interesa klienteliste, jo politike, për ta ndarë vendin në zona betonizimi për gjikë-kokëdhimët, shkrelët, fidelët, metë-kryemadhët, dakot etj., nga ana tjetër.
Arsyeja e pestë: të bllokojmë njëherë e mirë pabesinë dhe imoralitetin politik, i cili, në kampin e projektuar prej Kryetarit socialist Rama, ka funksionuar sipas parimit “e hodha lumin, të bëfsha kalin”, dhe të rikthejmë besimin e nevojshëm ndaj politikanëve tanë. Ç’besim do të kishte elektorati socialist ndaj një lideri politik i cili e ka ndërtuar programin elektoral me ndihmën e zotit Malaj (ekonomi) ose të zotit Duka (bujqësi) dhe pastaj ka tentuar t’i flakë që të dy në koshin e plehrave? Ç’mund të themi për liderë politikë të së majtës, të cilët, pasi u zunë e u shanë me nënë e me babë, me libër shtëpie, “si gratë te pusi”, po puthen e po jargaviten për interesa vetjake? Ç’mund të themi për dy liderë që veç politikanë s’janë, të cilët u hëngrën për afera korruptive dhe xheç e çuan vendin drejt greminës më 21 janar 2011, duke ia hedhur fajin njëri-tjetrit? Ç’mund të themi për dy liderë politikë që harruan gjithçka dhe iu falë ADN-së, “thirrjes së të parëve”?
Arsyeja e gjashtë: të varrosim njëherë e përgjithmonë ndërgjegjen politike të stampës Rama, e cila, në gjithë karrierën e liderit të PS-së, ka qenë shquar për inkoherenca. Ato nisën me pabesinë ndaj Fatos Nanos, vazhduan me ato ndaj Ilir Metës dhe përfunduan hë për hë te afrimi me të, për t’u ndarë një sahat e më parë, pas 23 qershorit. Koherenca e vetme e kësaj ndërgjegjeje të shprishur ka qenë “privatizimi” i PS-së, në pamundësi për të “privatizuar” Tiranën, si ish kryetar i bashkisë, ose Shqipërinë, si lider me pretendime kryeministrore. Dhe, që të mos ia hamë hakun, për fatin e keq të shqiptarëve, “privatizimi” i partisë së themeluar nga tjetërkush, flakja tej e elitës së saj meritore mund të llogaritet si e vetmja arritje e tij, duke e lënë Shqipërinë pa opozitë.
Arsyeja e shtatë: të ndalim sa s’është vonë marshimin mbi Tiranë të një diktatori i cili përmbledh njëherësh tiparet më të qenësishme të gjithë diktatorëve që njeh bota, që nga Neroni, te Hitleri, te Stalini e te Enveri.
Vota është përgjegjësi për secilin: për akademikun e për punëtorin, për fshatarin e për qytetarit. Arsyet i kemi të mjafta për të mbyllur një kapitull me stampë komuniste e për të çelur një të ri me stampë europiane. Është shansi më i pastër, ndoshta i fundit, që më 23 qershor “t’ia hamë hallvën komunizmit”. Të shtatat t’ia bëjmë të dielën e tetë a të nëntë pas së dielës së sotme.