E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elitat politike po i izolojnë dy popujt

Politikania serbe, Rada Trajkoviq, fajëson si shqiptarët ashtu edhe serbët, për moskapërcimin e dallimeve dhe pajtimin e plotë.

Megjithatë, Trajkoviq më së shumti i fajëson elitat politike për, siç thotë, izolimin e të dy popujve. Komentet e Rada Trajkoviqit vijnë pas publikimit të një raporti të UNDP-së, i cili thekson se raportet shqiptaro-serbe vazhdojnë të jenë të tensionuara.

“Unë di ta them një gjë shumë të rëndë dhe mund të ketë shumë të tillë që më akuzojnë. Më duket se edhe ne nuk kemi perceptim të qartë se çka nënkupton demokracia. Jemi mësuar paksa që në hapësirën e Kosovës duhet të qeverisim dhe jo të bëjmë marrëveshje me shumicën”.

“Te serbët ende ekziston ajo sindroma, që ata duhet të jenë kryesorët dhe se shqiptarët duhet ta dëgjojnë atë që ne e themi, pa marrë parasysh gjendjen faktike në terren”, thotë Rada Trajkoviq duke shtuar se serbët duhet të lirohen sa më parë nga kjo sindromë.

Por, cila është arsyeja e tensioneve ndëretnike edhe 10 vjet pas luftës? Sipas raportit të UNDP-së, mendimet ndryshojnë.

Për shqiptarët, arsyeja qëndron te ndikimi i Beogradit dhe mungesa e gatishmërisë së serbëve që të integrohen në shoqërinë e Kosovës, ndërsa për serbët - përpjekjet e pamjaftueshme të shqiptarëve në kuptim të integrimit të serbëve dhe sjellja e liderëve shqiptarë.

Rada Trajkoviq akuzon politikanët në pushtet.

“Elita politike po i izolon të dyja palët, edhe shqiptarët edhe serbët, ndërsa, në anën tjetër, mendoj se edhe mediat nuk bëjnë asgjë që do të ishte si promovim i gjërave të mira, që bëjmë për njëri-tjetrin”.

“Në terren ka të tilla gjëra, sepse gjithnjë e më pak po ka konflikte mes shqiptarëve dhe serbëve, çdo herë e më tepër ka tolerancë. Ndryshe, shqiptarët dhe serbët kurrë s’kanë pasur urrejtje ndaj njëri-tjetrit, gjithnjë kemi jetuar pranë njëri-tjetrit”, shprehet Rada Trajkoviq. /rel/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›