Apeli i Brukselit: Ka ende kohë, votoni urgjentisht paketën e reformave
Ministrat e jashtëm të Italisë dhe Greqisë, dy vendeve partnere të Shqipërisë, përsëritën thirrjen se vendi ynë s’ka kohë për të humbur me bojkote e bllokada, por duhet të miratojë pa humbur kohë paketën e reformave që kanë edhe bekimin e ekspertëve të BE-së
“Ajo që Shqipëria ka nevojë është një pakt kombëtar për integrimin, ashtu siç bëri me integrimin në NATO. Ky pakt politik duhet të diktohet nga faktorët politik shqiptar. Nëse ndodh kjo, atëherë Shqipëria ka të gjitha mundësitë të marrë statusin e vendit kandidat si dhe t’i çelet drita jeshile për fillimin e negociatave të integrimit”.
Ky është mesazhi që vjen nga Bashkimi Evropian, lidhur me aspiratën shqiptare të integrimit Evropian.
Ministrat e jashtë të Italisë dhe Greqisë, përkatësisht Franco Frattini dhe Stavros Lambrinidis, thanë dje, pas takimeve me zyrtarë të lartë të shtetit dhe politikës, se Shqipërisë nuk i mbetet shumë kohë, pasi ka humbur 2 vite me bojkotin e opozitës, duke bllokuar kështu miratimin e reformave.
Apeli është i qartë dhe s’do shumë leksione për t’u kuptuar: “Shqipëria meriton të marrë statusin e vendit kandidat, por gjithçka është në dorë të konsensusit të opozitës”.
Diplomatët Evropianë bënë thirrje për funksionimin e Kuvendit dhe miratimin e ligjeve e reformave me konsensusin e forcave politike.
Franco Frattini: Mbështesim kursin e reformave, opozita të votojë ligjet
Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini, u shpreh dje, në konferencën për shtyp, pas takimeve me drejtuesit më të lartë politik të vendit se, Shqipëria ka nevojë për një pakt kombëtar, për të arritur Evropën, ashtu siç e arriti për integrimin në NATO.
Sipas tij, ky pakt s’mund të diktohet prej ndërkombëtarëve, por vetëm nga shqiptarët dhe klasa politike e vendit. “Nëse kjo ndodh atëherë Shqipëria ka shumë shanse që sa më shpejt të jetë një anëtare e BE. Qëllimi ynë është të mbështesim vendin që duam. Kemi punuar gjatë gjithë kohës dhe kemi ardhur këtu për t’u takuar me krerët e vendit, për t’iu mbështetur juve. Kam qenë këtu për herë të fundit kur kam qenë zëvendëspresident i Komisionit Evropian për të lançuar procesin e liberalizimit të vizave. Një gjë ,që u tregua qartë, është që Shqipëria bëri përpjekjet e duhura për një arritje të madhe siç ishte liberalizimi i vizave”, u shpreh kryediplomati italian, Frattini.
Ai vuri në dukje se Shqipëria ka humbur dukshëm shumë kohë, gati më shumë se një vit, i cili fare mirë mund të ishte përkthyer në angazhim konkret, në kuadër të plotësimit të standardeve integruese. Por, Frattini është optimist, kur thotë se edhe brenda kohës së mbetur, Shqipëria mund të shohë dritën jeshile të marrjes së statusit të vendit kandidat në BE.
“Duam që Shqipëria të jetë pjesë e BE, jo vetëm për Brukselin, por sepse duam me të vërtetë që të jetë pjesë e saj. Fatkeqësisht kemi humbur një vit dhe tani duhet të përfitojmë nga koha e humbur”, tha ai.
Sipas Frattinit, integrimi në BE, duhet të bëhet objektivi kryesor i Shqipërisë.
“Për këtë do të duhet funksionim i duhur i parlamentit dhe ekuilibri i duhur mes forcave politike. Nëse angazhimi politik, nuk do të reflektohet në veprime të duhura nuk do të ketë asgjë pozitive në raportin e ardhshëm të KE dhe kjo është ajo që duam ta shmangim”, tha Frattini.
Sipas tij, mbeten rekomandimet nga OSBE-ODIHR për reformat.
“A mund të zbatohen? Them se po. A është e mundur të rifillojnë takimet e komisionit parlamentar për çështjet e integrimit? Mendoj se po. A është e mundur që të dyja palët si qeveria dhe opozita të bien dakord për emërimet e nivelit të lartë si p. sh.:, Avokati i Popullit? Mendoj se po”, përfundoi Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini.
Stavros Lambrinidis: I keni kapacitetet, plotësoni 12 rekomandimet
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Stavros Lambrinidis, deklaroi dje se Shqipëria e ka të qartë objektivin e saj drejt të ardhmes evropiane.
“Një gjë është tepër e qartë nga takimet e shkëlqyera që patëm sot, që përsa i përket të ardhmes së saj evropiane, Shqipëria e ka këtë objektiv të qartë, i cila i bashkon të dyja palët si mazhorancën edhe opozitën, tha Lambrinidis, i cili shtoi se, ashtu siç na është thënë nga të gjithë, ky objektiv është edhe i shumicës dërrmuese të popullit shqiptar”. “Ne jemi këtu të përfaqësojmë Bashkimin Evropian. Gjithashtu gjendemi këtu si përfaqësues të Greqisë dhe Italisë, të cilat janë mbështetës të fortë e të përzemërt të Shqipërisë dhe të së ardhmes së saj evropiane”, tha ministri i jashtëm grek.
“Mesazhi që iu dërgojmë sot është që ka ardhur koha për një bashkim kombëtar për rrugën tuaj drejt Europës”, shtoi ai.
Sipas kryediplomatit grek, tashmë që zgjedhjet përfunduan dhe parlamenti rifilloi punën e vet konstruktive, vëmendja e politikanëve shqiptarë duhet të jetë tek 12 prioritetet e Komisionit Europian.
“Reforma elektorale, reforma parlamentare, respektimi i të drejtave civile dhe të minoriteteve, lufta ndaj krimit të organizuar, transparenca, funksionimi i parlamentit janë disa nga kërkesat e KE dhe kemi mbetur të kënaqur që kemi parë se këto janë edhe në fokusin e palës shqiptare për të promovuar të ardhmen evropiane”, theksoi Lambrinidis.
Sipas tij, ligjet e duhura dhe aplikimet e duhura të ligjeve janë kërkesat e Komisionit Europian.
“Ne në Europë, në KE, në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE, jemi të mendimit që Shqipëria në fakt i ka të gjitha kapacitetet dhe mundësitë që të arrijë të plotësojë rekomandimet që kërkohen nga BE”, u shpreh Lambrinidis.
“Në vitin 2003 në Samitin e Selanikut, pat filluar perspektiva evropiane për të gjithë rajonin. Arritjet e Shqipërisë si liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në NATO janë prova që Shqipëria ka mundësitë që të ketë të ardhme evropiane”, theksoi ai.
Sipas Lambrinidis, “procesi i së ardhmes është e vështirë. Ai ka nevojë për përgatitje rigoroze, bashkëpunim konstruktiv mes forcave politike dhe konsensus”.
Ju garantojmë që në këto reforma do të jemi në anën tuaj dhe do t’iu mbështesim në të gjithë projektet tuaja që të arrijmë ëndrrën tuaj dhe ëndrrën tonë”, përfundoi Ministri i Jashtëm i Greqisë, Stavros Lambrinidis.