Elonës i thyhet zemra nga Rike

Elona e ardhur nga Parisi, dhe Rike nga Italia me të vërtetë krijuan dyshen më të përfolur mes dy femrave në të gjitha edicionet e “Big Brother”, për shkak edhe të hamendësimeve të banorëve dhe publikut në lidhje me afrimitetin e tyre në shtëpi.
Por si po ecën “dashuria” e dy vajzave jashtë shtëpisë, a po vazhdojnë të frekuentohen me njëra-tjetrën? Në fakt, e vërteta është se, përveç bashkimit të vajzave në festën e natës finale të shtunën dhe takimit për një kafe pas mbylljes së programit “Fan’s club” të nesërmen, ato nuk kanë pasur ndonjë vazhdimësi në miqësinë e tyre. Madje ka rënë në sy mungesa e Elonës, në “afterparty”-n e organizuar të martën në mbrëmje. Sipas "Panorama", Rike ka vijuar të festojë me banorët të tjerë, ndërsa Elona, e cila nuk ka marrë ndonjë sinjal afrimiteti ashtu siç priste nga Rike, është kthyer në hotel, duke u justifikuar te banorët e tjerë se ndihej e lodhur dhe s’mund të rrinte zgjuar gjithë natën.
Sipas banorëve të tjerë, duket se zemërthyera në këtë mes deri tani është Elona, e cila nga ana e saj është më e vendosur dhe më e sinqertë në miqësinë apo besueshmërinë që i ka falur Rikes. Po ashtu banorët, të cilët i kanë njohur vajzat nga afër, kanë parashikuar që Rike nuk do t’i ofrojë kurrë miqësinë e sinqertë që Elona pret nga ajo, dhe ajo që do vuajë, do të jetë pikërisht Elona. Ndërkohë që nuk dihet nëse ato u druhen thashethemeve në lidhje me orientimin e tyre seksual, që nuk shoqërohen lirshëm në Tiranë, edhe pse të dyja e mohuan këtë fakt./Indeksonline/