Elmar Brok: Shqipëria meriton një perspektivë të afërt të anëtarësimit në BE
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim eurodeputetin gjerman, ish-Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme në Parlamentin Europian, Elmar Brok. Kryeministri Berisha bëri me dije se qeveria shqiptare është fokusuar në dy objektiva madhorë, integrimin në Bashkimin Europian dhe në NATO, dhe se po punon për realizimin e të gjitha reformave të nevojshme që kërkon procesi i integrimit. Kreu i qeverisë, e njohu eurodeputetin Brok me arritjet e qeverisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, me klimën e favorshme të biznesit dhe investimeve, lehtësimin e barrës fiskale, luftën kundër informalitetit, rritjen e transparencës dhe efiçencën në procedurat administrative, si dhe reformat e ndërmarra në shumë fusha të tjera. Kryeministri theksoi se puna e qeverisë është përqendruar tashmë në reformën në fushën e drejtësisë dhe atë zgjedhore. Kryeministri falënderoi Brok për përkrahjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, në veçanti për sa i përket integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Kryeministri siguroi eurodeputetin Brok se Shqipëria po realizon të gjitha reformat e nevojshme për të merituar ftesën në Samitin e Bukureshtit, sikundër i shprehu atij bindjen se shqiptarët e konsiderojnë integrimin në Bashkimin Europian si të ardhmen më të mirë për Shqipërinë dhe rajonin. Gjithashtu, Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij të thellë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Gjermanisë. Nga ana e tij, eurodeputeti Elmar Brok e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe shprehu vlerësimin e tij për arritjet e reformave në të gjitha fushat, veçanërisht për reformat lidhur me integrimin në Bashkimin Evropian. Gjithashtu edhe ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, priti dje në një takim eurodeputetin dhe ish-kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, Elmar Brok. Ministri Basha informoi z.Brok lidhur me ecurinë e reformave në vend, ecurinë e proceseve të integrimit në BE dhe NATO, si dhe për këndvështrimin tonë në lidhje me zhvillimet më të fundit në rajon, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Eurodeputeti Elmar Brok, pasi vlerësoi rolin shumë të rëndësishëm të Shqipërisë në rajon si faktor paqeje dhe stabiliteti, theksoi se “vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë një perspektivë shumë të qartë evropiane, duke e parë Procesin e Stabilizim-Asociimit të lidhur ngushtësisht me konsolidimin e demokracisë dhe me bashkëjetesën harmonike ndërmjet vendeve të rajonit”. Duke u ndalur në procesin e integrimit evropian, ministri Basha dhe eurodeputeti Brok ndanë të njëjtin vlerësim për avancimin e Shqipërisë në një stad të ri, çka do të realizohet në bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve shqiptare me ato evropiane. Ndërsa, në takimin me Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, eurodeputeti Elmar Brok deklaroi se Shqipëria po bën hapa përpara në plotësimin e standardeve për anëtarësim në NATO dhe integrim në BE. Euoroparlamentari Brok garantoi se do të nxisë ratifikimin e MSA-së nga vendet e tjera të BE si dhe do të jetë mbështetës i vazhdueshëm i proceseve integruese të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit vuri theksin tek konsensusi mes forcave politike në hartimin dhe miratimin e ligjeve për reformën në drejtësi, si dhe punën që po kryen komisioni i posaçëm, si dhe strukturat e tjera shtetërore për reformën e zgjedhjeve, në funksion të realizimit të standardeve. Eurodeputeti gjerman ka zhvilluar një takim edhe me deputetë, anëtarë të komisionit të jashtëm si dhe ata të integrimit.