Elsa Lila s'i ndahet gjykatës

TIRANË - Këngëtarja e njohur Elsa Lila u përball dje për herë të dytë me Albenc Agon, i dënuar për vrasjen e nënës së saj, ngjarje e ndodhur më 23 maj të vitit 1997. Për afro 15 minuta, këngëtarja së bashku me dajën e saj, njëkohësisht avokati i çështjes, Saimir Vishaj, ishin pjesë e seancës gjyqësore, ku gjykata shqyrton kërkesën e të pandehurit Albenc Ago, për rivendosjen në afat të vendimit që gjykata ka dhënë ndaj tij në mungesë. Seanca e parashikuar të fillonte në orën 13:30, nisi me disa minuat vonesë, pasi këngëtarja ishte personi i fundit që hyri në sallë. Masë kjo ndoshta për të shmangur mediat e interesuara për praninë e saj në sallën e gjyqit, pasi çuditërisht dhe gjykata “kishte harruar”, ose e kishte hequr edhe nga kompjuteri i informacionit procesin e djeshëm ndaj Albenc Agos. Rreth orës 13:45, Elsa Lila hyri në sallën nr. 1 të Gjykatës së Tiranës, e cila ndodhet në katin e parë të godinës. Pasi i nënshtrohet sigurisë së gjykatës, e cila kërkon të kontrollojë çantën e saj, këngëtarja fiku celularin dhe u ul përkrah dajës së saj, avokatit Saimir Vishaj. Me një gjakftohtësi, të paktën në dukje, këngëtarja ndiqte me vëmendje gjithë dialogun që zhvillonin palët gjyqësore, duke mos reaguar thuajse fare. Ndryshe nga hera e parë e përballjes me vrasësin e së ëmës, Eva Vishajn (Lila), ditën e djeshme Elsa nuk ishte përpjekur aspak të ndryshonte lukun, duke lënë të nënkuptohet kështu se mund të jetë pjesë e këtij procesi deri në përfundim. I pari që foli në seancë ishte i pandehuri, i cili vetëm 10 ditë pas ekstradimit nga Italia kërkoi në gjykatë rivendosjen në afat të vendimit prej 20 vjetësh, me pretendimin se nuk është njohur me hetimit dhe procesin gjyqësor të zhvilluar ndaj tij. Në seancën e djeshme Albenc Ago deklaroi para gjykatës, se pranon të mbrohet nga avokati i tij, Ilia Bano, i cili parashtroi edhe kërkesën për rivendosje në afate. Në fjalën e tij, avokati mbrojtës i kërkoi gjykatës që ndër të tjera të bëhet pjesë e procesit edhe dosja hetimore e themelit, në bazë të së cilës i pandehuri Albenc Ago është dënuar me 20 vjet heqje lirie për akuzat e “vrasjes me dashje” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Me kërkesën e avokatit u pajtua edhe prokurori i çështjes, Granit Shahu, i cili u shpreh pro tërheqjes së dosjes hetimore të themelit, që ndodhet në arkivin e Gjykatës së Tiranës. Kreu i trupit gjykues, gjyqtari Gerd Hoxha, vendosi t’i japë kohë gjykatës për të administruar dosjen hetimore, duke shtyrë kështu seancën e radhës në një datë tjetër. Albenc Ago, i ekstraduar më 11 mars nga Italia, akuzohet se ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen shtetases Eva Vishaj (Lila) më 23 maj të vitit 1997, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në kilometrin e 29-të. Për këtë ngjarjeje, 40-vjeçari është dënuar me 20 vjet heqje lire, vendim të cilin e kundërshton tashmë në gjykatë, me pretendimin se nuk ka qenë në dijeni, madje sipas tij, nuk është përfaqësuar as me mbrojtës ligjor në procesin gjyqësor që është zhvilluar në mungesë.