E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset trafikanti i 600 kg drogë

Policia zbuloi dhe sekuestroi sasinë e madhe të marihuanës në një kamion që udhëtonte në drejtim të Fierit

TEPELENË - Plot 600 kg lëndë narkotike e llojit marihuanë u gjetën dhe u sekuestruan në një kamion që udhëtonte në aksin Tepelenë-Fier, ndërsa gjatë operacionit policor mbeti i plagosur edhe drejtuesi i automjetit, i cili kundërshtoi të hapte mushamanë e trajlerit. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm pranë Memaliajt, ndërsa patrulla e policisë i bëri shenjë për të ndaluar kamionin tip “Renault”, me targë VL 1446 C në kokën e kamionit dhe KO 5427 B në rimorkio. Drejtuesi i kamionit, Besnik Bronkeri, 35 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Vlorë, pas sinjalit të marrë ndërpreu lëvizjen, ndërsa pasi i verifikuan dokumentet përkatëse të automjetit, policia i kërkoi atij të hapte mushamanë e trajlerit. “Pasi dëgjoi kërkesën tonë, shoferi filloi të shfaqte shenja nervozizmi dhe kundërshtie”, thonë burimet policore, pjesëmarrëse në këtë operacion. “Pasi debatoi me efektivët e policisë, sepse nuk pranonte që të hapte mushamanë e kamionit, Bronkeri u përpoq t’i marrë pistoletën njërit prej punonjësve të policisë. Shoferi i plagosur është dërguar në spitalin e Gjirokastrës dhe më pas është transportuar për në Tiranë, për ndërhyrje më të specializuar. Ndërkohë, gjatë kontrollit në karrocerinë e kamionit, policia zbuloi lëndën narkotike tip marihuanë, e cila transportohej në 24 çanta të mëdha sportive ngjyrë të zezë. Në secilën çantë kishte nga 20-25 pako me peshë 1 kilogram secila, të mbështjella me letër natriban, në formë cilindrike. Sipas hetimeve të para, ngarkesa më drogë mund të kishte si destinacion disa qytete të Shqipërisë së Mesme. Agron Bronkeri është arrestuar nën akuzën e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›