E Shtunë, 31 Tetor 2026

Requiem për censurën

Me ndërhyrjet që janë bërë mbi roman 6 vjet përpara se të binte regjimi dhe që janë plot 49, personat përgjegjës të shtëpisë botuese “Naim Frashëri“ na kanë lënë një model se si ushtrohej censura konkrete mbi atë pak kulturë perëndimore që depërtonte në Shqipëri dhe në përgjithësi nga se kishte frikë regjimi tek kjo kulturë

Del këto ditë në qarkullim “Me syrin e një klouni“, një nga romanet më të njohura të Heinrich Boell, shkrimtarit nobelist gjerman, atij që për një kohë të gjatë në vitet ‘60-’80 u mbajt si Instanca morale e RFGj. Këtë herë romani botohet i plotë, me gjithë pjesët që ishin censuruar rreth 23 vjet më parë, ai do të prezantohet më 29 shtator në Teatrin Kombëtar me rastin e rishfaqjes së variantit skenik, me të njëjtin titull. Shkrimi i mëposhtëm është një vështrim mbi natyrën e censurës që ushtrohej te ne para vitit 1990 mbi letërsinë e huaj.

Lexuesit të romanit “Me syrin e një klouni“ i kërkojmë ndjesë për sfondin e hirtë nën pasazhet që u censuruan në Tiranë më 1985 në botimin e parë të romanit. Kjo nuk është ndoshta interesante për një brez që është rritur pas vitit 1990 dhe madje as për shumë lexues më të moshuar që dëshirojnë ta harrojnë atë kohë, me gjithë mekanizmat e saj brutale ose të sofistikuara të izolimit të Shqipërisë.

Mirëpo, tek iu vura punës së mundimshme të një përkthimi të plotë të Klounit, vërejta se pjesët e hequra prej tij nuk ishin blloqe të mëdha, një censurë e mirëfilltë, që fshin bie fjala pjesët antikomuniste ose pjesët me seks ose pjesët me priftërinj katolikë, por ishte një gjë e ngatërruar, e thurur, apo më mirë e shthurur dhe e prerë me finesë, që fillonte këtu e dilte atje, kthehej mbrapsht, mbante djathtas e pastaj majtas, hiqte p.sh. me një konseguencë të habitshme fjalën “çarçaf“ ose fjalën “njollë“ (fjala është për çarçafët e dashurisë), po kështu fjalën papë, sapo që kjo nuk është më nën një dritë negative. Kuptova atëherë, sadoqë turfulloja dhe shaja njeriun ose njerëzit që kishin bërë atë punë këmbëngulëse 23 vjet më parë, të cilët sot më grabitën energjinë që do më mjaftonte të përktheja një roman tjetër të Bëlit, se kishim përpara një kryevepër të censurës. Me ndërhyrjet që janë bërë mbi roman 6 vjet përpara se të binte regjimi dhe që janë plot 49, personat përgjegjës të shtëpisë botuese “Naim Frashëri“ na kanë lënë një model se si ushtrohej censura konkrete mbi atë pak kulturë perëndimore që depërtonte në Shqipëri dhe në përgjithësi nga se kishte frikë regjimi tek kjo kulturë. Modeli i censurimit që kemi rastin të botojmë sot, na jep të kuptojmë në fund të fundit largësinë e Shqipërisë nga Europa dhe pse e ku ndryshonte aq shumë regjimi ynë komunist nga gjithë republikat e tjera socialiste të Lindjes. Nuk është atëherë gjynah ta lëmë të humbasë në harresë, siç ka ndodhur me grisat e arnat në dhjetëra romane të shkrimtarëve të tjerë gjermanë, francezë, amerikanë, anglezë? Si të mos e botojmë këtë hartë të censurës, këtë qëndizmë vrimash e shqyerjesh, si një përshpirtje për gjithë ata shpirtra të gjymtuar romanesh, novelash, esesh e poemash që dolën invalidë nga dyert e “Naim Frashërit“? Si tani e kam parasysh të ndjerin Robert Shvarc kur më thoshte: Po ti pse mërzitesh, për 10 faqe? Mua më ka hequr nga “Goja“ 200 e ca faqe!

Për gjithë ata që nuk e njohin atë kohë duhet të shpjegojmë pikësëpari se censura si institucion në Shqipëri nuk ka ekzistuar. Dmth. nuk ka ekzistuar në mënyrë fizike në persona të veçantë, që të kishin emërtimin përkatës. Ekzistonte vërtet një shef i zyrës së informacionit në KQ të PPSH me hijen e censorit të madh, por po të vinte puna që të censuronte shoku M. T., kjo do të thoshte që libri të hiqej nga qarkullimi dhe autori të binte në burg. Pra ky së bashku me personin që mbulonte letërsinë në KQ ishin pak a shumë në rolin e kryeinkuizitorit që përgjigjej më tepër për pjesën ndëshkuese, por jo atë censuruese, parandaluese. Censura e vërtetë, ajo që ushtrohej përditë dhe në të gjitha indet e jetës kulturore, pra dhe në çdo botim, ishte e shpërndarë në shumë njerëz që ose ishin autorë, ose ishin redaktorë. Vetë kam punuar 5 vjet, sa u diplomova nga universiteti, si redaktor për tregimin shqiptar në “Naim Frashëri“. Nominalisht, përveç si redaktor i fjalës letrare, pra që mundohej me sugjerime ndaj autorit të përmirësonte veprën në pikëpamje letrare, do të më binte edhe detyra e censurimit të ideve të palejuara që mund të shfaqnin tregimtarët shqiptarë. Mirëpo kurrë nuk më ra ta bëja këtë punë. Jo pse isha shumë liberal ose shumë trim për kohën, por, ngaqë autorët e kishin ushtruar autocensurën në kokat dhe në dorëshkrimet e tyre para se t’i sillnin ato në “N. Frashëri“, unë s’kisha ç’të censuroja më. Po të më vinte ndonjë pasazh që bie fjala tallej me udhëheqësin, unë natyrisht që nuk do ta lejoja. Mbase ndryshimi im nga redaktorë të tjerë, ishte se do ta merrja autorin mënjanë e do t’i thosha ta hiqte sa më shpejt atë pasazh, sa pa e marrë vesh të tjerë. Pasi kishim edhe redaktorë të tillë që padisnin me dëshirë, që kanë dalë shumë herë si dëshmitarë nëpër gjyqe për shkrimtarë ose kolegë të dënuar më pas për agjitacion-propagandë.

Ndryshonte puna me redaktorët e letërsisë së huaj. Këta veç detyrës për të krahasuar me origjinalin, kishin me vete edhe gërshërët. Në qoftë se nuk hiqnin pjesët me antikomunizëm, me revizionizëm, me antishqiptarizëm, me fe, me seks, me drogë, me hipi e me çfarë të duash, mbanin përgjegjësi. Meqë shumë raste ishin të diskutueshme dhe një pjesë, njerëz që e donin dhe e njihnin letërsinë, kishin turp nga roli i censorit, ia linin këtë punë shefit të redaksisë (ose shefes, nuk e mbaj mend ç’gjini ka qenë), i cili ose e cila bënte punën më të madhe të gërshërës, para se dorëshkrimi të shkonte te drejtori. Drejtori ose nëndrejtori zakonisht nuk ishin njerëz të letërsisë, por të Partisë, prandaj i besonin plotësisht shefit të redaksisë, por natyrisht gëzoheshin kur mund të zbulonin dhe të hiqnin edhe ata ndonjë gjë.

Nën këta persona punonte një plejadë përkthyesish të mrekullueshëm që na kanë dhënë shumë kryevepra të letërsisë botërore me një shqipe për t’u pasur zili: Lasgush Poradeci, Dhimitër Pasko, Sotir Caci, Halit Selfo, Hamit Kokalari, Petro Zheji, Enver Fico, Bujar Doko, Klio Evangjeli, Robert Schwartz etj., që vazhdonin shkollën e Nolit e që e tejkaluan atë shumë herë; pa përmendur këtu përkthyesit e mëdhenj të Veriut si Pashko Gjeçi, Henrik Lacaj ose Gjon Shllaku, që në përgjithësi ishin larg Shtëpisë botuese ose në burg. Tani përfytyroni që një kryevepër e shqipëruar me mjeshtëri, vjen në tryezën e një shefi ose shefeje, që s’e ka për gjë të shkëputë një llokmë të mirë nga zemra e saj, kushedi edhe me kënaqësi, duke e mbajtur veten si elitë, pjesëtar i një rrethi të ngushtë, që ka të drejtë të shijojë diçka pa ua dhënë masave të gjera, sikurse udhëheqja që lexonte çdo mëngjes njoftimet më të rëndësishme të ASS.PRESS, TASS, ROJTERS, AFP në trajtën e atyre që quheshin axhansa, kurse popullit i jepte vetëm “Zërin e Popullit“. Jo të gjitha censurimet ishin akte vetëmbrojtjeje, një pjesë e mirë e tyre ishin vepra ëndjeje ose zelli; pasi e zëmë askush nuk të dënonte pse le që Maria hoqi dhe lau çarçafet pasi bëri dashuri me Hansin, ose erdhi policia morale dhe zbuloi një njollë gjaku në qilim. Në përgjithësi diktatura në Shqipëri nuk do të kishte qenë aq ekstreme dhe depërtuese sikur vendi të mos gëlonte nga spiunët dhe censorët vullnetarë.

Kjo situatë e censurës që përshkruam më lart ka të bëjë më shumë me vitet 1967-1990, pasi në vitet e mbasluftës, e sidomos në dhjetëvjeçarin para prishjes me “vendet revizioniste“, kur u botua pjesa më e madhe e më e mirë e letërsisë së huaj, nuk mund të mendohej që një vepër të grisej e të shqepej, ose edhe të arnohej (se copat e mbetura në ajër disi do të lidheshin), ashtu siç u veprua pas Revolucionit kulturor. Ideja e mbrapshtë se një vepër e madhe e letërsisë së huaj mund të qethet, pritet, lidhet me by-passe, është tërësisht e viteve ’70 dhe ’80.

Tani të rikthehemi te romani konkret. Heqjet ndahen në tre lëmenj të mëdhenj: dashuria, feja, politika. Janë bërë gjithsej 49 ndërhyrje, të cilat kanë goditur këta objektiva: dashurinë 30 ndërhyrje, fenë 14 ndërhyrje, politikën 5 ndërhyrje. Po të merren në pikëpamje sasiore, nga tekstet e dashurisë janë hequr 260,5 rreshta, nga ato të fesë 71 rreshta, nga tekstet politike 156,5 rreshta. Edhe pse mund të duket se nga politika (anikomuniste) redaktorët kanë pasur më shumë frikë se nga feja dhe pak më shumë se gjysmën e frikës në krahasim me dashurinë, përshtypja është e gabuar: teksti politik është hequr në bllok, fjala është për vajtjen e klounit në RDGj, aty ku shkrimtari tallet me sistemet komuniste, pra censurimet politike nuk janë aspak të rënda. Një heqje e tillë ishte e vetëkuptueshme, dhe unë si përkthyes e pata lënë me vetëdije që censorët të merreshin me të dhe të harronin të tjerat, pak a shumë si ai hajduti që në autobus të vë dorën në sup, që t’i mos të ndjesh se po të vjedh kuletën, por mjerisht nuk ndodhi kështu.

Pra po të shohim censurimet si cilësi, do të konstatojmë se te përfaqësuesit e regjimit në fushën e kulturës dhe të arteve dashuria, ose më saktë liria në dashuri ishte shumë më e rrezikshme se liria në politikë dhe më e rrezikshme se liria në çështje besimi. Nuk gabojmë në këtë përgjithësim, pasi “Me syrin e një klouni“ është një roman që i trajton në mënyrë intensive të trija temat: për asnjërën nuk mund të thuash se është dytësore. Ky zbulim që e bëra krejt rastësisht, duke dashur ta botoj romanin të plotë, na ndihmon ta kuptojmë edhe më mirë natyrën e regjimit socialist në Shqipëri.

Po të vëreni, shefi ose shefja e redaksisë artin më të madh të censurimit e ka treguar pikërisht te tema e dashurisë. Ka aty një këmbëngulje, një siguri e një sofistikim në shkallën e gjërave të lejuara dhe të palejuara, sa mund vetëm të shtangesh. Si e ka ditur ai ose ajo se çfarë duhet të hiqej? Kush e kishte thënë se duheshin hequr “njollat në çarçaf“? Mos kishin këta shefa një doracak të brendshëm, ku shkruhej se nuk mund të lejohen nga veprat e letërsisë së huaj “vajza të paprishura“, “ajo bëri abort“, “ai mban një dashnore“, “desha të fle me dorën mbi gjinjtë e saj“, “ajo gjë që bën mashkulli femrën“, “e bën atë gjë me një bashkëshort pa para“, etj. etj.? Janë hequr me dorë të sigurt të gjitha pasazhet ku Bëli tallet me moralin e dyfishtë të martesës, si një vend ku lejohen të gjitha llojet e mbrapshta të dashurisë, të gjitha dhunimet e përdhunimet, mjaft që së jashtmi ky institucion i shenjtë i shtetit dhe i kishës të jetë në rregull. Është hequr edhe një fjali emblematike, ku përfaqësuesi a përfaqësuesja e shtetit tonë ndihet i/e prekur nga një moral, të cilin Bëli e vë në gojën e klerikëve katolikë: “për ta dashuria është një ndyrësi që nga e keqja duhet legalizuar me martesë“. Ky është kyçi për të kuptuar thelbin e regjimit të Hoxhës: ai 1. dashurinë e shihte si ndyrësi; dhe që të mos mbetej e tillë 2. dashuria duhej futur sa më parë në kullën e martesës. Prandaj janë hequr të gjithë çarçafët “e ndotur“ pas dashurisë ose abortit, prandaj është hequr një fjali si “vështroja vendin ku ajo mbante të shtrënguar peshqirin“, ose “ndjeva tundimin të shikoja të linjtat e saj“ e plot të tilla. Ishte epoka pas plenumit të IV, seksi kishte veshur rroba zbori dhe kominoshe aksioni, ishin vitet kur Hoxha ndaloi ndër të tjera gjithë librat dhe filmat që vinin prej “vendeve revizioniste“, duke thënë fjalinë lapidare: “Ne nuk do lëmë që në Shqipëri të hyjnë derri dhe dosa me dhe pa brekë“ (që nga një dokumentar i RAI-it në vitin 1974 u përkthye “con e senza mutande“). Në të vërtetë në Shqipërinë reale seksi bëhej edhe jashtë martesës, edhe adultere kishte plot, por në vende të fshehta, prapa mullarëve, në arën me misra, te Gjiri i kurvave, në bodrume, në nevojtore etj., në përgjithësi në vende që e bënin dashurinë të dukej edhe më e ndyrë nga ç’e quante regjimi sapo që kjo ndodhte jashtë martese ose vinte nga shtetet revizioniste-borgjeze.

Ky element i theksuar fanatik i regjimit nuk është analizuar asnjëherë, kur flitet për diktaturën te ne flitet gjithmonë vetëm për grupet kundërshtare që u eliminuan ose për të burgosurit politikë. Dashuria e futur në burg, nga njerëz që ose pse vetë i kishin qejf perversitetet dhe zbatonin në jetë moralin e dyfishtë, ose pse vinin nga gjashtë shekuj islam, si elementi më tipizues i regjimit nuk është bërë asnjëherë objekt studimi.

Trualli mbi të cilin ai u ngrit ishte shumë i përshtatshëm për burgosjen dhe fëlliqsimin e mëtejshëm të dashurisë. Në përgjithësi fjalori erotik i shqipes e ka një komponente të fuqishme pisllëku më njërën anë dhe maçoizmi në anën tjetër. Fjalët q... ose shk... janë gati po aq të “pista“ sa ato të lehtësimit anatomik, organi seksual femëror ka të njëjtën rrënjë si organi i këtij të fundit, organi mashkullor përdoret si sinonim i idiotësisë dhe fëlliqsisë. Në foljet e veprimit është gjithmonë mashkulli që ia bën “atë gjë“ femrës, ai ia ashtu e ai ia kështu, kurse ajo nuk i bëka asgjë. Kjo gjuhë e ashpër është e kuptueshme për një popull të maleve që ecte pas Kanunit të Lekës, por fatkeqësia ishte që konceptimi i regjimit për dashurinë dhe seksin u mbështet pikërisht mbi primitivizmin tradicional shqiptar (për shembull gjithë ditën nëpër zyra tregoheshin barcaleta të ndyra, askush s’të dënonte për një anekdotë seksi, sado poshtëruese të ishte për femrat) dhe jo mbi mënyrën si e konceptonte dashurinë Migjeni, Lasgushi, Koliqi, për të mos lejuar asnjë qytetari që të hynte në këtë fushë në Shqipërinë socialiste. Ishte koha kur thyheshin skulpturat nudo të Janaq Paços.

Përpjekjet kishin qenë të pakta. Ndaj i ishim mirënjohës Shvarcit për “Tre shokët“, sikurse u ishim përkthyesve të Stendalit, Çehovit, Eseninit, Ricosit. Ndaj e kuptoj fare mirë tronditjen e shefit ose shefes së redaksisë, kur i erdhi në tryezë një roman si “Me syrin e një klouni“, që e bëri të mprehte bisturitë e luftës antierotike, antifetare e anti-antikomuniste, për të kryer pastaj ato operacione të mnershme që u munduam t’i shtjellojmë e t’i shpjegojmë këtu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›