E Diel, 1 Nëntor 2026

Elozhe lumit blu të Lanës, aksionit futurist të Tiranës

09-06-2011 / Nga Lavdrim Lita

Lumi Lana është degë e lumit të Tiranës, i cili kalon përmes qytetit të Tiranës. Ai buron në pjesën perëndimore të Qafës së Priskës. Është 29 km i gjatë. Në hyrje të Tiranës, Lana rrjedh në një kanal të sistemuar betoni dhe pastaj bashkohet me lumin e Tiranës në verilindje të Bërxullës nga ku formohet lumi i Ishmit. Çuditërisht, por jo rastësisht, dje Lumi i Lanës për ca minuta të bollshme ishte ngjyrë blu kaltërsie. Nuk po tallem. Dikush u tall për kënaqësinë e syve tanë. Forma e saj ndryshonte si një shall i gjatë blu, edhe pse era e palarë mbijetonte.
Nuk dihet ende shkaqet e kësaj risie. Hipotezat janë të shumta. Mund të ishte një shkarkim i zakonshëm ngjyruesish pijesh të skaduar, me pak mundësi mund të ishte një sulm eko-terrorist për të shuar florën dhe faunën e lumit Lana, apo një inskenim mediatik për të thënë se “edhe Lana u kthye blu”. Kjo e fundit u tha në edicionin e djeshëm të lajmeve të orës 15, në një media afër opozitës. Ky lum për shumë vite ka qenë burimi kryesor i propagandës politike për të mbajtur një status-quo të mykur, që vinte erë po t’i afrohesh. Për më shumë një dekadë ky lumë funksionoi për të fshehur katastrofën shkencore urbane që pësoi Tirana. Edhe pse për pak minuta lumi i Lanës u kthye blu, tregoi se çfarë është në gjendje të krijojë mendja njerëzore. 
Kuptohet vetiu se shpresoj shumë që të jetë një akt i qëllimtë provokues individual ose sektar, aq vandal saqë të jetë arti i holluar i ndonjë kryengritësi futurist vendas, që nën shembull e neo-futuristit italian Graziano Cecchini, i cili ka ngjyrosur në Itali shumë shatërvanë të njohura shekullore – t’i japë një impuls natyrës. Në emër të një ideje futuriste, të një arti që thyen tabunë e krijuar nga koha. Ja se çfarë shkruhej në manifestin e Parë Futurist të botuar në “Figaro” 100 vjet me parë. “Le Figarò” 20 shkurt 1909: Guximi dhe rebelimi do të jenë elementet themelore të poezisë tonë. Ja dhe konkluzionet e prera të Manifestit të Aero-pikturës Futuriste: “Të mbivlerësojmë jetën e përditshme, të pandalshme dhe të zhurmshme të transformuar nga shkenca fitimtare. Le të varrosim të vdekurit në thellësitë e errëta të tokës! Le të spastrohet nga mumjet rruga e të ardhmes! Le t’u hapim rrugë të rinjve te dhunshëm e të frikshëm! Futurizmi shprehu menjëherë një pasion të madh politik e modernizues në aksiomat e veta: “Idetë e bukura për të cilat ja vlen të vdesësh. Në emër të ndryshimit të të menduarit, ata kërkuan edhe ndryshimet e këndvështrimeve”.
Cilido që ka ngjyrosur me blu lumin e Lanës ka krijuar një vepër arti bashkëkohore, e cila s’mund të çohet në Bienalen e Venecias, sepse aty do të cohën kutitë e Egoarkut, por mund të admirohen në paqe estetike në Tiranë. Është një art që mbulon territorin, pa kërkuar autorizimin e Bashkisë, duke gjetur një element të surprizës, sepse anarkia është një pjesë e sponsorizuar e jetës sonë publike. Në një vend që arti është në drejtim të paditur, ky gjest rikthen shpresën, që një ditë artistët do të kthehen të bëjnë art, dhe t’ua lenë politikën profesionistëve të politikës dhe llafazanëve shtatshkurtër. Arti ka treguar gjatë historisë së tij që mund të jetë në opozitë ne pushtetit. Por kur opozita kthehen në një Art brut, pa shije estetike, që mohon më shumë sesa pohon do të thonë se ka diçka që po shkon dëm. Artisti ia ka shitur shpirtin politikës, kurse politika është bërë art fashion, që ekspozohet nëpër media, si instalacione absurde në bandën e vjetër VHF, që emëtonte emisione porno si “elektrik blue”. Artisti që sot bën porno-politikë mendon se “Kaosi mbi gjithçka”, “Rrumpallë në Maksimum”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›