E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat e Identitetit, Nishani: Qeveria po realizon një nga projektet më të rëndësishme në vend

Tenderi i hapur para dy ditësh për prodhimin e kartave të identitetit ka grumbulluar disa nga kompanitë më të sigurta dhe tepër rezultative në prodhimin e cilësisë së lartë të tyre. Procesi i hapjes së ofertave dhe administrimit të dokumentacionit për tenderin e pasaportave elektronike tashmë është pothuajse i realizuar me sukses. Konfirmim ky që vjen nga ministri i Punëve të Brendshme Bujar Nishani. Ministri Nishani deklaroi se janë marrë në zbatim të këtij projekti 7 oferta, ku secila ofertë përmbledh disa kompani. “Dua të informoj, publikun e gjerë për një nga projektet më të rëndësishme të qeverisë Berisha, atë të prodhimit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. Sipas premtimit të bërë, tashmë është hapur tenderi për realizimin e projektit të qeverisë Berisha për prodhimin e kartave të identitetit elektronike dhe pasaportave biometrike”, deklaroi Nishani. Duke theksuar se janë marrë në zbatim të këtij projekti 7 oferta, Ministri Nishani pohoi se “kemi marrë ofertë nga Bundesdruckerei nga Gjermania, e cila e paraqet këtë ofertë së bashku me kompaninë austriake S & T dhe me kompaninë MOTOROLA nga SHBA”. “Njëkohësisht, kemi marrë një ofertë të dytë nga kompania INDRA e Spanjës, e cila është paraqitur në këtë ofertë së bashku me kompaninë DATA CARD nga SHBA, SUN MICROSYSTEM dhe IBM. Është marrë një ofertë të tretë nga OBERTHUR e Francës, e cila është së bashku me AKD të Kroacisë. Kemi marrë një ofertë të katërt nga kompania SAGEM e Francës, së bashku me Fondin Shqiptaro-Amerikan për Ndërmarrjet. Një ofertë e pestë vjen nga Consorzio R.I.E, një kompani italiane, e cila vjen së bashku me kompanitë e tjera po italiane IDOM 2000, CSI Piemonte dhe SELEX. Ndërsa një ofertë vjen nga një kompani belge ZETES, e cila po ashtu vjen së bashku me një kompani shumë të madhe dhe me shumë eksperiencë, e cila vjen nga Hollanda, e quajtur GEMALTO. Ndërkaq, dhe një ofertë të shtatë nga kompania shtetërore NADRA nga Pakistani, e cila paraqet një ofertë e vetme. Është një hap i parë shumë i rëndësishëm”, theksoi Nishani. Ai shprehu falenderime për të gjithë ekipin e ekspertëve që kanë punuar prej kohësh për përgatitjen e referencave teknike, për përgatitjen e projektit te kartës së identitetit elektronike dhe pasaportës biometrike. Ministri Nishani konfirmoi të gjithë mbështetjen dhe inkurajimin, pas marrjes së ofertave, për Komisionin e Vlerësimit të Ofertave, komision i cili përbëhet nga specialistë shqiptarë dhe tre asistentë të huaj, njëri prej të cilëve është me mbështetjen e UNDP. “Për dy të tjerët nga qendra e INTERPOL-it do të desha të falenderoja Sekretarin e Përgjithshëm të INTERPOL-it, që i ka dërguar pas kërkesës së qeverisë shqiptare që të asistojnë në vlerësimin e ofertave, Komisionin e Vlerësimit të Ofertave pranë Ministrisë së Brendshme”, shtoi ai. Ndërkaq, më tej, ministry Nishani vuri në dukje se në vazhdim do të jenë ditë të tjera intensive të punës së Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për të studiuar të gjitha këto oferta nga pikëpamja ekonomike, nga pikëpamja teknike dhe e standardeve, duke ritheksuar edhe një herë që karta e identitetit dhe pasaporta biometrike që janë në këtë projekt, pra në variantin që ka paraqitur qeveria shqiptare, janë ndër më të mirat dhe me standardin më të lartë të BE. “Pavarësisht se cila nga ofertat do të rezultojë fituese, një gjë është e sigurt, në fund të të gjithë procesit, shqiptarët do të kenë në duar dokumente identiteti dhe pasaporta elektronike të standardeve më të larta ndërkombëtare”, konkludoi ministri Nishani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›