Eliza, homazh me trëndafila
Artistja nga Kosova paraqet ekspozitën e instalacioneve me trëndafila kushtuar të zhdukurve nga lufta
Arkitektja dhe këngëtarja e njohur kosovare Eliza Hoxha ka ardhur në Gjirokastër me një mision të dyfishtë: për të paraqitur veprat e saj instalacion dhe si prezantuese e festivalit “Takimet muzikore të dy botëve”. Ekspozita është një homazh me trëndafila stalacioneve, në kujtim të të zhdukurve nga lufta në Kosovë, duke ngjallur mjaft interes për mënyrën e ndërtimit të saj, ku ndërthuren elementë të ndryshëm, si trëndafilat e kuq, copat e letrave me kode, copat e gazetave me lajme për të humburit, tabelat me emrat e qirinjtë. Në një intervistë për “Shekullin” Eliza tregon arsyet e pranisë së saj në Gjirokastër, motivet e ekspozitës tepër të veçantë e ndoshta edhe një rikthim të mundshëm me një tjetër profil.
Eliza çfarë ju lidh me “Argjironë”?
Me presidenten e shoqatës “Argjiro” Ilda Mara jam njohur prej periudhës kur ajo punonte në mediat kosovare, kohë në të cilën kam qenë fotoreportere dhe i kemi ruajtur lidhjet. Madje shumë aktivitete të zhvilluara në Gjirokastër erdhën edhe në Kosovë. Duke qenë se nata e parë e këtij festivali do i kushtohej Kosovës për pavarësinë e saj, Ilda më propozoi ta prezantoja unë këtë eveniment. E pranova për dy arye; së pari, më pëlqen prezantimi dhe meqë do të ishte hera e parë doja të sfidoja veten dhe së dyti më pëlqeu gjithashtu edhe formati i festivalit që ka gërshetime të trendeve të reja me muzikën tradicionale dhe për organizimin e tij është zgjedhur Gjirokastra, një qytet ku antikja bashkëjeton me të renë.
Dhe si ju duket përvoja e këtyre ditëve?
Kur mu propozua që ekspozitën time të çelur një vit më parë në Kosovë në kujtim të gjithë të zhdukurve të luftës ta sillja edhe në Gjirokastër, isha shumë në mëdyshje. Në muajin gusht erdha këtu për ta prekur vetë këtë qytet dhe për të parë ambjentet, pasi ideja e çeljes së saj në galerinë e Kullës së Sahatit më dukej një mision shumë i vështirë. Por me ndihmën e të gjithëve pjesa më e vështirë kaloi dhe ndjehem mirë.
Kisha lexuar shumë për këtë qytet, por duke ardhur këtu, duke qenë në kontakt me gjithçka ndjen të tjera emocione. Përshtypja e parë ishte mahnitëse. Struktura e qytetit, ndërtimi i tij vetëm me gurë, planimetria, gjithçka është e rrallë. Ka shumë pak qytete të tilla në botë. Ju keni kaq shumë pasuri këtu, por që shoh se nuk kthehen në funksion të qytetit. Unë pashë tri aktivitete që përplasen me njëra-tjetrën. Në fakt një strategji kulturore me trende e koncerte të reja përveç zhvillimit të kulturës do të sillte ringjallje në aspektin ekkonomik dhe do bëhej edhe më atraktiv për vizitorët.
Rikthehemi te ekspozita juaj ku përzihen elementë aq delikatë si trëndafilat për ngjarje tragjike si lufta dhe pasojat e saj në Kosovë.
Në Kosovë nga lufta rezultojnë rreth dy mijë persona të zhdukur. Kam pasur dëshirë si artiste të lë gjurmë një një aspekt që lidhet me luftën. Vrasjet dhe masakrat e ndodhura ishin trajtuar shumë herë, ndërsa fenomeni i zhdukjes së njerëzve më së paku, jo vetëm nga artistët, por edhe nga institucionet e Kosovës. Nga ana tjetër më ka intriguar emocioni peng i pritjes së familjarëve, shumica gra me shumë fëmijë në zonat rurale, ku ndërthuret pritja me mbijetesën. Kam pasur gjithashtu shumë biseda më familjarë të të zhdukurve. Kështu lindi ideja e parë. Shenjat dhe kodet e vendosura në ekspozitë vijnë si pasojë e mosnjohjes nga shumë njerëz dhe të zhdukurit rikthehen vetëm kronika lajmesh dhe humbasin përsëri. Trëndafilat janë përdorur si elementë shtesë; vijnë si element i dashurisë, pasi janë të kuq, qëndrojnë të varur në hapësirë për të treguar pengun e pritjes së gjatë dhe duke qenë se me kalimin e kohës do të vyshken rrëfejnë edhe lodhjen që shkakton pritja. Nga ana tjetër, kam ndërthurur videoklipin e këngës sime “Për ata që s’janë më” aspekti i të cilit sjell momentet e disa prej të kthyerve. Qirinjtë gjithashtu ndizen jo vetëm për të humburit, por edhe si një shenjë mbarësie për të dashurit tanë. Por duke qenë se problemi i njerëzve të humbur është universal, janë vetëm emrat e stampuar ata që e lokalizojnë këtë çështje në Kosovë, këtë çështje ku emocionet ndërthuren gjithashtu edhe me krenarinë.
Besoni se mund të riktheheni në Gjirokastër me një recital tuajin?
Do të ishte kënaqësi e madhe që njëkohësisht të kisha një prezantim për t’ia kushtuar këtij qyteti mahnitës.