Çfarë di unë për zhdukjen e Remzi Hoxhës

TIRANË - Avni Koldashi vendos të flasë dhe të thyejë heshtjen e madhe që ka krijuar rreth vetes dhe pjesëmarrjes së tij në historinë e zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Pesë vitet e fundit të jetës ia kanë shtuar së tepërmi hallet e rrudhat në sy e ballë ish-punonjësit të SHIK-ut. Njëri prej 4 të akuzuarve të dosjes “Remzi Hoxha”, që vetëm pak ditë më parë u rikthye në gjykatë për rishqyrtim, pasi iu shtua edhe një akuzë e re, gdhin e ngrys ditët tashmë brenda shtëpisë së tij dykatëshe, të palyer nga jashtë, por plot me zhurmë e kujtime brenda në periferi të Tiranës. Mes katër mureve të shtëpisë në fakt, ai ka gjithçka të shtrenjtë që ka në këtë jetë: familjen e tij, tre fëmijët e gruan. Ndërkohë, brenda vetes ka dhe kujtimet e njërës prej ditëve të zakonshme të punës, 21 tetorin e 1995, ditës kur shoqëroi dhe biznesmenin Remzi Hoxha, pa e menduar mbase se ajo ditë do të shënjonte jetën e tij me peripeci pafund më pas, që ende nuk iu ka dalë fundi. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Korrieri”, dje Avni Koldashi rrëfeu qetësisht disa prej aspekteve të rëndësishme të dosjes së zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha. Ai flet për ngjarjen në fjalë, për hetimin e parë, periudhën e paraburgimit, raportin me ish-eprorin e kolegët e tij: Arben Sefgjinin, Ilir Kumbaron e Budion Meçen. Në intervistë, ish-kapiteni i parë i SHIK-ut i kohës së Bashkim Gazidedes, Avni Koldashi, rrëfen për peripecitë që ka kaluar dhe po kalon pas rihapjes së dosjes së Remzi Hoxhës.
-Zoti Koldashi, ju jeni me profesion financier. Si u gjendet i punësuar në SHIK-un e fillimviteve ‘90?
“Në Tiranë kam ardhur në fillim të vitit 1991. Në atë kohë isha kryetari i degës së financës në kooperativën bujqësore dhe kryetar themelues i nëndegës Ujmisht në Kukës. Meqenëse kooperativa bujqësore nuk vazhdonte më, sepse sistemi ndryshoi, duke parë që unë isha i ri dhe i diplomuar për Ekonomik, pasi u hap lëvizja e lirë që ishte mohuar deri atëherë, vendosa që të vij në Tiranë. Pas fitores së PD-së në vitin 1992 me anë të një testimi dhe një rekomandimi nga institucione shtetërore të asaj kohe, fillova punë si oficer në drejtorinë e SHIK-ut”.
-Si u gjendet i përfshirë në akuzën për rrëmbimin e torturimin me pasoja të rënda të Remzi Hoxhës?
“Pas largimit nga SHIK-u unë përfitova kemp si ushtarak dhe fillova punën si financier në disa firma private. Dhe në momentin e ndalimit, në vitin 2003, kryeja të njëjtën punë dhe në biznes privat. Arrestimi im i padrejtë më datë 21 maj 2003, është njohja e parë me akuzat. Kam deklaruar që në këtë moment, se asnjë nga akuzat nuk qëndron. Jo vetëm që janë të pabaza dhe të pathemelta, por janë një shpifje e rëndë me anë të mashtrimit që bëhet ndaj meje, duke sjellë pasoja si për mua, familjen dhe të afërmit e mi. Gjatë hetimit të vitit 2003 ka rezultuar se unë nuk jam i përfshirë në historitë për të cilat ngrenë akuza. Kjo vërtetohet me anën e pushimit të çështjes nga prokuroria, që mban datën 22 nëntor 2003, urdhwrohet pushimi i hetimit ndaj Avni Koldashit, dhe lirimi i menjëhershëm i tij. Vendimi mban firmën e prokurorit të çështjes Përparim Hasa dhe vulën e zyrës së Prokurorisë të Përgjithshme, gjë e cila tregon se çështja nuk është hetuar nga Prokuroria e Rrethit Tiranë, por ka qenë direkt dosje e Prokurorisë së Përgjithshme dhe nën monitorimin e Theodhori Sollakut. Pafajësia ime vërtetohet nga vendimi 3714, datë 09.09.2005 i Gjykatës së Shkallës së Parë, i cili sqaron se Avni Koldashi është mbajtur me të padrejtë në paraburgim. Kjo çështje është kaluar në Gjykatën e Apelit dhe me vendim numër 653, datë 06. 06. 2006, është lënë në fuqi vendimi i gjykatës për pafajësi dhe dëmshpërblim për burgim të padrejtë. Pas kësaj çështjeje, për mua dhe për shtetin shqiptar ka qenë e sqaruar, e hetuar, e provuar dhe e mbyllur. Këtu vlen të theksohet se organizata më e madhe e të drejtave në botë, “Amnesty International”, në një letër për kryeministrin e asaj kohe, Fatos Nanon, ka kërkuar shpjegime për çështjen Remzi Hoxha. Në emër të qeverisë shqiptare, përgjigjen për “Ammnesty International” e dha ish-kryeprokurori Sollaku, i cili thotë në shkresën me numër protokolli 3960, datë 16 dhjetor 2004, se pasi u kryen disa veprime hetimore, akuza ndaj Avni Koldashit ra dhe ai u lirua nga burgu, pasi nuk rezultoi të kishte kryer veprime në kundërshtim me përmbushjen rregullit të detyrës. Janë të tjerë persona në letrën e Sollakut, që kanë konsumuar vepra penale dhe që kanë lidhje me dosjen në fjalë”.
-A mund të na rindërtoni ditën e 21 tetorit të vitit 1995? Kush ju urdhëroi të shoqëroni Remzi Hoxhën?
“Në lidhje me ditën e 21 tetorit të vitit 1995 dhe në lidhje me shoqërimin e Remzi Hoxhën unë kam dhënë deklarimet e mia në organin e akuzës”.
-Po me Ziso Kristopullin, a keni pasur ndonjë kontakt?
“Po e përsëris edhe njëherë, se në lidhje me çdo akuzë që më është bërë, unë kam dhënë deklarimet e mia në prokurori, nëse kam shoqëruar apo jo Remzi Hoxhën, ose nëse kam pasur kontakte me Ziso Kristopullin. Janë pjesë e hetimeve dhe nuk mund të jap asnjë deklaratë në lidhje me këto dy pyetje”.
-Po Armando Loshaj u shoqërua nga ju dhe punonjësit tuaj?
“Armando Loshajn nuk e njoh fare. Është krejtësisht e pabazë dhe sajesë kjo akuzë. As në akuzën e parë nuk e kam pasur, nuk e di fare se kush është”.
-Si e pritët rifillimin e procesit ndaj jush?
“Dua të theksoj se pas pushimit të hetimeve nga prokuroria në vitin 2003, pas fitimit të gjyqeve në dy shkallët e gjykimit dhe marrjes së parave, unë këtë çështje e kam quajtur dhe e quaj përfundimisht të mbyllur. Dhe nuk kam frikë. Le të vazhdojë të hapet sa herë të dojë. E vetmja gjë që më vjen keq, është se shteti shqiptar jo vetëm nuk respekton të drejtat e njeriut, por në këtë rast ai godet padrejtësisht me anë të strukturave të tij ish-punonjësit e vet, duke i nxjerrë ata në pozicione të pakëndshme, por dhe të rrezikshme për vetë ekzistencën e tyre dhe të familjeve të tyre. Dua të theksoj se kjo jo vetëm për mua, por për çdo intelektual, kur ai gjatë gjithë jetës së tij është edukuar dhe udhëhequr nga principe shumë të larta humane, atdhetare dhe profesionale. Këtë person krejt papritur dora e hekurt e shtetit e kap nga ky pozicion dhe e vendos jashtë çdo logjike në pozicionet e mësipërme. Mjafton kjo që më ka ndodhur mua dhe familjes sime, për të treguar për vetë nivelin e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe se sa i sigurt është jeta e një personi në këtë vend. Kam një dyshim se, meqenëse një masë e madhe e ordinerëve që janë në pushtet, të cilët asgjë të vërtetë nuk kanë në ato që thonë, nuk do ta kuptojnë sinqeritetin tim të lartë që del nga një intelektual dhe një atdhetar si unë. Duhet të theksoj se rifillimi i procesit për mua, për familjen time, për të afërmit e mi dhe prindërit e mi ishte një shokim i paimagjinueshëm. Unë edhe përpara hapjes së procesit kam qenë i shqetësuar për faktin e mosmarrjes në punë nga struktura aktuale shtetërore edhe në rastet kur kam paraqitur kërkesë, ashtu edhe në rastet kur kam fituar me konkurrim të hapur për në poste publike”.
-Kur jeni njohur me bashkë të akuzuarit e tjerë për zhdukjen e Remzi Hoxhës?
“Në periudhën për të cilën ne akuzohemi se kemi rrëmbyer dhe zhdukur Remzi Hoxhën, Arben Sefgjini ka qenë zëvendësdrejtor i SHIK-ut të Tiranës, epror imi i asaj kohe. Marrëdhëniet e mia kanë qenë thjesht epror-vartës. Për mua Sefgjini ka qenë një drejtues i përgatitur, që vinte nga shtresa intelektuale, i përpiktë në dhënien e detyrave. Mendoj se duke e njohur gjatë qëndrimit tre muaj në qeli, mund të them që ka një nivel të lartë intelektual. Gjatë asaj kohe nuk kam pasur marrëdhënie shoqërore. Ilir Kumbaro në po të njëjtën kohë ka qenë kryetar i degës së parë të SHIK-ut në Tiranë. Për nga funksioni ishte një koleg imi. Kur kemi pasur marrëdhënie pune, kanë qenë marrëdhënie shumë korrekte. Nuk vareshim asnjëri tek njëri-tjetri. E di se vinte nga struktura të Sigurimit të Shtetit. Njohja ka qenë shumë e vogël. Budion Meçen e kam njohur gjatë qëndrimit tre muaj në paraburgim. Mund ta kem parë si fytyrë gjatë kohës në SHIK, por nuk i dija as emrin dhe nuk kisha asnjë njohje me të. Këtu më habit një fakt që e kam menduar gjithmonë. Si është e mundur që organi i procedimit penal shqiptar të krijojë grup mes të panjohurish jo për gjëra të thjeshta, por për krime të rënda?! Kam thënë dikur, se në fjalorin e gjuhës shqipe fjala “grup” trajtohet si bashkim vullnetar i disa personave që i lidh një qëllim dhe kanë njohje të thellë të përbashkët. Vetëm një grup i tillë mund të kryejë vepra kriminale të këtij niveli. Organi i procedimit penal duhet ta kuptojë se drejtori i SHIK-ut i Tiranës, Arben Sefgjini, kryetari i degës së parë, Kumbaro, shefi i bazës së vëzhgimit, Koldashi dhe një inspektor i degës së parë, Meçe, në këto kushte nuk mund të krijonin një grup kriminal në mes të kryeqytetit, për rrëmbim e zhdukje personash pa ekzistuar motivi i krijimit të grupit. Kushedi se cili paska qenë qëllimi i këtij grupi? Atëherë lind pyetja: si ka mundësi që këta prokurorë ta krijojnë një grup të tillë, ta hetojnë këtë “grup” në vitin 2003, duke pasur në dorë të gjithë mjetet dhe faktet, ta shpërbëjnë grupin, ky i fundit të fitojnë pafajësinë dhe tashti grupi të rikrijohet prapë? A nuk është edhe ky një rrezik i lartë për papërgjegjshmërinë e madhe të këtij shteti në tërësi”?
-Keni deklaruar në gjykatë, se dosja “Remzi Hoxha” ka prapavijë politike dhe korruptive? Çfarë mund të shtoni më tepër?
“Dosja “Remzi Hoxha” është një montim politik, i cili pasi në vitin 2003 më nxori të pafajshëm nga akuzat, tashmë më shton akuza të tjera”.
-Pse nuk pranoni të mbroheni nga një avokat?
“Nuk kam pranuar të mbrohem me avokat, si në gjykimin e parë edhe tani, për arsyen jo se unë i njoh ligjet, por kryesorja është se nuk kam shkelur asnjë ligj. Dhe, si rrjedhim, në veprimtarinë time, në punën shtetërore dhe të përditshme nuk ekziston asnjë veprim në kundërshtim me ligjet shqiptare dhe ndërkombëtare, jo vetëm të ratifikuara prej tij, por kudo qofshin. Bile, dua të theksoj se veprimtaria ime shoqërore nuk bie në kundërshtim jo vetëm me ligje, por as me norma morale të shoqërisë shqiptare kudo qofshin ata”.
-A është e vërtetë se keni marrë kërcënime dhe a keni frikë për jetën tuaj dhe të familjarëve? Nëse po, i keni identifikuar kërcënuesit, keni bërë denoncim zyrtarisht?
“Është e vërtetë që unë kam marrë kërcënime. Këto kërcënime vijnë si më poshtë:
1. Bllokim deri në largim të punës sime si financier në disa biznese që unë e kam fituar punën me konkurse. 2. Mosmarrja në punë më gjithë kërkesën e bërë pas fitores së PD-së në korrik 2005, megjithëse jam me arsim të lartë, zotëroj anglisht, kam të gjithë specializimet e nevojshme, si dhe drejtues në PD në periudhën 1992-1997, në një kohë që kanë filluar punën pas 2005, persona që s’kanë lidhje fare me PD dhe që janë shumë larg njohurive dhe aftësive të mia. 3. Rrëzimi në datën e parë të tenderimit për mosmarrjen e koncesion të dy HEC-eve të mi, Bushtrica 1 dhe 2. Dua të theksoj se këta HEC-e janë studiuar privatisht, duke harxhuar kursime dhe borxhe, personalisht nga firma ime. Nuk mendoj që do të ketë shtet apo individ, i cili të përvetësojë një djersë dhe një mundim kaq të madh, në një kohë kur ne jemi disa firma të bashkuara, kemi hedhur të gjitha privatisht para për investime, duke zbatuar të gjithë ligjet e shtetit.
4. Kam pasur kërcënime me telefon një rast dhe së fundi, vetë hapja e çështjes është një kërcënim për mua, familjen time dhe për biznesin tim.
Është shumë e rëndë që në këtë moshë që jam unë, duke qenë me arsim të lartë, studime dhe specializime të ndryshme në financa, që unë të bllokohem nga shteti, duke mos më dhënë mundësi për të punuar. Nuk e kuptoj si mund të ushqehem, si mund të mjekohem si i sëmurë që jam dhe nuk e imagjinoj këtë persekutim në një mes të një vendi evropian”.
-Pse u larguat nga Shërbimi Informativ Kombëtar?
“Kam punuar në SHIK nga viti 1992 deri në fillim të 1998-ës, kur jam larguar për paaftësi shëndetësore si ushtarak, kjo është e vërteta. Një komision prej 7 mjekësh të Spitalit Ushtarak, pas vizitave më dha rekomandim për kemp dhe nxjerrje në lirim. Më pas, zoti Fatos Klosi me një urdhër të datës 15 shkurt 1998, më nxori në lirim për arsye shëndetësore. Kjo është shumë e dokumentuar dhe bie në kundërshtim me Klosin, i cili ka deklaruar se Avni Koldashi është larguar me kërkesën e tij. Gjatë kësaj kohe, deklaroj se me seriozitetin më të madh kam punuar me përkushtim për përmbushjen e detyrës jo vetëm shtetërore, por edhe atdhetare. Gjatë kohës në SHIK kam punuar si inspektor dhe për disa kohë në detyrën shef i Bazës së Vëzhgimit të Drejtorisë së Tiranës. Duhet të theksoj se në SHIK jo vetëm që nuk kam përfituar asgjë si privilegj, por nuk më janë dhënë as ato që më takonin, siç është strehimi, njohja e statusit për pagesën e bashkëshortes, kredi për blerje shtëpie etj. Gjatë asaj kohe kam punuar për ngritjen time profesionale, por që nga viti 1994 i jam drejtuar me dy kërkesa: një Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe një Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që ndodhen edhe sot të arkivuara për t’u larguar nga ky shërbim. Jo se e urreja Shërbimin Sekret, por thjesht për ego profesionale”.
-A druheni se mund të riktheheni në qeli, pas rihapjes së gjykimit të dosjes së Remzi Hoxhës?
“Nuk kam asnjë frikë për rikthimin tim në qeli për hapjen e dosjes “Remzi Hoxha”. Nuk kam frikë, sepse nuk ekziston asnjë veprimtari e imja, e cila të më çojë drejt qelisë. Të gjithë ata persona që mendojnë se mund të punohet me format e monizmit gabohen rëndë, koha e tyre ka perënduar përgjithmonë. Historia e tyre është fare e përkohshme. Një ditë drejtësia do të dalë”.
-A keni pengje nga e gjithë kjo histori?
“I pari peng imi është që, demokracia që kam ëndërruar unë, që kam punuar dhe sakrifikuar për të dhe me këtë që më ka ndodhur për mua, nuk ekziston demokraci në Shqipëri. Ky është pengu më i madh. Por çdo gjë do të kalojë dhe këto do të jenë të përkohshme. Pengu tjetër është se nuk e imagjinoj sesi mund të përfshihet një person si unë, në histori të montuara që të bëjnë pjesë të një trilleri horror”. Intervistoi: Elona Elezi
Pyetje pa përgjigje
Në fakt, Avni Koldashi ka dhe pyetje që nuk do t’u përgjigjet. Motivet i di vetëm ai vetë, pasi “zyrtarisht” deklaron se për disa pyetje ka dhënë shpjegime në prokurori. I pyetur nëse do të mund të rindërtonte pasdreken e 21 tetorit të vitit 1995 dhe shoqërimin e Remzi Hoxhës, ai refuzon të përgjigjet. Ashtu sikundërse refuzon të përgjigjet edhe për destinacionin pas shoqërimit të biznesmenit shqiptaro-maqedonas, për mbajtjen apo jo nën vëzhgim të tregtarit të duraluminit, mungesës së dokumentacioneve rreth kësaj ngjarjeje në arkivin e SHIK-ut, apo edhe nëse ka qenë ndonjëherë në Vain të Lezhës, pas shoqërimit të Remzi Hoxhës atje së bashku me Abdyl Loshajn dhe Ziso Kristopullin. Padyshim që është e drejtë e tij për të heshtur ose për të ruajtur sekrete e dëshmi që mund t’i ketë vetëm për grupin hetimor, a për t’i marrë në fund me vete...